1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prona tek i zoti, apo tek ai që e punon?

29 Gusht 2011

Një projekt për regjistrimin e pronave në bregdetin e Jonit, i financuar nga BE dhe i menaxhuar nga OSBE, synon të zgjidhë problemin e titujve të pronësisë në këtë zonë me potenciale të larta turistike.

Fusha në Bregdet
Fusha në BregdetFotografi: DW

A do të jenë të dhënat e përftuara nga ky projekt bazë për anullimin apo mbetjen në fuqi të ligjit 7501, që veproi edhe në këtë zonë turistike duke e ndarë pronën sipas parimit "toka i përket atij që e punon"? Kanë kaluar rreth 20 vjet nga zbatimi Ligji 7501. Në këtë hark kohor ai ka dëshmuar se nuk realizoi dot një nga të drejtat themelore të njeriut: pronën tek i zoti.

Irini Bua, banore në zonën e bregdetit të Jonit, thotë se zbatimi i tij u shoqërua edhe me abuzime, që rënduan situatën e pronarëve të ligjshëm. Ajo u është drejtuar Gjykatave për të marrë pronën e saj, të grabitur me dokumenta të fallsifikuara: “Është abuzuar në masë. Janë vjedhur me mijëra metra. Janë vënë në grindje fshatarët me njëri-tjetrin. Janë krijuar konflikte sociale, që mund të arrijnë deri në vrasje. Çështja ime është tani në Gjykatën e Kasacionit. Po kërkoj drejtësi. Dhe dua të besoj që ka drejtësi”, thotë Irini Bua.

Për të bërë drejtësi duket se synon të kontribojë edhe projekti i BE, për regjistrimin e pronave në zonën e bregdetit të Jonit, që shtrihet nga Llogaraja deri në kufi me Greqinë. Ky projekt menaxhohet nga OSBE dhe është financuar me 1, 5 milion euro nga BE dhe 186 mijë euro të tjera nga SHBA, Republika Çeke, Zvicra dhe Greqia. Realizimi i tij ka të bëjë me mbledhjen e të gjitha dokumentave ligjore, që kanë banorët e kësaj zone lidhur me pronat e tyre. Në proces merr pjesë edhe Shoqata “ Bregdeti”, që mbron interesat e pronarëve të ligjshën të kësaj zone. Thoma Rusha, anëtar i kryesisë së kësaj shoqate, shpjegon se cilat dokumenta konsiderohen të vlefshme për të paraqitur pretendimet për pronat: “Do të merren në konsideratë dokumentat e Kadastrës së vitit 1946- 1952 dhe çdo lloj dokumenti arkivor i kohës së Zogut. Po kështu ato të para reformës agrare të vitit 1946”, thotë Z. Rusha.

Proces transparent dhe përfshirës

Fusha pranë Sarandës me malin Gjere në sfond.Fotografi: picture-alliance / prismaarchivo

John Keefe, jurist,i kontraktuar nga OSBE për të menazhuar këtë projekt thotë për programin shqip të DW se procesi i mbledhjes së dokumentave do  të jetë transparent dhe përfshirës:“Është një situatë e ndërlikuar, një situatë që nuk është bardh e zi. Njerëzit janë të zhgënjyer, ngaqë ka patur mungesë transparence. Përqasja e OSBE në këtë projekt është të bëjë të mundur që ai të jetë i hapur dhe transparent,  ku njerëzit të paraqesin dokumentat dhe pretendimet e tyre dhe të marrin pjesë në këtë process sa më shumë që të jetë e mundur, që gjithkush të shohë, sesi ai po ecën, çfarë pretendimesh ka secili”, thotë Z. John Keefe.

Të gjitha të dhënat dhe dokumentat për pronësinë e tokës bujqësore do të vendosen në një sistem të menaxhueshëm, gjë që do t'u japë mundësi grupeve të interesit të dialogojnë dhe të shohin se ku qëndrojnë problemet, thekson John Keefe.

Projekti i BE dhe Ligji 7501

Zbatimi nga OSBE i këtij projekti vë në diskutim edhe fatin e ligjit 7501.

