1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protestë në Maqedoni

Fatos Musliu7 Gusht 2006

Aktivistë dhe simpatizues të BDI-së dhe PPD-së dhe qytetarë të indinjuar në mëngjesin e sotëm për gjysëm ore kanë bllokuar rrugët magjistrale nga Struga e deri në Kumanovë

Shkupi
ShkupiFotografi: DW

Qyteti i Shkupit ishte i bllokuar në hyrje -dalje të magjistrales Shkup-Tetovë dhe Shkup-Kumanovë ndërsa grupe protestuesish kishin bllokuar edhe kryqëzimet kryesore brenda qytetit. Arsyeja e protestës ka të bëjë me mospërfshirjen e koalicionit BDI-PPD në Qeverin e ardhëshme, edhe pse ky koalicion ka fituar shumicën e mandateve nga elektorati shqiptar në zgjedhjet parlamentare të 5 korrikut.

"Mandatari që duhet ta formoj qeverinë nuk e përfill votën shqiptare, nuk e përfill verdiktin e popullit shqiptar, ai ka mandatin e popullit maqedonas, mirëpo në të njejtën kohë nuk ka mandatin e shqiptarëve. Ne me protesta tregojmë se kjo Qeveri nuk ka legjitimitet tek populli shqiptar, sepse ajo shkel dinjitetin dhe përbuz voten shqiptare ", vlerëson Izet Mexhiti kryetar i Komunës së Qairit. Gjithnjë sipas tij, protestat janë masa të para të ndërrmara dhe ai beson se protestat do të kenë efektin e tyre për t'u kthjelluar disa politikanë ultranacionalistë, të cilët sipas Mexhitit kanë rrethuar mandatarin Nikolla Gruevskin.

Kryetari i Këshillit protestues, Bekim Neziri, thotë se mospërfshirja e BDI-së në Qeveri paraqet mosrespektimin e 120.000 votave të elektoratit shqiptar: "Këto protesta nëse nuk kanë fryte në te ardhmen, atëherë të njëjtat do të radikalizohen, dhe kjo do të jetë e vetmja mënyrë që Nikolla Gruevski të kujtohet dhe t'i thërrasë strukturat e BDI-së si të vetmit legjitime për të biseduar në vendin ku duhet e jo në rrugë si kemi dalë sot".


Në protesta ishin të pranishëm edhe qytetarë të cilët janë të mendimit se vota e 5 korrikut është përbuzur nga mandatari Nikolla Gruevski. "Fituesit duhet të respektohen .Mosrespektimi i fituesit nuk është mirë për shqiptarët. Me tre ministra çfarë do të arrijë populli shqiptar, kë do ta përfaqësojnë ata - Gruevski nuk do ti përfill ata"- thotë një qytetar pjesëmarrës në protesta.

Ndërkohe, PDSH, e cila do të jetë pjesë e koalicionit të ri Qeveritar, përmes një kumtese ka dënuar organizimin e protestave dhe i ka bërë thirrje BDI-së që të mos manipulojë me popullatën shqiptare dhe ta kuptoj realitetin se ajo në të ardhmen duhet të jetë parti opozitare.