Protesta të punëtorëve kosovarë me rastin e 1 Majit
1 Maj 2008Punonjësit kosovarë, kërkojnë dialog social me qeverinë, për zbatimin e kontratës kolektive, infrastrukturë të re ligjore të punës dhe pagesën prej 20 % për punëtorët e ndërmarrjeve publike, të cilat tashmë janë privatizuar. Këto janë kërkesat kryesore të punonjësve kosovarë në ditën ndërkombëtare të punëtorëve një maji. BSPK-ja, organizoi në Prishtinë një protestë me moton protestoni për të drejtat tuaja.
Në Kosovë ka dy organizata të mëdha sindikale që angazhohen për të drejtat e punonjësve kosovarë. Është BSPK dhe Konferederata e Sindikatave të Lira të Kosovës. Këta të fundit, nuk iu bashkuan protestës së sotme, sepse sipas tyre protestat në rrugë janë një model i vjetër siç thonë ata komunist.
Në Kosovë ekziston ligji i punës, por, punëtorët akoma ballafaqohen me kushte të vështira dhe nuk kanë kurrfarë mbrojtje dhe siguri në vendet e tyre të punës. Në këtë kuadër, Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, do të angazhohet për arritjen e një pakti social me qeverinë, përkatësisht kryeministrin, për zbatimin e marrëveshjeve kolektive. Në Kosovë, që nga përfundimi i luftës, dita e punëtorëve 1 maji, zakonisht vetëm është festuar nuk është protestuar.
Arsyeja ka qenë situata e brishtë politike dhe ngjyrimi që mund t'i japin elementet ekstremistë. Mirëpo, kësaj radhe sindikalistët vendosen të protestojnë për të drejtat e tyre, ndërsa, forca të shtuara të policisë u angazhuan që protesta sindikale të kalojë e qetë.