1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pse e do Europa një "cloud" të vetin?

Uta Steinwehr
12 Shkurt 2020

Së shpejti pritet një infrastrukurë europiane për ruajtjen e të dhënave "cloud" si alternativë ndaj Microsoft, Amazon dhe Google e Alibaba. Por pse ka nevojë Europa për një "cloud" të vetin, ku të sigurojë të dhënat?

CeBIT 2012 Technology - Handy vor Cloud Symbolen am Stand der Deutschen Telekom
Fotografi: Getty Images/S. Gallup

Gjithçka është kaq e thjeshtë: Hap "Dropbox" apo "Google Drive", ngarko të dhënat - dhe kudo në botë ku ke internet, ke mundësi qasjeje tek të dhënat e tua apo mund t'i ndash ato me të tjerët. Është shumë e rehatshme të përdorësh një "cloud". Për persona privatë, sipërmarrje apo institucione, që punojnë njëkohësisht në disa vende. "Problemi është se gratis nuk është vërtet gratis", thotë Jose van Dijk, profesore për media dhe shoqëri digjitale në Universitetin Utrecht në Holandë. "Gratis do të thotë: Nuk paguhet me para por me të dhëna. Kjo është në fakt monedha e re."

Të dhënat dhe vlera e tyre

Se çfarë mund të bëjnë koncernet me këto të dhëna, nuk dihet saktë. A po testojnë mbi bazën e fotografive të memorizuara dhe video-programeve edhe identifikimin e fytyrës? Apo do të përdoren këto të dhëna për gjëra të reja? "Të dhënat janë oksigjeni i inteligjencës artificiale, janë gjëra shumë të vlefshme për të gjeneruar njohuri të reja."

Për këtë arsye ne nuk do të duhet të japim të dhënat tona pa u menduar. Deri tani në Evropë ka munguar infranstruktura e ngjashme me ofruesit komercialë, që i njohim deri tani. "Ne kemi standarde të reja, kur bëhet fjalë për kontrollin demokratik, për transparencë dhe kontrollin e të dhënave tona, por edhe për përdorimin e të dhënave anonime. Të gjitha këto për Evropën janë shumë të rëndësishme."

Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Weigel

Ndaj Evropa nuk duhet të varet nga koncernet amerikane, të cilat ndjekin vetëm interesat komerciale, mendon van Dijk. "Sovraniteti digjital", e quan këtë Markus Beckedahl, kryeredaktor i Netzpolitik.org. Platforma informon për temat politike dhe të drejtat dhe liritë në botën digjitale.

Evropa ka mangësi në këtë sovranitet digjital. Deri tani monopolin e mban një numër i vogël i koncerneve të mëdha botërore, si për shembull, Amazon, Google, Microsoft apo Alibaba. Gati 80 % të informacioneve në botë përhapen nga një numër i vogël koncernesh amerikane dhe kineze. Kështu të paktën thotë komisioneri i ri i BE për Çështje të Brendshme, Thierry Breton, për gazetën Handelsblatt. Breton është përgjegjës edhe për temat e digjitalizimit.

Nuk ka alternativë

Van Dijk kritikon universitetet holandeze për "varësi gati totale" nga shërbimet Cloud të koncerneve amerikane. Edhe në Gjermani ka raste të ngjashme. Para gati një viti është bërë e ditur se policia federale ka kapur policë, të cilët kanë qenë të pajisur me kamera dhe kanë mbledhur të dhëna për Amazonin. Ministria e Brendshme pohonte se janë respektuar të gjitha rregullat e sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave, por kritika e opozitës ishte e madhe. As tetë muaj pas kësaj ngjarjeje, në praktikë nuk ka ndryshuar asgjë, njofton Netzpolitik.org. Shkaku: "nuk ka ndonjë alternativë të përshtatshme". Opozita pohon se këtu ka edhe rreziqe sigurie, sepse koncernet amerikane "e kanë për obligim që organeve të sigurisë t'iu ofrojnë qasje në të dhënat e tyre të mbledhura në serverë." Në veçanti të dhënat e shtetasve jo amerikanë janë "të lira", ndërkohë që për të dhënat e shtetasve amerikanë kërkohet më shumë përgjegjësi. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për koncernet kineze.

Tani duhet të ndihmojë Gaia-X - një Cloud evropian. Kërkesa ka ardhur pak a shumë nga Ministria gjermane e Ekonomisë, ndërsa projekti është emërtuar si "një propozim për Evropën". Ministria ka marrë përsipër koordinimin, por detajet do të përpunohen së bashku nga shumë sipërmarrje. Në projekt është angazhuar edhe Franca.

Blogeri Markus BeckedahlFotografi: DW

"Infrastruktura e të dhënave mbi bazën e vlerave evropiane"

Projekti Gaia-X nuk duhet të jetë vetëm një lloj alternative për Cloud sipas standardeve evropiane, por duhet të ndihmojë edhe përdorimin e përbashkët të të dhënave. Ndër to mund të jenë edhe inovacionet. "Projekti Gaia-X. është një instrastrukturë e rrjetizuar dhe djep i ekosistemeve evropiane vitale."

Nga projekti duhet të përfitojnë të gjitha sipërmarrjet e mëdha, shkenca dhe shërbimet shtetërore dhe publike. Për shembull, sistemi i shëndetësisë përmes ndërlidhjes më të mirë të pacientëve, spitaleve dhe shërbimeve shëndetësore.

Gaia-X ka ambicie të mëdha. Në fund të tetorit ai është prezantuar nga ministri Peter Altmaier, ndërsa duhet të nisë punën në fund të vitit 2020. "Qëllimi ynë është që të fillojmë punën në fund të vitit 2020" i përgjigjen në këtë ministri pyetjes së Deutsche Welles. Tani kërkohet të përgatiten edhe të gjitha rregullat dhe baza ligjore për përdorimin. Aktualisht po punojnë në projekt rreth 150 sipërmarrje dhe institucione. Deri në fund të vitit do të bëhen edhe testimet e funksionimit me klientë, tha një zëdhënës.

Pasiguria

Kritik për ecurinë e projektit është shprehur para dy javësh Christian Klein, bashkëshef i SAP. Ai pohon se ende ka tepër çështje të hapura. Mungojnë idetë për hapat e tjerë. Madje edhe qëllimi përfundimtar nuk është i qartë. Claudia Nemat, anëtare e bordit në Deutsche Telekom pohon se është shumë e kontestuar, nëse projekti do të mund të fillojë punën në fund të vitit. "Ne ende jemi fare në fillim", thotë Nemat. Por vullneti ekziston.