1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Progresi në Greqi

Panagiotis Kouparanis / Esat Ahmeti16 Tetor 2012

Përkundër problemeve të shumta strukturore në Greqi po ndodh një ndryshim pozitiv, thotë anëtari gjerman i Task Forcës, eksperti i ekonomisë Jens Bastian.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Ka më shumë se dy vjet që Greqia akuzohet se nuk është në gjendje të ndërmarrë ndryshime të vërteta. Ndërkohë mund të dëgjohen edhe zëra të tjerë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, një prej kritikueseve më të ashpra të Greqisë, ka konfirmuar se vendi i tronditur rëndë nga kriza ka vullnetin dhe aftësinë për zhvilime pozitive.

Për këtë është i bindur edhe Jens Bastian. Ekonomisti gjerman është që nga shtatori i vitit 2011 anëtar i Task Forcës të ngritur nga Komisioni Evropian në Greqi. Misioni i Task Forcës është të këshillojë ministritë dhe agjencitë qeveritare greke se si ato të punojnë në mënyrë më efektive dhe të jenë në gjendje të zbatojnë programin e reformave të kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Nga viti 2005 deri në vitin 2009 eksperti i ekonomisë Jens Bastian ishte shef i Agjencisë Evropiane për Rindërtim në Ballkanin Perëndimor. Agjencia ka selinë në qytetin grek të Selanikut.

Në foto, Dr. Jens BastianFotografi: privat

Më shumë transparencë në buxhet

Vullnetin për ndryshime në Greqi Jens Bastian e lidh posaçërisht me buxhetin. Me gjithë vështirësitë që ekzistojnë ende, përmes reformave të nisura para një viti e gjysëm është arritur të ngritet një buxhet transparent grek. "Për herë të parë ne tani kemi një transparencë dhe një qarkullim të informacionit në mënyrë që autoritetet ta kenë edhe vet të qartë: Cila është dinamika e shpenzimeve në buxhet? Kush çka shpenzon? A janë korrekte këto shpenzime? A është në përputhje me ligjin prokurimi publik?".

Tek problemet strukturore që shkaktojnë mungesë të transparencës është edhe mungesa e një zyre katasdrale, pra një agjencie që do të mirrej me matjen e tokës. Aktualisht shteti nuk e di se çfarë krejt në fakt i takon atij. Kjo është arsyeja kryesore pse nuk po përparohet me shitjen e pronës shtetërore.

Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

Një tjetër pengesë është se kundër shumë kompanive që janë në pronësi publike dhe ndodhen në listën e privatizimit, në Bruksel po zhvillohen të ashtuqujturat procedura komplisiteti. Kjo do të thotë se ato kanë marrë subvencione dhe lehtësira tatimore nga shteti grek të cilat nuk ju takojnë, pra në mënyrë të papajtueshme me ligjin e BE-së. Për aq kohë sa këto procedura nuk do të kenë përfunduar në Bruksel këto kompani nuk mund të shiten.

Task Forca është duke e ndihmuar Greqinë për të përmbyllur këtë proces. Sipas Jens Bastian: "është në interes të Greqisë që çështja e këtyre procedurave mos të përfundojë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë".

Lufta kundër evazionit fiskal

Lidhur me krizën greke raportohet shumë se autoritetet financiare greke kanë probleme me mbledhjen e taksave dhe politikanët në Athinë tregojnë pak interes për vendosjen e drejtësisë tatimore.

Pamje simbolike, "Lista e turpit" - evaduesit tatimor grekëFotografi: picture-alliance/dpa

Ndërkohë disa gjëra kanë ndryshuar edhe në këtë drejtim, thotë Jens Bastian. Athina është duke zhvilluar negociata me Zvicrën për arritjen e një marrëveshje e cila do të detyronte për të paguar evaduesit tatimor grekë. "Ne po i afrohemi nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje", thotë anëtari gjerman i Task Forcës. "Ne konstatojmë se tani grekët kanë filluar të tërheqin kapitalin e tyre nga Zvicra. Për shkak të lgjit që po vjen, ata me sa duket e kanë kuptuar se duhet të veprojnë".