1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projekti i Shqipërisë anëtarësimi në Nato dhe BE

8 Shkurt 2006

Intervistë e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhënë shefit të redaksisë shqipe të radios Deutsche Welle, Fabian Shmid.

Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë
Sali Berisha, Kryeministër i ShqipërisëFotografi: AP

Fabian Shmid: Zoti kryeministër, Konferenca e Sigurisë në Mynih u dominua nga programi atomik iranian dhe protestat pas botimit të disa karikaturave në një gazetë daneze. Çfarë do të thonë këto zhvillime për sigurinë?


Sali Berisha: Unë besoj se fjala e kancelares Merkel ishte një mesazh shumë i rëndësishëm, i qartë dhe ridimensionues për problemet që kancelarja trajtoi. Bashkohem plotësisht me mendimin e saj për një qëndrim të prerë ndaj Iranit, i bindur se Irani nuklear përbën një rrezik shumë të madh serioz për paqen dhe stabilitetin në një rajon me shumë probleme, por dhe më gjerë. Sikundër duhet të dënoj ashpër aktet e dhunës dhe vandalizmit, të cilat kanë shpërthyer në disa vende, duke patur si preteks zemërimin për disa karikatura të botuara në një gazetë daneze. Këto janë dëshmira tipike të shoqërive totalitare, të shoqërive të manipuluara, të cilat nuk kuptojnë se liria e besimit dhe liria e shprehjes së mendimit janë dy binjakë, që nuk mund të ekzistojnë realisht pa njera tjetrën, dhe që janë të domosdoshme për çdo shoqëri të lirë.

Fabian Shmid: Si mund të kontribuojë Shqipëria për sigurinë kolektive në një botë të pasigurt?


Sali Berisha: Shqipëria ka një projekt. Projekti i saj është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, anëtarësimi i Shqipërisë në Nato dhe unë i jam mirënjohës kancelares, e cila në mënyre eksplicite, tek trajtonte problemin e Natos përmendi edhe Shqipërinë si vend-kandidat për t`u anëtarësuar në organizatën e Atlantikut të Veriut. Ky është projekti i Shqipërisë. Sikundër duhet të theksoj se këtë projekt Shqipëria është e vendosur ta meritojë, pra të punojë seriozisht për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, për të konsoliduar institucionet demokratike dhe lirinë e tregut, më nënyrë që me dinjitet të anëtarësohet në këto dy organizata.

Fabian Shmid: Kancelarja gjermane Angela Merkel ka sugjeruar që roli i Natos të forcohet përtej kufijve tradicionalë të Aleancës. A mund të luajë Nato si forum i sigurisë së botës demokratike një rol të ri?


Sali Berisha: Unë mendoj se Nato nuk ka të zëvendësuar në rolin e saj si lider në garantimin e sigurisë në aspektin global. Mendoj se Konferenca e Sigurisë në Mynih, Kancelarja Merkel, Sekretari i Përgjithëm Skefer, Donald Rumsfeld dhe personalitete të tjera theksuan qartë se Nato është në transformim e sipër dhe se në këtë proces Nato është ndeshur me forma bashkëpunimi shumë të rëndësishme. Po rikujtoj këtu Afganistanin, ku trupa të Natos bashkëpunojnë dhe janë në të njëjtin territor dhe njësi me ato australiane. Ajo çka doli aty ishte domosdoshmëria e një forumi të bashkëpunimit më të gjerë sesa ai aktual. Që të ekzistojë një forum i bashkëpunimit të Natos me vendet e Paqësorit, me vendet e Azisë dhe që të mund të koordinojnë bashkëveprimin e tyre për paqen dhe sigurinë në botë.

Fabian Shmid: Ka një ndryshim linje nga qeveria e kaluar gjermane tek kjo e sotme. Z. Shrëder kishte bërë moto të tij zhvillimin e një identiteti evropian për sa i përket mbrojtjes. Zonja Merkel thekson më shumë relevancën e Natos për të përballuar sfidat globale. A ekziston ndonjë konkurencë ndërmjet një sistemi evropian mbrojteje dhe Natos?

Sali Berisha: Unë mëndoj se nuk ekziston ndonjë konkurencë dhe mendoj se kancelarja ishte shumë e qartë në mesazhin e saj dhe qëndrimin e Gjermanisë. Gjermania kërkon një ridimension, reformim dhe ridimensionim të rolit të Natos në botë. Natyrisht forcat e Bashkimit Europian, të një ndërhyrjeje të shpejtë, të operacioneve më të lehta nuk janë forca të cilat rivalizojnë Naton në kuptimin e vërtetë të fjalës. Gjykoj se Kancelarja shtroi me të drejtë rritjen e investimeve sa i përket teknologjisë dhe zhvillimit të mundësive të mëtejshme të vendeve europiane, në mënyrë që Europa të mund të jetë një parnter i vërtetë real i bregut të këtejmë të Atlantikut.

Fabian Shmid: Çfarë prioriotetesh vë qeveria shqiptare këtë vit për sigurinë në rajonin e Europës juglindore?

Sali Berisha: Shqipëria është e përkushtuar për intensifikimin e bashkëpunimit miqësor rajonal, me të gjitha vendet, pa përjashtim, përfshirë këtu edhe Serbinë. Natyrisht problemi madhor i rajonit mbetet statusi përfundimtar i Kosovës, për të cilën Shqipëria mban një qëndrim realist. Ne jemi të bindur se respektimi i lirive dhe të drejtave të minoriteteve në Kosovë, decentralizimi, dialogu Prishtinë- Beograd për probleme të tjera përveç statusit, dhe pavarësia e Kosovës është rruga e stabilizimit të rajonit. Si kundër me shumë përgjegjësi dhe kënaqësi theksojmë se udhëheqja aktuale e Kosovës është e vendosur të vazhdojë rrugën e Presidentit Rrugova, është unike, është shumë e përkushtuar për respektimin e lirive dhe të drejtave të serbëve dhe për t`i garantuar ato, është shumë e përkushtuar dhe do të paraqesë para komunitetit ndërkombëtar një platformë vërtet shumë serioze të decentralizimit, ajo mbetet e hapur për dialog. Pra unë mendoj se do të ketë zhvillime të mëdha pozitive në drejtim të paqes dhe stabilitetit në rajon. Dhe i tillë do të jetë edhe referendumi i Malit të Zi me kusht që ai të plotësojë të gjitha standartet e një procesi votues të lirë dhe të ndershëm.

Fabian Shmid: A mendoni se bisedimet mund të përfundojnë gjatë këtij viti?

Sali Berisha: Unë kam shumë besim se ish presidenti Artisahri do ta përfundojë misionin e tij me sukses.

Fabian Shmid: Kur erdhët në pushtet deklaruat se do të luftoni kriminalitetin e organizuar. A keni mundur të shkëmbeni përvoja në këtë fushë në Konferencën e Mynihut?

Sali Berisha: Kjo përbën një prioritetet shumë madhor dhe jam i angazhuar para shqiptarëve por dhe miqve tanë në Europë dhe kudo, se do ta luftojë me zero toleranc krimin e organizuar. Unë isha në Bavari dhe takova shumë miq të qeverisë bavareze, të cilët miqësisht me thanë se këtu kriminaliteti turk është zëvendësuar nga ai shqiptar. Dhe unë jam shumë i vendosur që të bashkëpunoj me qeverinë gjermane me qeverinë bavareze, me qeveritë e vendeve mike me të gjitha agjensitë e zbatimit të ligjit të këtyre vendeve, në mënyrë që t`i japim përgjigjen e merituar ligjore krimit të organizuar.