1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projekt turistik i GTZ-së në alpet e Shqipërisë

10 Janar 2011

Pjesa e alpeve në skajin verior të Shqipërisë, e cila shtrihet dhe në territoret e Malit të Zi dhe të Kosovës është në fokusin e një projekti turistik rajonal nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Teknik, GTZ.

Pamje nga lumi Mat.
Pamje nga lumi Mat.Fotografi: Mimoza Dhima

Nëse do t'i referohemi shifrave të zhvillimit turistik për zonën malore të Thethit, rreth 65 km larg qytetit të Shkodrës, ato e tregojnë ndryshimin: gjatë vitit të kaluar ishin rreth 10 mijë vizitorë, në masën 90 për qind të huaj, të cilët shfrytëzuan kullat shtëpi të 22 familjeve me rreth 200 shtretër. Ndërkohë që 5 vite më parë, ata që vinin në këtë rajon të alpeve ishin vetëm disa qindra.

Kontributi i GTZ-së

Një kontribut të jashtëzakonshëm për gjallërimin e turizmit malor në rajonin e Thethit ka dhënë GTZ-ja gjermane. Duke bashkëpunuar me banorët e zonës, aplikimi i projekteve konkrete ka krijuar një infrastrukturë më atraktive, duke shndërruar kullat tradicionale në "guest houses". Thyerjet e papërsëritshme të terrenit malor, "monumentet" natyrore të virgjëra e krejt të veçanta janë në sinkron me mikëpritjen e banorëve, me mënyrën tradicionale të akomodimit, të ushqimit, të historisë së zonës etj.

Nga tri projekte kombëtare në një projekt rajonal

Por pjesa e alpeve vijon dhe në territorin e Malit të Zi dhe të Kosovës, ndaj GTZ-ja kërkon, që dinamikën turistike ta shikojë jo në tre pjesë të veçanta, si deri më sot, por ta vijojë në një optikë rajonale.

Zëvendësdrejtori për Shqipërinë i GTZ-së, Ismail Beka, tregon se kooperimi në këtë rast do të ishte edhe më efektiv dhe do të tërhiqte një numër më të madh turistësh.

Zëvendësdrejtori për Shqipërinë i GTZ-së, z.Ismail Beka, në bisedë me Deutsche Welle-n.Fotografi: DW

"Deri tani GTZ-ja bashkëpunontë me të tri vendet: me Shqipërinë, Malin e Zi e Kosovën. Pra, rreth alpeve ne vinim me tre projekte të veçanta. Prej këtej lindi ideja, që ky të bëhej një projekt rajonal, një projekt rajonal model, sepse në fokus ka krijimin e një shtegu, që të jetë i përbashkët. Nëse një turist kalon dy a tre ditë në një zonë të Shqipërisë atëherë kjo do të thotë, që të kalosh një tur 8 deri në 10 ditë në rajon. Ajo që synon ky projekt është që në rradhë të parë të krijojë një standart minimal të lidhur me gjithë këto rajone, me këto fshatra, siç është zona e Thethit, Valbonës, të Kelmendit, të Plavës, Rragamit, pra në të gjitha anët të ketë një minimum standarti për shërbimet, ofertën turistike, si dhe nga ana tjetër të ketë një nivel sigurie".

Sipas ekspertëve të GTZ-së kjo formulë do të ishtë më variabël dhe argëtuese për vizitorin. Marketingu, që do të bëhej nga të tre vendet do të ishte më i dukshëm dhe më joshës për ata, që pëlqejnë lëvizjen dhe qëndrimin në lartësi. Por kjo kërkon vijimin e përmirësimit infrastrukturor, për të lehtësuar udhëtimin jo vetëm nga një rrugë por nga disa të tilla. Ismail Beka përmend dhe nevojën e bashkëpunimit mes autoriteteve të kufirit mes tre shteteve në krijimin e lehtësive për kalimin e turistëve.

Nevojitet bashkëpunim ndërkufitar në fushën e sigurisë

“Kërkon vullnetin e të tre autoriteteve të rendit, të policive kufitare, që të krijojnë të tilla mekanizma që p.sh. turistët kur janë në Theth, të kenë të drejtë të kalojnë dhe në Mal të Zi nëpërmjet shtigjeve të kalimit nëpër alpe. Ideja është që të kalohet nëpër shtigje, të cilat kanë qenë tradicionalisht të tilla, por prej shumë vitesh nuk janë të hapura nga ekzistenca e pikave kufitare. Policitë e tre vendeve duhet të ndërtojnë mekanizma lehtësues, se si turistët të kalojnë në këto shtigje”, - thotë Beka.

Beka mendon se rasti i projektit rajonal të alpeve që shtrihen në tre vendet e rajonit, do të ketë efekte pozitive dhe për “zgjimin” e burimeve të tjera të turizmit malor, që shtrihen në pjesë të ndryshme të vendit. Kjo sipas tij, do ta orientonte industrinë turistike në të gjithë stinët e vitit.

“Krahas gjallërisë së vijës bregdetare në Adriatik e Jon, sidomos në periudhën e verës, do të tërhiqte turistë vendas dhe të huaj dhe në zonat malore. Eksperienca e vendeve fqinje është e frytshme”, - thotë Ismail Beka, zëvendësdrejtori për Shqipërinë i GTZ-së gjermane.



Autor: Arben Muka / Tiranë

Redaktoi: Eliana Xhani

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW