1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pse Italia dërgoi një fregatë tek flota e Gazës?

25 Shtator 2025

Me më shumë se 50 anije aktivistët po përpiqen të thyejnë bllokadën detare në Rripin e Gazës. Tani ata raportojnë se janë sulmuar nga dronë.

Një fregatë dhe një anije me vela duke lundruar
Pas sulmeve të dyshuara ndaj një flote private anijesh që çonin ndihma në Gazë Italia ka dërguar një fregatë në rajon.Fotografi: Leon Rodewald/Bundeswehr

Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, njoftoi se anija "Fasan" e marinës italiane do të ndihmojë për operacione të mundshme shpëtimi. Rreth 50 anije të flotës Sumud ndodhen aktualisht pranë ishullit grek të Kretës në Detin Mesdhe. Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i kishte bërë më parë thirrje Izraelit të garantonte sigurinë e flotës. Midis aktivistëve pro-palestinezë të së ashtuquajturës "Flotilla Globale Sumud" ka edhe "qytetarë italianë si dhe anëtarë të Parlamentit italian dhe të Parlamentit Europian", deklaroi Tajani.

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani: Midis aktivistëve pro-palestinezë të së ashtuquajturës "Flotilla Globale Sumud" ka edhe qytetarë italianë si dhe anëtarë të Parlamentit italian dhe të Parlamentit EuropianFotografi: Eduardo Munoz/REUTERS

Raportime për sulme të reja me dronë

Aktivistët në bordin e anijeve të së ashtuquajturës "Flotilla Globale Sumud" fajësojnë Izraelin për sulme me dronë dhe granata zhurmuese, dhe ndoshta edhe me kimikate, të kryera gjatë natës. "Objekte të paidentifikuara" që ranë në kuvertën e anijeve shkaktuan dëme. Një video e postuar në faqen e Instagram-it të flotës tregon një shpërthim që thuhet se është filmuar nga anija "Spectre".

Me më shumë se 50 anije aktivistët po përpiqen të thyejnë bllokadën detare në Rripin e GazësFotografi: Lorena Sopena/NurPhoto/IMAGO

Crosetto i dënoi me forcë sulmet në përgjithësi, por nuk fajësoi askënd. Benedetta Scuderi, një anëtare italiane e Parlamentit Evropian që gjendet në bord, i tha transmetuesit italian RAI se dronët kishin hedhur granata zhurmuese. Njëri prej tyre goditi direkun e anijes së saj me vela, duke dëmtuar plotësisht velën kryesore. "Ne jemi në ujërat ndërkombëtare në jug të Kretës dhe u sulmuam për tre orë pa ndërhyrë askush", tha parlamentarja.

Organizata Codepink raportoi të paktën 11 sulme. Një aktivist raportoi "15 ose 16 dronë". Deputeti polak Franek Sterczewski, i cili është në bordin e njërës prej anijeve, shkroi në X se kishte pasur 13 sulme ndaj gjithsej dhjetë anijeve, përfshirë edhe të tijën. Tri anije u dëmtuan.

Midis aktivistëve pro-palestinezë të së ashtuquajturës "Flotilla Globale Sumud" ka edhe qytetarë italianë si dhe anëtarë të Parlamentit italian dhe të Parlamentit Europian.Fotografi: Lluis Gene/AFP/Getty Images

Destinacioni i flotës - Rripi i Gazës

Aktivistët duan të thyejnë bllokadën detare të Izraelit në rajonin bregdetar të populluar nga palestinezët dhe të dorëzojnë në mënyrë simbolike ndihma humanitare. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme izraelite përsëriti se Izraeli do të "ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të parandaluar (flotën) që të hyjë në zonën e luftimeve dhe për të ndaluar çdo shkelje të një bllokade legjitime detare". Në të njëjtën kohë ai përmendi një oferte për të dërguar ndihma humanitare në Gazë përmes territorit izraelit, e cila ishte refuzuar.

Në qershor dhe korrik Izraeli kishte parandaluar dy përpjekje të aktivistëve për të çuar nga deti ndihma humanitare në Rripin e Gazës. Ushtria izraelite i ndaloi anijet e aktivistëve, arrestoi ekuipazhet dhe i dëboi ata nga vendi.

Franca njeh shtetin e Palestinës – Vendet e BE me pozicione të ndryshme

Izraeli me një sistem të ri mbrojtës me rreze lazer

Kryeministri spanjoll kërkon përjashtimin e Izraelit nga garat sportive ndërkombëtare