1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prostitucioni i të miturve

S. Höppner/Eliana Xhani5 Gusht 2013

Prostitucioni me fëmijë lidhet kryesisht me turizmin e seksit në vende si p.sh. Tailanda. Por ai ekziston edhe në Gjermani dhe ka pak të dhëna për përmasat e tij dhe fenomenin.

Symbolbild sexuelle Gewalt Prostitution Menschenhandel Zwangsprostitution
Foto simbolikeFotografi: picture alliance / Photoshot

Që në Gjermani ekziston prostitucioni i fëmijëve, nuk kundërshtohet, por përmasat e fenomenit janë të panjohura. "Ka shumë pak informacione për prostitucionin e fëmijëve, pasi thjesht na mungojnë të dhënat, faktet dhe shifrat", thotë Mechtild Maurer, drejtore e Grupit të Punës për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Shfrytëzimi seksual (ECPAT). Por informacionet më të mira janë të domosdoshme për luftimin e fenomenit.

Problemi: nga një anë statistikat e kriminalistikës të policisë nuk janë të detajuara sa duhet. Kështu ato japin informacion për dhunën seksuale dhe abuzimin, por jo për strukturat që qendrojnë pas tyre. Nga ana tjetër prostitucioni i fëmijëve zhvillohet në fshehtësi. Në bordelle, klube dhe banesa të marra me qera enkas për prostitucion rrallë ndesh të mitur. Për këtë arsye mbledhja e të dhënave është e vështirë. Ka vetëm pak pika referimi. Një është p.sh. ky: një në njëmbëdhjetë persona që i janë drejtuar për ndihmë shoqatës Misioni i Mesnatës në Dortmund, i cili bashkëpunon ngushtë me mjedisin e prostitucionit, ka qenë i mitur. Gjithsej në gjithë Gjermaninë sipas shoqatës Hydra janë deri 400.000 persona që ushtrojnë prostitucion. Edhe njohuritë për klientët janë të kufizuara. Ajo që dihet është se janë kryesish burra mbi 40 dhe vijnë nga të gjitha shtresat shoqërore.

Pjesa më e madhe nga Gjermania

Informacionet e disponueshme, edhe pse jo të plota, tregojnë se shumë paragjykime për prostitucionin janë të gabuara. "Ne dimë se prostitucioni me fëmijë është shumë më i larmishëm nga sa supozohet", thotë Maurer. Në BE tregtia me njerëz është një biznes miliardësh. Por viktimat nuk janë vetëm vajza p.sh. nga Evropa Lindore dhe Afrika, por edhe shumë gjermanë. Organizata humanitare gjermane Misioni i Mesnatës vlerëson se rreth dy të tretat e të rinjve të cilëve u ofrojnë ndihmë, përsa kohë nuk ushtrojnë prostitucion në kuadër të tregtisë me njerëz, janë nga Gjermania.

Prostitucioni me fëmijë - foto simbolikeFotografi: imago/EQ Images

Disa prej tyre kanë një jetë të përditshme të rregullt, e ushtrojnë prostitucionin në kohën mes shkollës dhe darkës. Ndërsa të tjerë vijnë nga mjedisi i drogës, duhet të financojnë me prostitucion varësinë nga droga dhe shpesh janë të pastrehë. Edhe rrugët deri te prostitucioni janë të ndryshme: djemtë dhe vajzat hyjnë në rrugën e prostitucioni ose përmes të njohurish dhe të afërmish ose përmes burrash dhe grash të panjohur, të cilët fitojnë besimin e të rinjve me dredhi të ndryshme.

Loverboys për vajzat, banesa të hapura për djemtë

Një nga mënyrët që përdoren për të shtyrë vajzat e reja drejt prostitucionit janë për shembull të ashtuquajturit "loverboys", thotë Silvia Vorhauer, punonjëse sociale pranë Misionit të Mesnatës. "Loverboys janë kryesisht burra të rinj të cilët kërkojnë dhe afrohen qëllimisht me vajza në moshën e pubertetit, në shkolla, klube dhe diskoteka, dhe i bëjnë ato për vete emocionalisht me sjellje tërheqëse." Vajzat tërhiqen nga sjellja e djemve të rinj, bien në dashuri.

Më vonë gjatë lidhjes ato izolohen gjithnjë e më shumë nga shoqëria e tyre dhe familja, dhe loverboy bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për to. Në fund ai i tregon vajzës për "problemet" me të cilat gjoja përballet, tregon Vorhauer. P.sh. që ka borxhe loje dhe kërcënohet nga personat të cilëve u ka borxh. Vajza duhet t'i vijë në ndihmë sa më shpejt të dashurit duke siguruar para. Shumë vajza bien në këtë grackë dhe në fund përfundojnë në prostitucion.

Krahas vajzave edhe djemtë po bëhen gjithnjë e më shumë viktimë e prostitucionit, thotë Maurer. Por mënyrat për tërheqjen e djemve janë ndryshe: ata ftohen në shtëpi të ashtuquajtura të hapura, të cilat shërbejnë fillimish si pika takimi. "Djemtë ftohen për të luajtur, ka lojëra të ndryshme nga futbolli në tavolinë e deri tek lojrat elektronike, shihen filma e më vonë edhe filma pornografikë", thotë Maurer. Djemtë e rinj hyjnë në shoqëri me burrat që i rekrutojnë dhe madje miqësohen. Këtë miqësi "rekrutuesit" e shfrytëojnë për t'i shtyrë të rinjtë drejt prostitucionit. Shumë prej të rinjve pranojnë pasi gjenden nën trysni.

Dalja nga rruga e prostitucionit e vështirë

Kontakti me të prekurit është i vështirë. Shumë rrallë i drejtohen ata me inisiativën e vet një organizate humanitare. Shpesh janë të afërmit si p.sh. motra që kanë dyshime dhe i drejtohen shoqatave si Misioni i Mesnatës. Ky është hapi i parë por rruga deri në daljen nga prostitucioni është e gjatë. Kjo ka të bëjë edhe me faktin se shumë të rinj nuk e kuptojnë seriozitetin e gjendjes së rrezikshme ku ndodhen dhe e vlerësojnë madje pozitivisht ushtrimin e prostitucionit.

Prostitucioni në GjermaniFotografi: picture-alliance/dpa

"Është një fenomen të cilin e quajmë 'euforia e fillimit'. P.sh. vajzat të cilat ndodhen në mes të pubertetit, si rregull i kundërvihen të gjitha rregullave dhe normave të shoqërisë së të rriturve, me prostitucionin thyejnë një tabu dhe kjo rezulton madje edhe fitimprurëse", shpjegon punonjësja sociale Vorhauer. Veç kësaj vajzat shpesh kanë frikë se me largimin nga prostitucioni merr fund edhe lidhja me të dashurin dhe për këtë arsye u shmangen punonjësve socialë. Në këto kushte ndihma është e mundur vetëm kur vajzat e dëshërojnë vetë një gjë të tillë. Më e rëndësishmja është të mos dëmtohet marrëdhënia e besimit reciprok, thotë Vorhauer.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW