1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projektet kulturore të Institutit Goethe në Shqipëri

8 Gusht 2011

Instituti Goethe në Shqipëri ka dinamizuar sistematikisht projektet dhe tashmë po orientohen në nivel rajonal, duke nxitur bashkëpunimin kulturor mes vendeve të Evropës Juglindore.Goethe Institut Tirana

Brigitta Grau-Günther, referente e Institutit Goethe për Shqipërinë dhe drejtoreshë e Deutschzentrum Tirana
Brigitta Grau-Günther, referente e Institutit Goethe për Shqipërinë dhe drejtoreshë e Deutschzentrum TiranaFotografi: DW

Më shumë qytetarët shqiptarë duket se e identifikojnë Institutin Goethe me veprimtarinë e Deutschzentrum (Qendra e Gjermanishtes) që funksionin prej vitit 2001 në Tiranë. Është një ambjent që mbledh në çdo orë të ditës qindra të rinj, nxënës e student, por dhe nga mosha të tjera. Fillesat e projekteve të Institutit Goethe në fakt janë në sinkron me fillesat e vetë këtij institucioni të njohur gjerman që u themelua 60 vjet më parë në Mynih.

Mësimi i gjuhës gjermane me metodat më të avancuara

Për çdo ditë selia e Deutschzentrum Tirana frekuentohet mesatarisht nga 100 vetë, por në periudha të veçanta ky numër dyfishohet. Synimi i Enki Kalemit, maturant në njërin prej gjimnazeve kryesorë të Tiranës është kursi intensiv i gjermanishtes, pasi ai ka në plan të studjojë jashtë vendit. “Synimin e kam që të shkoj të studjoj në Austri, të qëndroj një vit aty që ta konsolidoj sa më mirë gjuhën me të folur dhe të shkruar dhe më pas të vijoj me universitetin në Gjermani. Ndaj dhe po punoj fort tani me gjuhën gjermane”.

Instituti Goethe TiranëFotografi: DW / Muka

Për Megi Këllezin kurset e Deutschzentrum janë më cilësorët dhe këtë vlerësim ajo e ka nga motrat e saj që kanë studjuar më parë këtu për 5 vite rresht. “E ndjej veten mirë sepse kam mësuar shumë gjëra dhe kam avancuar me gjermanishten. Po e mësoj që ta kem një gjuhë tjetër, sepse gjermanishtja po bëhet një gjuhë shumë e përhapur”. Kurse për Kevin Lamllarin gjëja që e tërheq më shumë janë “metodat të hartuara me diskutime e ushtrime që na i përforcojnë mënyrat e të folurit, të të shkruarit me gramatikë etj”.

Por kurset e gjuhës nuk ndiqen vetëm nga ata që synojnë të studjojnë jashtë vendit. Psh., Eraldo Skënderasi ka punuar për disa kohë në një kompani austriake me aktivitet në Shqipëri. Së fundi jeta e tij ka marrë një rrjedhë tjetër qysh kur është njohur me një vajzë gjermane. “Njohuritë e gjermanishtes mu dukën të pamjaftueshme pas kësaj. Gjuha është thelbi i një marrëdhënie kur vendos të krijosh familje. Më pas unë do t'i mësoj partneres time shqipen…”, tregon ai duke qeshur.

Alketa Kuka, koordinatore projektiFotografi: DW / Muka

Një grup i veçantë nga ata që mësojnë gjermanishten janë dhe një grup mjekësh nga qëndra spitalore universitare “Nënë Tereza”, të cilët presin që ta ushtrojnë profesionin e tyre në Gjermani. Mirjeta Guni, mjeke endokrinologji prej 5 viteve, thotë se “aktualisht diplomat e Shqipërisë po njihen si ato të vendeve të tjera dhe nevojitet vetëm niveli B2 i gjermanishtes për të cilin ne kemi rreth 10 muaj që përgatitemi”. Mësuesja e tyre e gjermanishtes Erjola Daci ka bërë më parë disa kualifikime në Gjermani e Austri. “Ajo që e bën te lehtë dhe interesante mësimin këtu tek ne është se me kursantët qysh në orët e para flitet kryesisht gjermanisht, kjo nënkupton që ju heq atyre gradualisht barrierat e të shprehurit. Dhe ndjenja se ata kanë mundësi të thonë diçka e bën më të lehtë punën e tyre, por dhe punën tonë”.

Në Deutschzentrum aktivizohen ka një personel prej rreth 30 vetësh me kohë të plotë dhe të pjesshëm. Alketa Kuka, kordinatore e projekteve thotë se në varësi të zgjerimit të aktivitetit ky numër mund të jetë edhe më i madh. “Si një asnjë institucion tjetër ne ju ofrojmë mësuesve të gjermanishtes kudo në Shqipëri asistencë kualifikuese, trajnime e specializime, mbështetje me literaturë nga më e fundit etj.”

Kurse të gjuhës gjermaneFotografi: DW / Muka

Promovimi i vlerave të përbashkëta evropiane

Brigitta Grau-Günther, referente e Institutit Goethe për Shqipërinë dhe drejtoreshë e Deutschzentrum Tirana shpjegon se mësimdhënia e gjermanishtes është njëri aspekt i punës. Sipas saj aktiviteti i Institutit Goethe në mbarë botën orientohet në bazë të disa objektivave të përgjithshme globale, por përtej këtyre objektivave ka dhe ato me fokus më rajonal, në varësi të specifikave konkrete. “Ajo që është tipike për rajonin e Evropës Juglindore është se kemi një sërë vendesh që janë në proces ndryshimi. Pikërisht Instituti Goethe kërkon të japë një kontribut për promovimin e vlerave të përbashkëta evropiane, pra duke i shoqëruar këto vende aspirante në procesin e anëtarësimit në BE. Duke promovuar vlerat e përbashkëta, por dhe duke nxitur vlerat që janë të vecanta për secilin vend, pasi dhe kjo është shumë interesante”-thotë për DW, Brigitta Grau - Günther.

Ajo merr si shembull disa projekte të kësaj natyre. Psh. 2 të rinj nga Shqipëria i janë bashkuar prej kohësh kolegëve të tyre nga vendet e Evropës Juglindore në Berlin. Zhvillojnë takime me berlinezët, intervista, njohin më shumë historinë e kryeqytetit, por dhe të gjithë Gjermanisë. Një tjetër angazhim me natyrë rajonale është projekti nën titullin domethënës “Guxim për të kujtuar”. Tekste nga autorë të ndryshëm të Evropës Juglindore janë hedhur në një hapësirë të posaçme on line, ku në përmbajtje të tyre ka dhe fragmente që evokojnë me kurajo të kaluarën me përshtjellime e konflikte. Tekstet janë të përkthyera në të gjitha gjuhët e Evropës Juglindore në mënyrë që diskutimi të ishte sa më i gjallë dhe dinamik mes pjesmarrësve.

Intituti Göthe, TiranëFotografi: DW / Muka

Pas disa muajsh pritet të nisë një projekt tjetër, quajtur “Dhoma Berlineze” (Berliner Zimmer). Është fjala për një ekspozitë e cila do të mbledhë punime të artistëve nga Evropa Juglindore. Janë artistë që kanë punuar ose vijojnë të punojnë në kryqytetin gjerman. Duke u nisur nga karakteristikat e papërsëritshme që ka në të vërtetë një dhomë berlineze nga pikpamja e ndërtimit të saj arkitekturor, projekti nënkupton një fluks komunikimi ndërkulturor jo vetëm Shqipëri – Gjermani, por dhe vetë mes shteteve të Evropës Juglindore, si ndërtim urash bashkëpunimi për të shikuar përpara dhe për të shuar e evituar konfliktet.


Ideja e themelimit të një unioni të instituteve evropiane të kulturës


“Tashmë kemi filluar një bashkëpunim intensiv me institutet e tjera të kulturës evropiane të përfaqësuara në Tiranë. Kemi patur shumë kontakte e diskutime dhe frytet priten të shihen vitin tjetër. Mendohet të realizohet ajo që ekziston në vende të tjera, me një fjalë themelimi i një unioni të instituteve evropiane të kulturës këtu në Shqipëri”, thotë Brigitta Grau - Günther.

Projektet e Institutit Goethe në Shqipëri materializohen dhe në partneritet me partnerë nga Gjermania, si Shërbimi i Shkëmbimit Akademik Gjerman, Zyra Qëndrore për Arësimin Jashtë Gjermanisë, Ambasada Gjermane etj., me partnerë shqiptarë, si Akademia e Arteve të Bukura, Galeria e Arteve, Akademia e Multimedias “Marubi”, Teatri i Operas dhe Baletit etj., si dhe me institucione homologe nga vendet e tjera evropiane.

Për publikun shqiptar është i mirënjohur roli dhe ndikimi i shoqatës kulturore gjermano shqiptare “Robert Schwartz” që drejtohet nga publicisti dhe studiuesi Ardian Klosi. Shoqata duke bashkëpunuar me Institutin Goethe është shndëruar në një nga promotorët e përhapjes se kulturës gjermane në Shqipëri dhe njohjes së kulturës e artit shqiptar në Gjermani. Shoqata prej vitesh po mban peshën kryesore në aktivitetet që janë kthyer tashmë në një traditë në Shqipëri, që njihen si axhenda kulturore “Tetori Gjerman”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama