Protestat e tibetianëve në mërgim vazhdojnë - flaka olimpike në Indi
17 Prill 2008Murgjit budistë e filluan ditën me një marshim protestues kundër vrapimit zyrtar me pishtarin olimpik. Në Rajgath në Nju-Delhi, tibetianët ndezën pishtarin e tyre për paqen. Organizatorët shpresonin se me këtë veprim do të rrisinin vëmendjen e opinionit publik ndërkombëtar ndaj Tibetit dhe politikës kineze që ushtrohet atje.
Tenzin Choeying, drejtor i grupit "Studentët për një Tibet të lirë" shprehet: "Vrapimi zyrtar me pishtarin olimpik quhet "udhëtimi i harmonisë". Por Kina nuk e meriton këtë pishtar. Udhëtimi i harmonisë është në të vërtetë udhëtim gjaku. Nuk ka të drejta njeriu në Tibet."
Disa dhjetëra murgj nga e gjithë bota filluan protestat dhe shumë shpejt atyre ju bashkangjitën qindra njerëz të tjerë. Sidoqoftë aksioni u krye në mënyrë të qetë dhe nuk pati trazira. Por policia i ka marrë të gjitha masat dhe ka vënë 15.000 policë në qendër të qytetit.
Që përpara se të kalonte në Nju-Delhi pishtari olimpik, rrugët u bllokuan krejtësisht. Vetëm forcat speciale indiane dhe oficerë kinezë të sigurisë mund t´i afrohen pishtarit olimpik.
Megjithatë tibetianët kanë vendosur ta shqetësojnë vrapimin me flakën olimpike. Linja e sportistëve dhe autirteteve indiane është e qartë: Protestat paqësore do të lejohen, por pishtari olimpik do të mbrohet me çdo kusht.