1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Profesorë me sfond emigrimi në Gjermani

Sola Hülsewig/Pandeli Pani19 Shkurt 2014

Kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë profesorë me origjinë emigrimi në Gjermani. Por një studim i ri tregon se fëmijët e emigrantëve ende e kanë të vështirë në Gjermani.

Fotografi: DW/S. Hülsewig

Disa kohë më parë, Profesor Ahmet Toprak po jepte një intervistë në radio. Kur biseda mbaroi një grua mori në telefon në studio dhe donte të fliste me Toprakun. Arsyeja e telefonatës së saj ishte se ajo dyshonte se Topraku mund të ishte vërtetë profesor. Zonja e njihte Ahmet Toprakun nga e kaluara. Në vitet 80-të ai ishte nxënës i saj në një shkollë ku shkonin fëmijët e emigratëve në Këln.

Toprakut iu kujtua menjëherë ish-mësuesja e tij dhe iu drejtua asaj me emër. "Por ajo thjesht nuk donte të më besonte," thotë studjuesi. Ahmet Toprak është prej shtatë vjetësh profesor i lëndës së pedagogjisë në Shkollën e Lartë të Dortmundit.

Origjina familjare vendimtare për karrierën universitare

Topraku, 43 vjeç, është një nga rreth 5.000 profesorët e të tjerë me sfond emigrimi që punojnë në Gjermani. Më i madh numri i profesorëve me origjinë jo gjermane është në fushën e matematikës dhe tek shkencat natyrore. Rreth një e pesta e tyre punojnë në sektorin e gjuhësisë dhe të kulturologjisë.

Ayla Neusel, drejtuese e studimit për profesorët me origjinë të huaj në Gjermani thotë se 64% e profesorëve në Gjermani vijnë nga familje intelektualësh dhe se fëmijët që vijnë nga familjet e emigrantëve turq e kanë të vështirë të bëjnë karrierë në universitet ose të marrin një vend profesori.

Ahmet ToprakFotografi: DW/S. Hülsewig

Mekanik apo shkollë në Turqi

Edhe vetë Ahmet Toprak nuk e kishte besuar se do të bëhej ndonjëherë profesor. Ai ishte 10 vjeç kur erdhi me vëllezërit dhe motrat në Këln. Ahmet Toprak përfundoi në një shkollë emigrantësh, ku fëmijët mësonin nga pak gjermanisht, por ku dominonte ideja se ata dikur do të ktheheshin sërish në vendin e origjinës.

Pas shkollës Ahmet Toprakut i ofruan një vend pune për të mësuar zanatin e mekanikut në fabrikën ku punonte i ati. Por ai e refuzoi këtë dhe u kthye në moshën 15-vjeç në Turqi për të ndjekur gjimnazin. Më pas ai filloi në Ankara studimet në degën e Gjuhës Angleze. Pas një semestri ai erdhi për të studjuar në Gjermani Pegadogji dhe Psikologji. Pas studimeve në Universitetin e Bonit dhe të Regensburgut ai punoi disa kohë si punonjës social. Topraku tregon se idenë për t'i hyrë karrierës shkencore ia kishte futur një profesor nga Hamburgu, gjatë një kursi kualifikimi për punonjës socialë. Ky e kishte nxitur të mbronte doktoratën. Më pas Toprak arriti të fitonte konkursin për një vend si profesor në Shkollën e Lartë të Dortmundit duke lënë pas 109 konkurrentë.

Shembull për studentët nga familje emigrantëshFotografi: DW/S. Hülsewig

Shembull për të tjerët

Profesori me orgjinë turke shërben si shembull për studentët që vijnë nga familje emigrantësh. Si p.sh. për Fatmën. Edhe prindërit e saj janë nga Turqia, e ëma është shtëpiake, i ati punëtor. Ajo studion për punë sociale dhe do që punimin për bachelor ta shkruajë tek profesor Topraku. "Unë mendoj se me të mund të bisedoj për gjithçka" - thotë Fatma - "Tek ai kam më shumë guxim se tek profesorët e tjerë."