1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protesta ndaj dëbimit të romëve në Kosovë

26 Janar 2010

Në Zyrën e të Huajve në Gëttingen shpërtheu javën e kaluar një sasi lënde eksplozive. Policia dyshon për prapavijë politike. Kohët e fundit në të gjithë Gjermaninë janë shtuar protestat kundër dëbimit të romëve.

Fëmijë romë në kapin e azilantëve në Rostok
Fëmijë romë në kapin e azilantëve në RostokFotografi: Picture-Alliance /ZB

Ishte ora 9 kur të premten e kaluar (22.01.) në Zyrën e të Huajve në Gëttingen shpërtheu një sasi lënde eksplozive. Trysnia e shpërthimit përplasi pas murit një nëpunës që kishte dashur të shuante zjarrin. Ai u dërgua urgjent në spital, se dyshohej për traumë nga shpërthimi, por doli nga spitali brenda një kohe të shkurtër. "Kjo ishte rastësi", thotë për Deutsche Wellen, shefi i policisë kriminale të Gëtingenit, Volker Warnecke. "Atij ky sulm mund t'i kishte shkaktuar plagë të rënda."

Protesta ndaj dëbimit të romëve

Demonstratë kundër dëbimit të romëve nga ish-JugosllaviaFotografi: AP

Dhe jo vetëm atij. Edhe shumë të huajve të tjerë, që prisnin në radhë për ndonjë vulë të Zyrës së të Huajve. Se kush e la eksplozivin në kuzhinën e katit të dytë, nuk dihet ende, por Volker Warnecke dyshon për motive politike: "Në afërsi të vendit të ngjarjes gjetëm një shkresë që bënte thirrje për ndalimin e dëbimeve. Ka shumë mundësi që kjo të ketë lidhje me shpërthimin", thotë Warnecke më tej.

Politika e dëbimit të refugjatëve, e sidomos e romëve të Kosovës, ka ngjallur një valë protestash në vende të ndryshme të Gjermanisë, e sidomos në Gëttingen. Organizata majtiste Arbeitskreis Asyl (Qarku i punës për azilin) pati pushtuar disa javë më parë Zyrën e të Huajve, ndërsa të mërkurën e kaluar pati bllokuar gjykatën vendore. Në të dyja rastet protestat drejtoheshin kundër dëbimit të romëve në Kosovë.

"Më kot," thotë për Deutsche Wellen zëdhënësi Ministrisë së Punëve të Brendshme të Saksonisë së Poshtme, Klaus Engemann: "Nuk besoj se sulme të tilla ose demonstratat e dhunshme, siç ndodhën javën e kaluar në Gëtingen, janë mënyra e drejtë për të demonstruar për refugjatët e Kosovës. Ato janë të papranueshme", thotë ai.

Kritikë për politikën ndaj romëve

Sipas të dhënave zyrtare të landit, një e treta e 15.000 kosovarëve pa të drejtë qëndrimi në Gjermani, jetojnë në landin e Saksonisë së Poshtme. Afro 4 mijë syresh janë pjesëtarë të pakicave. Tilman Zuelch, nga Shoqata për Popuj të Rrezikuar, me qendër në Gëttingen por që vepron në të gjithë Gjermaninë, nuk është për protesta të dhunshme. Por ai është nga ata që e ngrenë zërin më së shumti kundër politikës së dëbimit të romëve: "Nuk ka land në Gjermani, ku politika e dëbimit është kaq e ashpër dhe çnjerëzore si në Saksoninë e Poshtme dhe ministri i Brendshëm i këtushëm është i njohur për politikën e tij të ashpër ndaj refugjatëve."

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të landit të Saksonisë së Poshtme, Klaus Engemann, në një prononcim për Deutsche Wellen e merr në mbrojtje politikën aktuale ndaj romëve dhe saktëson formulimin: "Këtu askush nuk dëbohet, por vetëm kthehet".

Sipas tij, një delegacion i Ministrisë së Saksonisë së Poshtme ishte para disa kohësh në Kosovë dhe u bind se gjithçka shkon në rregull dhe se të kthyerit janë të mirëpritur. "Këta persona duhet të largohen nga Gjermania dhe të kthehen në vendin e tyre. Këtë e kanë ditur qysh në fillim kur erdhën si refugjatë".

Kundër politikës së dëbimit të romëve nga Gjermania janë shprehur edhe një sërë institucionesh për të drejtat e njeriut. Komisari i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Thomas Hammarberg, i pati dërguar së fundi për këtë çështje një letër edhe vetë kancelares gjermane Angela Merkel.

Autore: Anilë Shuka
Redaktor: Pandeli Pani

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW