1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

051109 GM Opel Proteste

5 Nëntor 2009

Mijëra punëtorë të Opelit në Gjermani nisën protestat kundër planeve të General Motors-it, që të shkurtojë rreth 10.000 vende pune në Evropë. Vetëm në qendrën e Opelit në Ryselhajm kanë protestuar rreth 10.000 punëtorë

Opelasit protestojnë në Ryselshajm
Opelasit protestojnë në RyselshajmFotografi: DPA

Kredinë e përkohshme me një shumë prej 1,5 milliardë Euro General Motors duhet ta kthejë komplet deri në fund të nëntorit dhe kjo është e qartë. Por se çfarë ka ndërmend të bëjë GM me Opelin kjo nuk është e qartë. Koncerni ka njoftuar se për rigjenerimin janë të domosdoshme tre miliardë Euro. Detaje të tjera nuk dihen. Kështu edhe drejtuesi i këshillit të përgjithshëm të ndërmarrjes Klaus Franz nuk mund të shprehet qartë:

"Ne e njohim planin e mëparshëm bazë të General Motors. Ai synon mbylljen e tri uzinave në Evropë, shkurtimin e mijëra vendeve pune në një formë krejt tjetër nga sa do të ndodhte në rastin e Magnëa dhe Sberbank. Nëse ky plan do të shtrohet për diskutim apo jo, këtë nuk mund ta them në këto momente. Prandaj ka një pasiguri të pabesueshme."

General Motors ka njoftuar tashmë se do të shkurtojë 10 mijë nga 50 mijë vendet e punës tek Opeli në Evropë. Po kërkohen alternativa kundrejt mbylljes së uzinave në Bochum dhe Eisenach. Sipas menaxherit të GM, John Smith, për uzinën në Anvers të Belgjikës nuk ka thuajse fare shpresa. Për ekspertin e automobilëve, Christoph Sturmer nga Instituti Global Insight kundrejt mbylljes së uzinave nuk ka alternativa.

"Mbyllja e uzinave është thuajse e paevitueshme. Kostoja si dhe kompleksiteti i njësisë prodhuese evropiane të GM janë tani për tani shumë të larta dhe për këtë duhet punuar."

Greva paralajmëruese në RyselshajmFotografi: DPA

GM kërkon nga punonjësit një kontribut për rigjenerimin e ndërmarrjes që do të jetë po aq sa ishte rënë dakort edhe me Magnën. 265 milionë Euro është shuma që donin të kursenin të punësuarit çdo vit në qoftë se Magna do të fitonte të drejtën të kontrollonte Opelin. Në qoftë se nuk do të arrihet një rezultat i ngjashëm në bisedimet midis përfaqësuesve të punëmarrësve dhe General Motors, atëhere Opeli rrezikon falimentimin, bëhet e ditur nga GM. Përveç kësaj GM do t´u lutet për ndihmë shtetit gjerman dhe shteteve e tjera evropiane. Drejtori i këshillit të ndërmarjes së Opelit, Klaus Franz ka thënë tashmë se për t´u kthyer thjesht tek GM nuk do të ketë kontribute nga nga punëmarrësit. Po ashtu ai nuk mund të përfytyrojë që qeveria federale dhe landet të ndihmojnë financiarisht GM.

"Unë besoj se General Motors nuk e ka menduar deri në fund çështjen e financimit. Ajo që dyshoj është se General Motors do të provojë të ushtrojë presion ndaj qeverisë federale nëpërmjet Spanjës dhe Britanisë së Madhe. Atje ne kemi votuar gjithashtu që as qeveria federale dhe as punëmarrësit e General Motors nuk do të lejojnë t´i nënshtrohen presionit."


Autor:Lars Hofman/ Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW