1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pse mungojnë disa ilaçe bazë në Gjermani?

Stephanie Höppner
9 Tetor 2024

Antibiotikë, shurup për uljen e temperaturës – dhe tani edhe solucione të kripura: prej vitesh ka pasur vështirësi në marrjen e disa ilaçeve në Gjermani dhe BE. Nuk ka zgjidhje në horizont.

Në Gjermani mungojnë disa nga ilaçet elementare - një pako e zbrazur e ilaçeve
Mungesa e medikamenteveFotografi: imago images

Megjithëse kushtojnë vetëm disa cent, aktualisht janë të vështira për t'u gjetur: në spitalet dhe farmacitëgjermane, madje edhe infuzionet me solucione kripe mungojnë, e madje edhe gjërat më të nevojshme për operacione e infuzione. Sipas Thomas Preis, president i Shoqatës së Farmacistëve të Renanisë Veriore-Vestfalisë, situata është përkeqësuar në mënyrë dramatike muajt e fundit.

"Ka qenë një problem i madh në spitale prej muajsh dhe tani po prek edhe pacientët ambulatorë”, tha ai në një intervistë për Rheinische Post. Ministria e Shëndetësisë e landit NRW konfirmoi mungesat: "Spitalet në NRWsi dhe në Gjermani janë furnizuar prej muajsh me vetëm rreth 80 për qind të sasive të kërkuara të medikamenteve, ndërsa tani furnizimi është me vetëm rreth 50 për qind." Instituti Federal për Medikamente dhe Produkte Mjekësore (BfArM) parashikon që kjo situatë do të zgjasë - me muaj.

Një problem i vjetër

Vitet e fundit Gjermania është prekur shpesh nga mungesa e barnave si antibiotikët, si dhe ilaçet për fëmijët. Pasojat janë të rënda: në sondazhin e pranverës 2024 të Shoqatës së Pediatërve, rreth një e treta e mjekëve të fëmijëve besojnë se cilësia e trajtimit kërcënohet nga mungesa e ilaçeve. Përveç kësaj, trajtimi bëhet më i ndërlikuar, pasi mjekët duhet të kontrollojnë paraprakisht se cilat barna janë në dispozicion e cilat jo. Shoqata Gjermane e Farmacistëve thotë se tashmë ka një problem me rreth 500 barna të ndryshme nga lista e barnave që jepen me recetë.

Mungojnë madje edhe gjërat më elementare për influzionFotografi: Christoph Hardt/Geisler-Fotopres/picture alliance

Vendet e tjera të BE-së janë po ashtu pjesërisht të prekura nga mungesat. Sipas anketës PGEU (Grupi Farmaceutik iBashkimit Evropian) të vitit 2023, situata është përkeqësuar në disa vende, duke përfshirë Suedinë, Portugalinë dhe Spanjën.

Substancat e lira nga Kina dhe India, por me çfarë çmimi?

Shkaqet e mungesës janë komplekse, siç është edhe prodhimi modern i barnave. Gjermania dikur njihej si "farmacia e botës" me kompanitë e saj të mëdha farmaceutike - Bayer, BASF, Boehringer Ingelheim ose BioNTech. Ndërsa tani proceset e prodhimit janë të fragmentuara dhe të shpërndara nëpër botë - me zinxhirë furnizimi të gjatë dhe potencialisht problematik.

Shumica e substancave aktive prodhohen tani në Kinë dhe Indi, ku nuk ka vetëm paga më të ulëta se në Evropë, por edhe standarde mjedisore. Për t'i bërë substancat sa më të lira, aplikohet prodhimi masiv dhe monopolizimi - që do të thotë që gjithnjë e më pak prodhues prodhojnë sasi gjithnjë e më të mëdha.

"Për shembull, për shurupin e paracetamolit kishim dikur dhjetë kompani që e ofronin në treg, ndërsa sot ka mbetur vetëm një kompani kryesore”, shpjegon për DW profesor David Francas, ekspert i zinxhirit të furnizimit nga Universiteti i Worms.

"Kështu që tani kemi të bëjmë vetëm me një prodhues, e kur ka ndonjë ndalesë apo pengesë, atëherë shkaktohen prbleme në zinxhirin e furnizimit”, shton për DW profesoresha Ulrike Holzgrabe, eksperte e kimisë farmaceutike dhe mjekësore nga Universiteti i Würzburgut.

"Nëse ka fatkeqësi të vogla në rrugën e furnizimit, siç është mbyllja e portit të Shangait gjatë pandemisë së koronës ose bllokimi i anijes në Kanalin e Suezit, mallrat nuk arrijnë fare tek ne”.

Barrnatoret e zbrazuraFotografi: Wissam Nassar/XinHua/dpa/picture alliance

Gjetja e zgjidhjeve nuk është aspak e lehtë

Problemi përkeqësohet më tej nga rezervat e vogla dhe prodhimi "vetëm në kohë", d.m.th., prodhimi nuk mund të zëvendësohet lehtësisht nga rezervat në rast mungese, thonë ekspertët duke shpjeguar se prodhuesit nuk janë të sigurt që ilaçet e ruajtura do të shiten, ndaj edhe nuk bëjnë rezerva të mëdha.

Kërkesat e ilaçeve kanë ndryshuar. Gjatë pandemisë së koronës, kërkesa në Infectopharm ra ndjeshëm sepse mbajtja masive e maskave çoi në uljen e sëmundjeve të tjera infektive. Kompanisë iu desh të shkatërronte shurupet e shtrenjta me antibiotikë për fëmijët, sepse ata nuk mund t'i shisnin, për shkak se kishte më pak raste të infektimeve. Dy vjet më vonë kërkesat janë rritur përsëri.

Çmimi është veçanërisht problematik me barnat gjenerike. Barnat gjenerike janë kopje të barnave origjinale të patentuara dhe kanë të njëjtën përbërje cilësore dhe sasiore të substancave aktive. Ato mund të prodhohen nga prodhues të tjerë pas skadimit të patentës mbrojtëse dhe përbëjnë rreth 70 deri në 80 për qind të kujdesit bazë shëndetësor.

Problemet me medikamente kanë lidhje edhe me shumë vende të botësFotografi: Ute Grabowsky/photothek/picture alliance

"Marzhet këtu për prodhimin e këtyre barnave janë jashtëzakonisht të ulëta," thotë Holzgrabe, kontratat e zbritjes dhe dispozitat e tjera të futura në sistemin gjerman të kujdesit shëndetësor shumë vite më parë i detyrojnë prodhuesit të prodhojnë me koston më të ulët të mundshme.

Lëvizja e prodhimit në BE - siç kërkohet shpesh - ndoshta do të ishte e vështirë, sepse prodhimi i kimikateve të imta për përbërësit aktivë është i ndërlikuar. "Ne kemi miratuar ligje mjedisore që e bëjnë pothuajse të pamundur," thotë Holzgrabe. Kthimi i prodhimit në Evropë nuk do ta zgjidhte problemin deri në dimrin e ardhshëm. Rifilimi i prodhimit mund të zgjasë deri në pesë vite, paralajmërojnë ekspertët.

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë