1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Programi “Forume në bashkësi”

Angelina Verbica14 Prill 2011

Zëri i qytetarëve në vendimmarrje po bëhet gjithnjë e më i zëshëm.

Einkaufsstrasse in Tetovo Mazedonien
Rrugë në TetovëFotografi: DW/S.Toevski

Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes programit “Forume në bashkësi” në koordinim me vetëqeverisjen lokale u mundëson qytetarëve realizimin e projekteve të propozuara nga vetë ata, që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve, ku jetojnë.

Pjesëmarrja e qytetarëve në realizimin e projekteve në nivel lokal

Forume në bashkësi është instrument shumë praktik, i cili mundëson përfaqësim adekuat të qytetarëve në propozimin e projekteve konkrete dhe njëherit ofron komunikim të drejtëpërdrejtë të qytetarëve me administratën lokale, thotë Ibrahim Mehmeti nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Rrugë në KumanovëFotografi: Petar Stojanovski

“Edhe qytetarët edhe përfaqësuesit e komunave e kanë pranuar në mënyrë shumë pozitive dhe rezultatet flasin për një pranim pozitiv, i cili jep shenja se pjesëmarja e qytetarëve në vendimmarje në nivel lokal është një çështje me interes shumë të madh”, thotë Ibrahim Mehmeti.

Banorët e Kumanovës përmes këtyre forumeve kanë siguruar ndërtimin dhe rikonstruimin e rrjetit të ujt dhe një pjesë të sheshit të qytetit.

“Jemi shumë të kënaqur, pamja e sheshit ka ndryshuar, në të kaluarën është punuar shumë pak, ndërsa tani mburremi me këto ndryshime“, thotë një banor i Kumanovës.

Konsultim i drejtëpërdrejtë midis qytetarëve dhe autoriteteve lokale

Qytetarët e Gostivarit kanë vendosur që mjetet e fituara nga ky projekt t'i shfrytëzojnë për rikonstruimin dhe modernizimin e brigjeve të lumit Vardar dhe ndërtimin e trotuareve.

“Në lagjen tonë ka shumë rrugë, të cilave u mungonin trotuaret, ishte shumë rrëzik të ecësh në ato rrugë. Morëm iniciativë në kuadër të komunës dhe për fat këshilltarët përkrahën nismën tonë”, thotë Manushaqe Hasani, banore e Gostivarit.

Banorët e Prilepit përfitojnë nga programiFotografi: Petar Stojanovski

Përmes programit “Forume në bashkësi” në Strumicë dhe Prilep janë ndërtuar palestra sportive në dy shkolla, nuk ka munguar edhe investimi në objekte kulturore.

“Nga një vend i lënë pas dore hapësirat për rekreim sot janë gjallëruar, qytetarët i shfrytëzojnë për çdo ditë, sidomos gjatë fundjavës“, shprehet Igor Tasevski, komoderator i forumeve në Prilep.

Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim bën të ditur se “Forumet e bashkësive” edhe më tej do të vazhdojnë me realizimin e projekteve të inicuara nga qytetarët. Nga një marsi i këtij viti ka filluar faza e re e projektit, e cila do të vazhdojë deri në vitin 2014, ku parashihet të bashkangjiten edhe 40 komuna, që do të kenë mundësi ta praktikojnë modelin e këtillë të pjesëmarrjes së qytetarëve në projekte të nivelit lokal.

“Shpresoj so do të jenë komuna të reja, të cilat për herë të parë do të kyqen në program dhe do të fitojnë mundësinë që ta kalojnë këtë rrugë të themi të mësimit, komunikimit dhe konsultimit me qytetarët në një mënyrë të drejtëpërdrejtë”, thotë Ibrahim Mehmeti.

Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në pesë vitet e fundit ka investuar rreth 5 milionë franga për mbështetjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në projekte të pushtetit lokal.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW