Protestat në Londër, sjellin të tjera dëme në natën e tretë të dhunës
9 Gusht 2011Nata e tretë e dhunës në rugët e Londrës ka mbjellë sërish panik dhe frikë në radhët e qytetarëve ndërsa kryeministri Cameron, është detyruar të ndërpresë pushimet për të tentuar rivendosjen e rendit. Të paktën 225 persona janë vënë tashmë nën pranga ndërsa pamjet e ndërtesave në flakë, luftës mes bandave dhe policisë, si dhe grabitjeve të dyqaneve kanë bërë xhiron e botës.
Me qindra të rinj u mblodhën në distriktin e Hackney, duke i vënë zjarrin makinave dhe disa ndërtesave, por kjo ishte pikënisja e natës së tretë të dhunës, pasi trazirat u përhapën edhe në pjesë të tjera të Londrës. Policia doli në një konferencë shtypi këtë të martë, duke thënë se ka arrestuar mes autorëve të dhunës, edhe 3 persona për tentativë vrasjeje. Këta persona, përplasën me makinë një officer policie në zonën e Brent-it, por fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Dhuna u përhap jashtë kryeqytetit për herë të parë në orët e vona të së hënës. Në qytetin e Birmingham, policia kreu dhjetëra arrestiume pasi keqbërësit shkatërruan dyqane dje grabitën mallra me vlerë. Pamjet treguan se dhjetëra të rinj u larguan nga dyqanet me kompjutera, TV plazma dhe sende të tjera me vlerë.
Duke koordinuar një aksion-përgjigje
Kryeministri Cameron ka patur një takim urgjent mëngjesin e së martës me kreun e Komitetit të Emergjencave, COBRA për situatën aktuale. Sekretarja britanike e Brendshme, Theresa May është kthyer gjithashtu nga pushimet duke kërkuar nga autoritetet vigjilencë maksimale. Dhuna që ka shpërthyer në Londër në fundjavë, është më e keqja që ka përfshirë ndonjë qytet britanik në më shumë se një dekadë.
Tensionet lokale
Ndërkohë, tensionet kanë mbetur të larta në zonën e Tottenham, epiqendrën e shpërthimit të dhunës, dhe aty ku u vra 29-vjeçari i kthyer në simbolin e protestave, vrasje që tani pas po shfrytëzohen nga kriminelët. Mark Duggan, një shofer taksie, u vra në një shkëmbim zjarri pasi autoritetet ndaluan makinën e tij. Baba i një fëmije 4 vjeç, Mark vdiq menjëherë ndërsa policia po heton ngjarjen.
Autor: Reuters/ Aurel Boriçi
Redaktoi: Aida Cama