1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pse Gjermania mban Ministri Zhvillimi dhe a duhet të hiqet?

26 Gusht 2024

Gjermania është i vetmi vend industrial perëndimor që ka Ministrinë e vet për Bashkëpunimin dhe Ndihmën e Zhvillimit. Partia qeverisëse liberale FDP dëshiron ta shfuqizojë atë.

Ministria për Bashkëpunim dhe Ndihmë për Zhvillimin, BMZ, - një nga dy qendrat e saj është në Bonn
Ministria për Bashkëpunim dhe Ndihmë për Zhvillimin, BMZ, - një nga dy qendrat e saj është në BonnFotografi: Thomas Banneyer/dpa/picture alliance

Gati 37 miliardë euro shpenzoi Gjermania për ndihmën e zhvillimit vitin e kaluar. Republika Federale Gjermane renditet në vendin e katërt për sa i përket pjesës së ndihmës për zhvillim në të ardhurat e përgjithshme të shtetit. Vetëm Norvegjia, Luksemburgu dhe Suedia japin një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre për vendet më të varfra. Në grupin G7 të vendeve më të rëndësishme industriale perëndimore, Gjermania është në të vërtetë në krye.

Pse është ndezur debati për bashkëpunimin për zhvillimin?

Arsyeja krysore: Vështirësitë ekonominë të Gjermanisë aktualisht. Kur ekonomia lëkundet burimet e fondeve publike pakësohen. Partitë qeverisëse SPD, të Gjelbrit dhe FDP janë grindur shumë për buxhetin e ri muajt e fundit. Sipas draftit buxhetor, vitin e ardhshëm qeveria do të shkurtojë ndihmën për zhvillim me 940 milionë euro. A duhet të shqetësohet Svenja Schulze, ministrja për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillimin për të ardhmen e politikës gjermane të zhvillimit? "Jo, nuk jam e shqetësuar se ajo do të hiqet," tha politikanja e SPD gjatë një vizite në Pakistan.

Ministrja e Zhvillimit, Svenja Schulze nuk do të hiqet ministria e sajFotografi: Thomas Imo/BMZ/photothek/picture alliance

Në kryeqytetin Islamabad, ajo u premtoi furnizuesve vendas konsultë gjermane për respektimin e standardeve sociale dhe mjedisore. Këtë e parashikon ligji gjerman i zinxhirit të furnizimit. Gjermania është një vend eksportues, dhe për këtë arsye ekonomia gjermane është e varur nga partneritetet e mira dhe marrëdhëniet afatgjata, thotë Schulze: "Dhe ne e bëjmë këtë përmes bashkëpunimit për zhvillim.

Lufta kundër varfërisë, forcimi i demokracisë dhe të drejtave të njeriut - këto janë kriteret e bashkëpunimit gjerman për zhvillimin, siç i përshkruan Schulze. "Që fëmijët mund të shkojnë në shkollë dhe të mos punojnë, që ekonomia të përparojë, mjedisi të mbrohet, mbrojtja e klimës të avancojë: Këto janë të gjitha gjëra që janë të rëndësishme jo vetëm për vendet përkatëse, por edhe për ne në Gjermani.”

Çfarë vihet në pikëpyetje në debatin për politikën e zhvillimit?

Megjithatë kohët e fundit janë shtuar zërat që kritikojnë angazhimin e Gjermanisë jashtë vendit. Për shembull, kur Ministria e Schulzes financon ndërtimin e shtigjeve të çiklizmit në Peru. Gjermania jep 315 milionë euro për këtë, thanë politikanët opozitarë. Ministria e korrigjoi shifrën: Gjermania do të jepte vetëm 44 milionë euro në këtë rast, duke promovuar kështu mbrojtjen dhe qëndrueshmërinë e klimës.

Rrugë biçikletash në Peru -kritika për këtë lloj ndihme zhvillimi nga GjermaniaFotografi: Stefan Zeitz/Geisler-Fotopress/picture alliance

Nuk janë vetëm projektet e veçanta të bashkëpunimit gjerman për zhvillimin që kohët e fundit janë vënë në pikëpyetje gjithnjë e më shumë. Disa politikanë madje po bëjnë thirrje që BMZ, Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të hiqet plotësisht. BMZ duhet të integrohet në Ministrinë e Jashtme, kërkon partia liberale, FDP, vetë pjesë e qeverisë së kancelarit Olaf Scholz. "E gjen po ashtu këtë në programin tonë zgjedhor, nuk është sekret, ka qenë gjithmonë një kërkesë," thotë Knut Gerschau, kryetar i FDP në komitetin e zhvillimit të Bundestagut. Ai është madje pjesë e delegacionit që shoqëron ministren Schulze në vizitën e saj në fabrikat pakistaneze të tekstilit. Gerschau theksoi në një intervistë për DW se asnjë vend tjetër evropian nuk ka ministrinë e vet të zhvillimit.

Pse këmbëngulet për një Ministri të Zhvillimit?

Edhe shtete të tjera të industrializuara si Japonia dhe SHBA nuk kanë ministri të zhvillimit. "Këto detyra janë bashkangjitur tek ministri të tjera. Por sigurisht ky është një synim më afatgjatë." Gerschau shpreson se kjo do të rezultojë në efikasitet më të madh. Ka shumë dyfishime dhe disa pozicionet mund të shkurtohen.

Ndryshe mendon ministrja Schulze. Ajo thekson se duhet të ketë patjetër një ministri zhvillimi. "Ne e pamë këtë në Britaninë e Madhe. Kur ata e hoqën ministrinë e tyre, ata nuk ishin më prezentë në skenën ndërkombëtare." Por është e rëndësishme që të përfaqësosh interesat dhe vlerat e tua në nivel ndërkombëtar, thekson Schulze. "Kjo kërkon njerëz me kompetencë, dhe prandaj duhet përfaqësimi. E gjithë kjo punë nuk mund të lidhet thjesht në një ministri të ekonomisë, një ministri të jashtme apo një ministri të financave."

Ministrja gjermane e Zhvillimit, Svenja Schulze në stendën e Deutsche Welles në Ditën e Hapur të Ministrisë së Zhvillimit, tetor 2022Fotografi: Björn Kietzmann/ DW

Bashkëpunimi zhvillimor dhe ndihma humanitare janë veçanërisht të rëndësishme në kohë të tensionuara, thekson Jürgen Kretz nga të Gjelbrit. Deputeti i Bundestagut shoqëron po ashtu ministren Schulze në vizitën e saj në Pakistan. "Në një situatë të tensionuar botërore, ku lojtarë të fuqishëm si Kina dhe Rusia po përballen me ne në skenën ndërkombëtare është e rëndësishme të vazhdojmë të jemi në dialog me vendet partnere, të qëndrojmë në bashkëpunim dhe të mos ua lëmë fushën të tjerëve”, thotë Kretz për DW . Një ministri e fortë, e pavarur zhvillimi është në interesin e Gjermanisë, "sepse na lejon të mbështesim një rend botëror të qëndrueshëm, mirëfunksionues dhe të sigurt".

Gjermania ishte vendi i parë në Evropë që solli politikën e zhvillimit në kabinetin qeveritar. Ministria e Zhvillimit ekziston që nga viti 1961. Një faktor shtytës për qeverinë federale në atë kohë: Pas luftës, qeveria gjermane kishte marrë miliarda dollarë ndihmë nga SHBA përmes Planit Marshall. Kjo mbështetje është konsideruar si baza e rimëkëmbjes ekonomike të Gjermanisë.

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë