Protesta në gjithnjë e më shumë shtete arabe
20 Shkurt 2011Në botën arabe vala e protestave sa vjen e përfshin më shumë shtete. Tubime për më shumë demokraci ka ndërkohë në Algjeri dhe Libi, Jemen, Bahrejn, Oman dhe Kuvajt e deri në Xhibuti. Veçanërisht dramatike gjendja është në Libi, ku qeveris që prej vitit 1969 pushtetmbajtësi Muamar al Gadafi. Stacioni arab i lajmeve al Xhazira bën fjalë për të paktën 120 të vdekur në Libi. Në Bengazi, qytetin e dytë më të madh të vendit, njoftohet që snajperistë të kenë shtënë qëllimisht mbi demonstrues. Edhe anti-tanke njoftohet të jenë përdorur. Dëshmitarët okularë folën për një masakër. Klerikë udhëheqës myslimanë i bënë thirrje regjimit të mos shkaktojë gjakderdhje të mëtejshme.
Gjendja është shtensionuar paksa në mbretërinë e Bahrejnit. Princi i kurorës Salman bin Hamad al Halifa e urdhëroi ushtrinë të tërhiqet në kazerma. Ka edhe një ofertë për bisedime me opozitën. Për të parën herë u njoftua për demonstrata edhe nga Arabia Saudite. Pjesëtarë të pakicës shiite protestuan në lindje të vendit kundër burgosjes së vëllezërve të besimit pa proces gjyqësor.
Ndërkaq drejtësia egjiptiane shpalli për të parën herë si të ligjshme një parti islamiste. Programi i Partisë islamiste Uasat el Gadid është një kontribut për jetën politike të vendit, u shpreh gjykata administrative egjiptiane. Partia është shkëputur prej Vëllazërisë Myslimane, zyrtarisht të ndaluar. Ajo bën reklamë për një formë tolerante të fesë islame. Në Egjipt do të zgjidhet në gjashtë muajt e ardhshëm një parlament i ri. Deri në rrëzimin e presidentit Husni Mubarak Partia e tij NDP ishte e vetmja parti politike me rëndësi në Egjipt.
Autor: Elert Ajazaj
Redaktoi: Esat Ahmeti