1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projekt për energjinë e rinovueshme në Ballkan

4 Prill 2011

Krijimi i tregut të energjisë së rinovueshme në Europën Juglindore, ecën ngadalë nga mungesa kuadrit ligjor në përputhje me standartet e BE. Korporata Financiare Ndërkombëtare, IFC, po realizon një projekt pilot.

Wasserkraftwerke Perucac
Hidrocentrai Perucac në Bosnjë HercegovinëFotografi: DW

Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnjë- Hercegovina kanë potenciale të mëdha natyrore për të ngritur dhe zhvilluar tregun e hidrocentraleve të vogla, si një burim energjie të rinovueshme dhe miqësore me mjedisin. Nisur nga këto potencialë, qeveritë e të tri vendeve kanë dhënë një numër të madh konçesionesh kompanive private vendase për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla.

Nebojsha Arsenijeviç, Menaxher Rajonal i projekti trepalësh sjell për programin shqip të DW shifra konkrete: “Në Shqipëri janë dhënë rreth 110 konçesione për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël, në Bosnjë- Hercegovinë rreth 250, në Maqedoni rreth 100. Në të trija vendet rreth 450 konçesione. Por shumë pak hidrocentrale janë ndërtuar: në Shqipëri vetëm një, në Bosnjë 15 kurse në Maqedoni asnjë,” thotë Nebojsha Arsenijeviç.

Hidrocentrali i BistricësFotografi: DW

Kjo situatë tregon se ndonëse potencialet në Ballkanin Perëndimor ekzistojnë për të prodhuar energji nga hidrocentralet e vogla, ato nuk janë vënë deri më sot në përdorim. Një sërë shkaqesh kanë penguar këtë proces. “Nga njëra anë të gjitha palët janë të ndërgjegjshme se energjia e rinovueshme është e ardhmja dhe prandaj qeveritë e të tri vendeve po përpiqen të hartojnë legjislacionin përkatës, në përputhje me standartet e BE. Nga ana tjetër në Shqipëri, B-H dhe në Maqedoni ka mungesë përvoje, mungesë kompanish të afta për të marrë përsipër ndërtimin e hidrocentraleve të vogla. Ndërtim i tyre do të mundësonte zhvillimin e sektorit privat, hapjen e vendeve të reja të punës pa folur këtu për mbrojtjen e mjedisit dhe kontributin ne reduktimin e emetimit të gazrave me efekt serrë. Ka edhe një faktor tjetër që po bëhet pengesë: Bankat lokale, që operojnë në këto tre vende janë disi konservatore dhe jo të gatshme për të ndërrmarrë riskun e financimit,” thotë menaxheri rajonal i projektit, Nebojsha Arsenijeviç.

Për të ndryshuar këtë situatë, IFC, po bashkëpunon me qeveritë dhe sektorin publik të të tri vendeve në përmirësimin e legjislacionit ekzistues dhe kuadrit rregullator. “Ndërtimi i hidrocentraleve të vogla përbën burimin më të rëndësishëm të energjisë së rinovuershme për vendet e Ballkanit Perëndimor. IFC po mbështet të treja këto vende për të patur një kuadër rregullator edhe për shfrytëzimin e burimeve të tjera tjera të rinovueshme të energjisë në përputhje me potencialet e zhvillimit të tyre ekonomik,” thotë Nebojsha Arsenijeviç.

International Finance Corporation

Zhvillim ekonomik- kriter për antarësimin në BE

Suksesi në bashkëpunimin trepalësh: Shqipëri, B-H dhe Maqedoni konsiderohet nga IFC si një shembull për t'u ndjekur edhe nga vende të tjera të rajonit për të krijuar tregun rajonal të energjisë së rinovueshme. Bryenne Tait, drejtuese e projekteve në këtë fushë për Europën Jug- Lindore thotë për programin shqip të DW: “Ky projekt mund të shërbejë vërtet si një shembull për rajonin. Eksporti i energjisë nga burime të rinovueshme, nga Shqipëria jo vetëm në vendet e Europës Jug- Lindore por edhe në vende të tjera si në Itali psh është i rëndësishëm.”

Kjo do të thotë burim të ardhurash dhe zhvillim ekonomik i vendeve të Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë antarësimin në BE. “Zhvillimi ekonomik është mjaft i rëndësishëm pasi është një nga kriteret e pranimit të këtyre vendeve në BE,” thotë Bryenne Tait.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW