1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NRW-program për kthimin e shkencëtarëve të rinj

Svenja Üing/Dardanie Pajaziti27 Korrik 2013

Shumë shkencëtarë gjermanë punojnë për një kohë të gjatë jashtë vendit. Që të mos qëndrojnë atje gjithmonë, NRW i mbështet financiarisht. Sandra Bles ishte pjesëmarrësja e parë e këtij programi.

Fotografi: UKB Medienzentrum

Shumë shkencëtarë të rinj gjatë karrierës së tyre shkojnë përkohësisht për punë jashtë shteti. Në mënyrë që sistemi shkencor gjerman të mos i humbasë të kualifikuarit e tij pergjithmonë, Ministria e Shkencës në landin e Renanisë Veriore Vestfalisë (NRW) u ofron atyre që kthehen një program special bursash. Kush aplikon me sukses, merr një bursë pesëvjeçare me rreth 1,25 milion euro. Sandra Bles është një e kthyer në NRW.

Sandra Blesit akoma i buzëqesh fytyra. Në prill biologja e re ligjëroi për herë të parë si docente private. Tani po realizohet edhe hapi i fundit. 39 vjeçarja po habilitohet dhe me këtë po e kalon edhe pengesën më të madhe të rrugës drejt profesurës. Për pesë vite me rradhë Sandra Bless përgatiti habilitacionin e saj në institutin universitar “Life and Brain” në Bon. Ajo hulumtoi mbi zhvillimin e qelizave nervore në trurin embrional të minjve, mbi bazën e të cilit mund të zhvillohen më vonë terapi të reja për pacientët me sëmundjen e parkinsonit.

Për punën e saj shkencore Sandra Blesit i nevojitej kohë e mjaftueshme dhe shumë para për pajisjet teknike dhe bashkëpunëtorët. “Pa ndihmën e programit për shkencëtarët e kthyer të NRW-së nuk do ia dilja mbanë të realizoja këtë hap në karrierën time”, shprehet Sandra Bles.

Me 1,25 milionë euro në universitetin e dëshiruar

Sandra Bles ishte njëra ndër të parët, që u kthye në Gjermani, me programin e shkencëtarëve të kthyer të NRW-së. Paraprakisht ajo promovoi në Basel dhe më pas vazhdoi kërkimet për gjashtë vite me rradhë në New York. Atje mësoi edhe për nismën e këtij programi. Ajo konkuroi dhe mori 1,25 milionë euro nga Republika e Renanisë Veriore-Vestfalisë (NRW) dhe me këto mjete ajo mundi të shkojë në një universitet, të cilin e zgjodhi vetë.

Ministrja e shkencës në NRW, Svenja Schulze, në bisedë me të kthyeritFotografi: Ministerium für Innovation, Wissenschaft und Forschung NRW

Sandra Bles vendosi që atëherë për universitetin e Bonit, për shkak se neurobiologjia ka reputacion të mirë atje. Ajo punon në klinikën universitare të institutit “Life and Brain”, por tani është duke u ballafaquar edhe me një sfidë të re: “Në tetor lindi im bir dhe tani po mundohem që t'i koordinoj të dyja obligimet, punën shkencore dhe fëmijën, gjë e cila nuk është dhe aspak e lehtë”.

Edhe universitetet përfitojnë nga programi

Nga programi i shkencëtarëve të kthyer të NRW nuk përfituan vetëm shkencëtarët e rinj, si Sandra Bles, por edhe universitetet, në të cilat të kthyerit shpalosin dijën e tyre. Shumica e kandidatëve të këtij programi financues punonin me shumë përgjegjësi në institucione të tjera me reputacion të lartë, siç është universiteti i Standfordit në Kaliforni, ose instituti i teknologjisë në Boston dhe mjetet e marra nga NRW ia përcjellin më pas direkt edhe universitetit të përzgjedhur. “Universitetet përfitojnë shumë nga shkencëtarët e rinj dhe përmes mjeteve financiare, që posedojnë, ata i përforcojnë hulumtimet në pikat më të dobëta shkencore, që kanë”, thotë Hermann Lamberty, zëdhënës i ministrisë së Shkencës së NRW, i cili edhe e inicioi këtë program.

Këtë verë përfundon mbështetja pesëvjeçare e financimit të Sandra Bles. Megjithatë ajo do vazhdojë të punojë në katin e katërt të institutit “Life and Brain”. “Momentalisht parashikohet që të vazhdojë financimi im deri në fund të 2014-ës, por këtë herë nga klinika universitare dhe nga instituti”, thotë Sandra Bles. Në të vërtetë ajo kishte shpresuar për një procedurë pune, e cila do t'i premtonte një kontratë të përhershmë, por nuk ia doli. Kur ajo konkuroi, një gjë e tillë nuk ishte e mundur, shpjegon ajo.

Dëshira për përspektiva të sigurta për karrierë është e madhe

Nnëse Sandra Bles ka fatin të qëndrojë në institut, nuk është e garantuar. Megjithatë Hermann Lamberty thotë se Ministria e Shkencës në NRW shpreson që shkencëtarët e kthyer të kenë në të ardhmën nga universitetet perspektiva afatgjata karriere. “Ne do ta mirëprisnim, sikur automatikisht pas vlerësimit përkatës të ketë edhe një perspektivë të përhershme për shkencëtarët dhe shkencëtaret”, shprehet Lamberty. Por fundja secili universitet duhet të vendosë vetë, se çfarë kërkesash ka dhe çfarë ofertash mund të parashtrojë.

Që nga viti 2008 Sandra Blaess punon në institutin "Life&Brain" në Bon.Fotografi: Universität Bonn

Që nga nisma e këtij programi gjithsej 17 shkencëtarë dhe shkëncëtare janë kthyer në Gjermani nga vendet e tjera. Do të ketë edhe shumë të tjerë, thotë Hermann Lamberty. Planifikohet që programi të vazhdojë të mbeshtetet edhe në vitet e ardhshme nga buxheti shtetëror, por me parimin me një fund të papërcaktuar".

Tani mundësi edhe për shkencëtarë të shkencave humane

Momentalisht po garojnë 60 konkurues për 3 bursa. Shumë prej tyre vijnë nga SHBA-ja. Dhe ekziston vetëm një arsye, shumë shkencëtarë të rinj si Sandra Bles shkojnë për një kohë të shkurtër në SHBA. Andaj dhe prioritetet kërkimore të shkencëtarëve të kthyer ishin kryesisht shkencat natyrore.

Por kësaj rradhe gjithçka do të jetë më ndryshe, thekson Lamberty. “Oferta aktuale përfshin fusha të ndryshme specializimi, për klimën dhe energjetikën, por edhe shëndetin dhe ushqimin. Në këtë mënyrë kanë të drejta të barabarta si fizikani, ashtu edhe shkencëtari i shkencave humane”.

Ndërsa shkencëtarët e tjerë të rinj janë në mes të fazës së konkurimit, Sandra Bles duhet të vazhdojë të publikojë dhe të kërkojë mbështetje financiare shtesë, sepse vetëm atëherë ka gjasa, që dikur të bëhet me të vërtetë profesore.