Shoqata” Bregdeti” i bashkohet qëndrimit të shoqatës “Pronësi me drejtësi” dhe kërkon anullimin e tij.  Argumenti kryesor është neni 45 i Kushtetutës, i cili të drejtën e pronës e sanksionon vetëm, kur “ajo fitohet përmes dhurimit, trashëgimisë apo blerjes.” Thoma Rusha, anëtar i kryesisë së shoqatës” Bregdeti” thotë për programin shqip të DW se ligji 7501 me parimin e tij “toka i takon atij, që e punon” nuk respekton Kushtetutën. “Ky ligj bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ligji 7501 nuk ka më fuqi të veprojë. Ai nuk mund as të retushohet, sepse bie ndesh  me Kushtetutën.”

Fotografi: DW

Juristi John Keefe, menaxher i projektit të BE,  mendon se situata në terren sugjeron kompromisin: “Nuk ka një konsensus për ligjin 7501.  Ka një spektër qëndrimesh ndaj këtij ligji. Ka nga ata, që e kundërshtojnë në parim ligjin 7501 dhe kërkojnë kthimin e të gjithë tokës bujqësore, që është prona e tyre. Të tjerë e konsiderojnë ligjin si një  zgjidhje të arsyeshme, nisur nga kushtet e Shqipërisë në vitin 1991. Këta e mbështesin ligjin, por kundërshtojnë abuzimet, që janë bërë në zbatimin e tij. Nëse do ta krahasoja zgjidhjen e situatës së pronësisë në këtë zonë me një lojë, ku njëra palë fiton gjithshka dha pala tjetër humb gjithçka, do të thoja që kjo nuk çon në zgjidhje të qëndrushme, pasi duhet të ketë konsensus dhe kompromis.”

OSBE jep sugjerime, autoritetet shtetërore shqiptare marrin vendime

Procesi teknik i mbledhjes dhe menaxhimit të dokumentave ligjore të  pronarëve të ligjshëm në zonën e bregdetit të Jonit përfundon në dhjetor të këtij viti. Në përfundim të tij OSBE do të japë rekomandimet e saj për zgjidhjen e çështjes së pronësisë  në këtë zonë, të njohur edhe si Riviera e Shqipërisë.“Marrja e vendimeve është në dorë të institucioneve shtetërore shqiptare. Ajo që OSBE u thotë pronarëve në zonën e bregdetit të Jonit është: nëse keni pretendime për pronësi mbi tokën sillni çdo dokument, që keni, OSBE do t'i mbledhë këto dokumenta në një process transparent dhe gjithëpërfshirës, do t' i menaxhojë ato përmes një përqasjeje teknike, në mënyrë që vendimmarrësit në Shqipëri të shohin se cila është situata aktuale në terren. Në fund të fundit është përgjegjësia e institucioneve shtetërore të marrin vendimet përfundimtare”, thotë John Keefe. 

Opcionet e shoqatës” Bregdeti”

Por shoqata ”Bregdeti” e pronarëve ka përcaktuar tanimë zgjidhjet, për të cilat ajo si pjesë e procesit do të luftojë të realizohen.“T'u jepet toka pronarëve të ligjshëm në bazë të dokumentave, që ata disponojnë, të kompensohen me toka në pronësi të shtetit ata pronarë legjitimë, kur një pjesë e pronës së tyre është zënë nga ndërtime ilegale dhe së fundi ata banorë rezidentë në bregdetin e Jonit, që trashëgojnë nga prindërit e tyre më pak tokë, nga sa kanë nevojë për të jetuar, të kompensohen me toka në pronësi të shtetit në bregdetin e Jonit, pasi  këto toka po përdoren tani vetëm për qëllime turistike”, thotë Thoma Rusha.

Dhënia e titujve të pronësisë në këtë zonë me potenciale të larta turistike do të zgjidhë edhe ngërçin e investitorëve të huaj, që ngurrojnë të investojnë në kushtet aktuale.  


Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica

 

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW