1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pse Austria është neutrale?

23 Maj 2022

50 të famshëm e kanë vënë në dyshim neutralitetin në Austri. Pse në këtë vend ende nuk ka një shumicë për anëtarësim në NATO? Ndërkohë që gjendja në Finlandë dhe Suedi ka ndryshuar.

Rückkehr der UN Soldaten aus Golan
Fotografi: Herbert Pfarrhofer/APA/picture alliance

Me Suedinë dhe Finlandën, dy vende evropiane kanë vendosur të heqin dorë nga neutraliteti i tyre prej dekadash. Por kancelari Karl Nehammer e përjashton këtë hap edhe për Austrinë. Ai e konfirmoi këtë në prill, ndër të tjera, pak para se të udhëtonte në Moskë në përpjekje për të bindur presidentin Vladimir Putin për t'i dhënë fund sulmit rus ndaj Ukrainës: "Austria ka qenë neutrale, Austria është neutrale dhe Austria do të mbetet neutrale", tha ai.

Por më pas 50 persona të famshëm austriakë e ngritën sërish çështjen. Në një letër të hapur, ata i bëjnë thirrje presidentit federal Alexander van der Bellen që të kryejë një kontroll të pavarur për të përcaktuar nëse neutraliteti i vendit është ende i përshtatshëm. "Ka pasur gjithmonë përpjekje nga palë të ndryshme për të hequr dorë nga neutraliteti, por ato gjithmonë kanë dështuar”, thotë politologu vjenez Heinz Gärtner. "Nuk ka asnjë parti të madhe që e dëshiron këtë, dhe as popullata nuk e dëshiron." Në sondazhe, më shumë se 75 përqind e austriakëve flasin rregullisht në favor të neutralitetit.

Putin dhe kancelari Karl NehammerFotografi: Mikhail Klimentyev/Stefanie Loos/AFP

Pas këtyre votimeve do të mendoje se debati është larguar nga tavolina. E megjithatë mbetet pyetja se pse neutraliteti i Austrisë duket kaq i pakundërshtueshëm, veçanërisht pasi vendi ndjek një politikë të jashtme më aktive se Suedia, Finlanda apo Zvicra.

Pse Austria është neutrale?

Për shekuj me radhë, Austria ishte një fuqi e madhe që vendoste perandorin në Perandorinë e Shenjtë Romake dhe ishte çdo gjë tjetër veçse jo neutrale. Në shek e 19 u krijua Perandoria austriake, nga e cila në vitin 1867 edhe perandoria e dy mbretërive - Austrisë dhe Hungarisë, që përfshinte pjesë të mëdha të Ballkanit deri në Hungarinë e sotme.

Pas disfatës në Luftën e Parë Botërore, Austria u reduktua në kufijtë e saj të sotëm me Traktatin e Saint-Germain. Megjithatë, vendi u bë neutral vetëm dhjetë vjet pas një humbjeje tjetër në Luftën e Dytë Botërore - më 26 tetor 1955 me Traktatin Shtetëror të Vjenës.

Në atë kohë Austria, sikur edhe Gjermania, ishte e pushtuar nga katër fuqitë fitimtare (Rusia, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca). "Neutraliteti ishte mënyra e vetme që i mundësonte Austrisë largimin e trupave aleate nga ky vend," shpjegon Gärtner. "Në atë kohë, Austria kërcënohej edhe me një ndarje të përhershme, të ngjashme me atë të Gjermanisë. Ky rrezik u shmang me konsensusin e fuqive fitimtare për neutralitetin - veçanërisht Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së."

Sa neutrale është Austria?

Edhe pse Bashkimi Sovjetik ra dakord për neutralitetin në atë kohë, nuk ka dyshim se Austria anon drejt kulturës dhe vlerave demokratike të ekonomisë së tregut të Perëndimit. Kjo reflektohet edhe në faktin se Austria u bë anëtare themeluese e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) në vitin 1961.

Ish-kancelari Bruno KreiskyFotografi: dpa

Por në të njëjtën kohë, nga vitet 1960, kryeqyteti i Austrisë, Vjena u bë selia e disa organizatave të rëndësishme ndërkombëtare që nuk mund t'i atribuohen asnjërës palë të Luftës së Ftohtë, duke përfshirë Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) si dhe një sërë organizatash të OKB-së. Bruno Kreisky, Kancelar Federal i Austrisë nga viti 1970 deri në 1983, e pa këtë si një alternativë më të mirë të politikës së sigurisë ndaj ngritjes ushtarake të vendit.

Për politologun Gärtner, kjo nuk është një kontradiktë: "Nuk është çështje neutraliteti të përgjithshëm por vetëm neutraliteti ushtarak". Traktati shtetëror përjashton tre gjëra në veçanti: ndërhyrjen ushtarake në konfliktet e vendeve të tjera, vendosjen e përhershme të trupave të huaja në Austri dhe anëtarësimin në një aleancë ushtarake.

Por Bashkimi Sovjetik, ashtu sikur edhe Mbretëria e Bashkuar, kundërshtoi prej kohësh pranimin e Austrisë në Komunitetin Evropian, organizata paraardhëse e Bashkimit Evropian (BE). Kjo justifikohej me një kalim në traktatin shtetëror që përjashtonte një "bashkim me Gjermaninë” – qoftë edhe atë ekonomik. Së fundi, pak para rënies së Murit të Berlinit, Austria aplikoi për anëtarësim, të cilin e mori në 1995.

Si krahasohet neutraliteti i Austrisë me atë të vendeve të tjera evropiane?

Në rastin e Suedisë dhe Finlandës, dekada neutraliteti nuk ishin gjë tjetër veçse një doktrinë vullnetare e politikës së jashtme. Austria dhe Zvicra, nga ana tjetër, janë të detyruara të jenë neutrale, në bazë të traktateve ndërkombëtare. Ashtu si në rastin e Austrisë, edhe neutraliteti i Zvicrës ka qenë një kompromis midis fuqive të mëdha përreth: në Kongresin e Vjenës në 1814/15, Franca, Austria dhe Prusia ranë dakord të hiqnin dorë nga interesat e tyre përkatëse në këtë zonë në favor të një konfederatë neutrale.        

Presidenti austriak Alexander van der BellenFotografi: Lisa Leutner/AP Photo/picture alliance

Por ka dallime domethënëse midis këtyre dy republikave alpine. Ndryshe nga Austria, Zvicra nuk ishte kurrë ndonjë fuqi e madhe. Deri në themelimin e shtetit federal në 1848, Konfederata ishte një shoqatë pak a shumë e lirë e shteteve të vogla sovrane.

"Zvicra ruan një neutralitet më pasiv se Austria”, thotë Gärtner. Tradicionalisht, ajo nuk pajtohet me asnjë sanksion ekonomik, nuk është anëtare e BE-së dhe për këtë arsye nuk merr pjesë në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Austria është gjithashtu shumë më aktive si ndërmjetëse në konfliktet ndërkombëtare dhe merr pjesë në një masë shumë më të madhe në misionet e helmetave blu të OKB-së.

A mund të qëndrojë neutraliteti i Austrisë?

Kur shikojmë qëndrimet e popullatës dhe politikanëve, pyetja nëse Austria po heq dorë nga neutraliteti i saj nuk shtrohet në fakt, thotë shkencëtari politik Gärtner: "Do të ishte shumë më interesante të debatohet se si Austria do ta interpretojë neutralitetin e saj në të ardhmen."