1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protesta në Tiranë:Marshim kundër qeverisë, zgjedhje të reja

16 Mars 2019

Opozita protestoi të shtunën kundër qeverisë Rama, të cilën e akuzon se ka fituar zgjedhjet përmes blerjes së votave. Ajo kërkon qeveri tranzitore. Kryeministri Rama reagoi, qeveria nuk preket, është mandat i popullit.

Protest Opposition Albanien Tirana
Fotografi: DW/R. Shehu

Protesta e opozitës së bashkuar në Tiranë u shoqërua me tensione para parlamentit, kur protestuesit janë përpjekur të thyejnë kordonin policor. Policia përdori gazin lotsjellës, kurse protestuesit kanë hedhur sende të forta drejt forcave të rendit. Më pas para parlamentit, policia ka përdorur ujin për të shpërndarë protestuesit. Disa protestues janë lënduar, duke rënë në tokë, të lënduar ka pasur edhe nga efektivët e policisë.

Basha: Ne nuk e destabilizojmë Shqipërinë

Kritikave se me protestat e largimin e opozitës nga parlamenti rrezikohet stabiliteti në vend, kreu i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha i është përgjigjur, se ne nuk e destabilizojmë Shqipërinë. „Shqipëria është destabilizuar nga krimi, ne do t’i japim fund këtij destabilizimi, Edi Rama duhet të largohet një orë e më parë“, ka thënë Basha.

Ka reaguar të shtunën edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i cili ndërpreu vizitën në Azerbajxhan. Ai ka thënë, se ndjek me shqetësim zhvillimet, dhe ka bërë thirrje për të shmangur konfrontimet.

Simbolikisht rrethohen institucionet

Protesta është organizuar në formë të marshimit, ku protestuesit e "rrethuan" disa herë simbolikisht kryeministrinë, e pastaj duke vazhduar drejt parlamentit. Marshimi e rrethimi simbolik nga qytetarët vazhdonte nën tingujt e një kënge "O vendi im" dhe i drejtuar nga dy krerët e opozitës, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Opozita ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, dhe një qeveri tranzitore, pa Edi Ramën si kryeministër. Protesta zhvillohet pa simbole të partive politike. Ndërsa kryeministri Rama është shprehur se qeveria nuk mund të preket, se është mandat i popullit. Protestuesit kanë përsëritur thirrjet "Qeveri e krimit", "Rama ik", dhe "E duam Shqipërinë si gjithë Europa".

Fotografi: DW/R. Shehu

Rreth 1800 efektivë policie janë angazhuar për të garantuar mbarëvajtjen e protestës të shtunën, duke qëndruar përreth perimetrit të godinës së kryeministrisë. Kjo është protesta e 5-të e grupit opozitar, të cilat nisën me 16 Shkurt para kryeministrisë dhe vijuan me disa protesta para parlamentit. Opozita e bashkuar e akuzon se ka fituar zgjedhjet përmes blerjes së votave. Në shenjë proteste opozita ka dorëzuar mandatet parlamentare.

Reagimet nga Gjermania

Të enjten, ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth, tha për Deutsche Welle, se e konsiderojmë të papërgjegjshëm bojkotin e parlamentit nga partitë opozitare. „Sepse nuk është vetëm bojkot kundër parlamentit ose i qeverisë, por edhe ndaj demokracisë. Parlamenti është vendi, ku duhet bërë debati. Ne kërkuam që këtu të ndërhyhet për zbutje. Por kam frikë se situata tashmë është shumë e helmuar."

Fotografi: DW/R. Shehu

Ndërsa raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm, Christian Schmidt mendon se edhe qeveria ka përgjegjësi për krizën. "Kjo nuk është normale. Parlamenti jeton nga debati. I takon qeverisë që të garantojë bashkëpunimin parlamentar", tha ish-ministri gjerman për DË. Schmidt është që nga fillimi i vitit raportues për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm në Bundestag, njëri nga komisionet që vendos për çeljen e negociatave në BE.  Schmidt tha për DW se së shpejti planifikon të shkojë vetë në Shqipëri për t'u informuar vetë për gjendjen. "Veçanërisht dua të shoh se sa përfshihet opozita në procedurat parlamentare", theksoi ai.