Pse nuk ka akoma aktakuzë ndaj vëllezërve Veselinovic
22 Dhjetor 2011
Zyrtarë të misionit EULEX nuk pranojnë të flasin rreth arrestimit nga policia e Serbisë të Zvonko dhe Zharko Veselinovic-it, dy serbë të cilët nga forcat paqeruajtëse të KFOR-it janë identifikuar si dy personat, që organizuan dhe sulmuan trupat e KFOR-it në Jagnjenicë në veri të Kosovës. Vëllezërit Veselinovic, u arrestuan në Martën në Kralevë të Serbisë, të dyshuar për kontrabandë me derivate të naftës dhe narkotikë, veprimtaria e të cilëve shtrihej kryesisht në veri të Kosovës. Një javë më parë gjatë një bashkëbisedimi me disa gazetarë nga Serbia, komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, tha se dy serbë, Zvonko Veselinovic dhe vëllai i tij janë identifikuar si organizatorët dhe liderët e akteve të fundit të dhunës, që janë kryer kundër ushtarëve ndërkombëtarë të KFOR-it në barrikadat në Jarinje dhe Jagnjenicë në veri të Kosovës.
Sulmet në Jarinje dhe Jagnjenicë janë udhëhequr nga Veselinovicët
“Sulmet e dhunshme në Jarinje janë organizuar dhe udhëhequr nga Zvonko Veselinovici, përderisa konflikti në Jagnjenicë është udhëhequr nga vëllai i tij. KFOR-i ka video incizime, që mbështesin këto pohime dhe të cilat i janë dërguar edhe misionit EULEX”, tha gjenerali Gjerman Erhard Drews. Gjatë një përleshjeje muajin e shkuar me serbët lokalë në Jagnjenicë u lënduan 22 ushtarë gjermanë dhe austriakë të KFOR-it, në përpjekje për të larguar barrikadat nga rrugët. Madje dy ushtarë gjermanë u plagosen nga armët e zjarrit.
EULEX nuk jep informacione, nëse po zhvillohen apo jo hetime për vëllezërit Veselinovic
Ndërkohë zyrtarë të misionit EULEX nuk pranojnë të japin informacion se pse ky mision nuk ka ngritur akuzë, apo nuk ka filluar hetime për vëllezërit Veselinovic, edhe pse ka kohë që në zyrat e këtij misioni janë videoincizimet e bëra nga KFOR-i. Një zëdhënëse e misionit EULEX, Irina Gudelevic, thotë: “Misioni EULEX ka protokoll policor me Beogradin, i cili shërben për shkëmbim të informatave. Por ne nuk mund t'i komentojmë hetimet, nuk mund të japim detaje e as emrat e njerëzve, të cilët po hetohen dhe kjo nuk ndryshon as në këtë rast. Momentalisht nuk kemi asnjë koment lidhur me arrestimin e Zvonko edhe Zharko Veselinovicit”, thotë Irina Gudeljevic.
Vëllezërit Veselinoviq dyshohen për vepra të rënda kriminale
Mirëpo prokuroria e qarkut në Mitrovicë konfirmon se vëllëzërit Veselinovic janë në listën e të dyshuarve të kësaj prokurorie për aktivitete të paligjshme dhe krime të kryera në veri të Kosovës. Shyqyri Syla, kryeprokuror në prokurorinë e qarkut në Mitrovicë, numëron për DW se për çka dyshohen vëllezërit Veselinovic.
“Rrezikim i personelit të Kombeve të Bashkuara, vrasje e rëndë në tentativë, pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre, sulm në persona zyrtarë, thirrje për rezistencë, armëmbajtje pa leje, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, kontrabandim të mallrave dhe bashkëpunim kriminal”, thotë Shyqyri Syla.
Do të kërkohet ekstradimi i Veselinoviqëve në Kosovë
Zoti Syla thotë se për të gjitha këto vepra të rënda, për të cilat vëllezërit Veselinovic dyshohen, nevojitet në kohë e gjatë e hetimeve për të ngritur një aktakuzë. Megjithatë ai thotë se e ka ndërmend që nëpërmjet institucioneve kosovare ta bëjë vetë një kërkesë për ekstradimin e vëllezërve Veselinovic nga autoritetet serbe në Kosovë, për faktin që ata janë shtetas të Kosovës dhe jo të Serbisë.
Mediet serbe njoftojnë se njëri nga vëllezërit, Zvonko Veselinovic, ishte arrestuar disa herë nga policia më veri të Kosovës nën dyshimet për trafikim me narkotikë, vjedhje dhe trafikim të automjeteve, por asnjëherë nuk është gjykuar për shkak të, siç thuhet, mungesës së dëshmive. Edhe kryeprokurori i prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, Shyqyri Syla, thotë se ka vështirësi në zhvillimin e hetimeve kundër vëllezërve Veselinovic për shkak të barrikadave në veri të Kosovës, ku hetuesit qoftë të misionit EULEX, apo të policisë së Kosovës e kanë të vështirë të lëvizin në këtë pjesë.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Angjelina Verbica