Protesta në Kosovë kundër decentralizimit
3 Maj 2006
Me një protestë të organizuar në Prishtinë, ku morën pjesë disa mijëra qytetarë nga të gjitha rajonet e Kosovës, kundërshtohet plani i Grupit Negociator të Kosovës, për decentralizimin, që sipas protestuesve do të thotë ndarje e Kosovës në vija etnike. Protesta u organizua nga studentët e Universitetit të Prishtinës të cilët kërkojnë referendum se a duhet të ndodhë në këtë formë decentalizimi në Kosovë apo jo. Petrit Nimani, është njëri nga oranizatorët e protestës.
Protestuesit marshuan të qetë rrugëve të kryeqytetit. Shumica nga ta mbanin pankarta kundër ndarjes së Mitrovicës qytet ky që sipas tyre është një qytet simbol i Kosovës.
Protesta e organizuar në Prishtinë, kundër decentralizimit u mbajt vetëm një ditë para takimit të katërt shqiptaro-serb, ku do të diskutohet për herë të fundit për reformimin e pushtetit lokal në Kosovë. Grupi Negociator i Kosovës, në mbledhjen e fundit miratoi draftin final për decentralizimin i cili mundëson krijimin e disa komunave të reja me shumicë serbe në Kosovë. Në këtë plan, përfshihet edhe riorganizimi i qytetit të Mitrovicës më dy njësi komunale, një serbe në veri dhe një shqiptare në jug. Protesuesit dhe kundërshtarët e këtij plani thonë se kjo do të thotë ndarje e qytetit në vija etnike, ndërsa, anëtarët e Grupit Neogociator të Kosovës thonë se Mitrovica do ta ruajë tërësinë e qytetit dhe pse ajo do të ketë dy njësi komunale.