1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Program për integrimin e imigrantëve në Greqi

Niko Anagnosti/Athinë/aud13 Mars 2009

Ministria e Brendshme e Greqisë shpalli programin “Vatra” me synim integrimin e imigrantëve në ekonominë dhe shoqërinë greke. Programi prej 26.2 milionë eurosh, financohet në masën 75 % nga Bashkimi Evropian.

Një program i financuar nga BE dhe qeveria greke synon të vendosë urat me imigrantët
Një program i financuar nga BE dhe qeveria greke synon të vendosë urat me imigrantëtFotografi: dpa

Integrimi i imigrantëve në Greqi, i cili për rreth dy dekada, që nga flukset masive kryesisht nga vendet ballkanike postkomuniste – në radhë të parë nga Shqipëria - është kryer në mënyrë spontane, po hyn në një faze të re: atë të politikave të integrimit përmes programeve ambicioze. I tillë është programi “Vatra”, i pari program i kompletuar për integrimin normal dhe të shpejtë të imigrantëve të ligjshëm. Ai do të shënojë edhe kompletimin e një politike bashkëkohore për migracionin, që gjithë këto vite i ka munguar Greqisë.

“Menaxhimi i fenomenit të migracionit dhe respektimi i të drejtave të imigrantit presupozojnë politika të integrimit normal në shoqëri. E theksoj edhe një herë: jo asimilim por integrim”, tha ministri i Brendshëm, Prokopis Pavllopullos, duke theksuar se forcimi i “kohezionit social do të bëhet përmes respektimit të diversitetit”. Vetëm një konceptim dhe përpilim i tillë i programit mund të garantojnë pjesëmarrjen aktive të rreth 550.000 imigrantëve të ligjshëm nga 120 komunitete të imigracionit, ku ai shqiptar përbën shumicën dërrmuese me 58.2 %, i pasuar nga bullgarët me 7.5% dhe nga rumunët dhe ukrainasit me respektivisht nga 4.5 dhe 4.3% , sipas statistikave më të fundit.

Imigrantë në Greqi para zyrës së regjistrimit në AthinëFotografi: AP

Programi me një fond prej 26.2 milionë eurosh - aspak modest në sfondin e krizës globale - konsiston në një erashkë të gjerë aktivitetesh të larmishme, që përfshijnë përveç mësimit të gjuhës greke, informimin e imigrantëve për të drejtat e tyre, kualifikimin e kuadrove të strukturave për migracionin dhe deri te sensibilizimi i shoqërisë për zhdukjen e fenomeneve të racizmit dhe ksenofobisë. Kryetarja e Federatës së Shoqatave të Imigracionit Shqiptar, Flutura Filaku:

"Më në fund Greqia e kuptoi që imigrantët nuk mund të lihen në mëshirën e fatit, por duhen integruar në shoqërinë ku jetojnë dhe punojnë. Padyshim që programi VATRA, ashtu siç është një shans është edhe një sfidë: presupozon angazhimin e të gjitha shoqatave, të cilat duhet të dalin me propozime konkrete. Veç kësaj na jepet rasti që të nxjerrim në pah dhe veçoritë tona kulturore siç kërkon programi”.

Me qëllim realizimin sa më efikas të programit pranë Ministrisë së Brendshme greke, që është koordinuesja e tij, është ngritur Drejtoria e Përgjithshme e Politikës së Migracionit dhe Integrimit Social, me kompetencë të saj projektimin e politikave të integrimit social të nënshtetasve të vendeve të treta, krahas grupeve të tjera sociale në nevojë. Shënojmë se ashtu si u drejtohet imigrantëve të ligjshëm, “Vatra” do të jetë veçanërisht e ngrohtë për të moshuarit, gratë, fëmijët, por edhe viktimat e trafikimit. Aktivitete të tjera të saj do të kenë karakterin e asistencës në vendet e origjinës dhe parandalimin e emigrimit dhe në materialimin e tij do të implikohen që nga autoritetet zyrtare, deri te komunitetet e migracionit, OJF-të si edhe shoqëria lokale.

Shpallja e programit që shtrihet në një hark kohor deri në vitin 2013 koincidon me mbajtjen e Forumit të Tretë Botëror për Migracionin në muajin nëntor në Athinë. Shpalosja e sukesshme e tij padyshim që do të jetë një “pasaportë” e mirë për Greqinë, që gjatë tri ditëve të forumit do të tërheqë mbi vete dritat e aktualitetit botëror për temën e mprehtë të migracionit.

“Konkluzonet e këtij Forumi Botëror do të përbëjnë një udhëzues për menaxhimin politik të fenomenit të madh të migracionit”, deklaroi zëvendësministri i Brendshëm Athanasios Nakos, i ngarkuar me problemet e migracionit. Në Forum është ftuar dhe do të marrë pjesë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, kurse dy ditët e para do t'u kushtohen organizatave jofitimprurëse. Do të jenë të pranishëm 180 përfaqësues shtetesh dhe 300 përfaqësues të OJF-ve.