1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pse SHBA-ja është kaq e fortë?

J. Fraczek/Pandeli Pani4 Korrik 2013

Edward Snowden ka kërkuar azil edhe në Evropë, por nuk ka shansa të pranohet. Evropianët edhe më tej janë nën influencën e madhe amerikane. Po cilat janë arsyet?

Fotografi: Getty Images

Edward Snowden edhe më tej po kërkon një vendstrehim. Deri tani i ka paraqitur 21 kërkesa për azil. Disa vende ende nuk kanë vendosur se çfarë do të bëjnë me këto kërkesa, ndërsa nga Venezuela kanë ardhur madje edhe sinjale pozitive. Ndërkohë që të gjitha vendet e tjera, për shkaqe formale, e kanë refuzuar kërkesën e tij.

Edhe Gjermania e ka refuzuar kërkesën e Snowden për azil, ndonëse atë në SHBA e pret një denim i sigurtë. Disa politikanë opozitarë e kanë kritikuar qeverinë për hipokrizi. Por Gjermania nuk është vendi i vetëm që e ka hedhur poshtë këtë kërkesë dhe që përpiqet të evitojë një konflikt të mundshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Franca dhe Portugalia nuk e kanë lejuar të mërkurën avionin me presidentin e Bolivisë, Evo Morales që të kalojë mbi hapsirën e tyre ajrore, për shkak të spekulimeve se në avion është edhe Snowden.

Veprimi nga bindja?

Nëse SHBA-ja ka ushtruar presion të drejtpërdrejtë ndaj këtyre vendeve ende nuk dihet. Por eksperti i shkencave politike Christian Lammert nga Universiteti i Lirë në Berlin mendon se është e mundur që ata të veprojnë nga vetë bindja e tyre. Një nga shkaqet e mundshme për një vendim të këtillë është funksionimi i mirë mes shërbimeve sekrete dhe fakti që informacionet e shërbimeve sekrete amerikane kanë evituar sulme të mundëshme terroriste. Gjermanët dhe vendet e tjera evropiane përfitojnë nga përgjimet e shërbimit sekret amerikan NSA dhe shërbimeve të tjera.

Edward SnowdenFotografi: The Guardian/Getty Images

Ndërkohë që në rend dite janë edhe negociatat për nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë mes Bashkimit Evropian dhe SHBA. Me heqjen e doganave, BE-ja pret kursime në vlerë prej dhjetëra miliarda euro-sh. Partnerët shpresojnë edhe një rritje të ekonomisë dhe hapje të vendeve të reja të punës. "Tani natyrisht që palët po përpiqen që të mos e prishin klimën mes tyre", pohon Lammert.

Politika e përbashkët e sigurisë, interesat ekonomike dhe veprimi i përbashkët kundër krizës ekonomike influencojnë edhe me sjelljen në rastin Snowden, mendon historiani Detlef Junker, nga Universiteti në Heidelberg. Qeveritë evropiane duhet t'i matin punët mirë nëse duan të futen në një konflikt me SHBA-në.

Në rastin e Gjermanisë nuk është e qartë nëse me të vërtetë shërbimet nuk e kanë ditur për përgjimet kaq masive të shërbimit sekret amerikan NSA. Lammert mendon se disa deklarata të politikanëve në rastin e Snowden janë pjesë e fushatës parazgjedhore në prag të zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen në shtator.

"SHBA-ja mbetet e fuqishme"

Pavarësisht nëse vendet evropiane kanë qenë dhe janë nën presion në rastin Snowden, është e qartë se SHBA-ja ende ka fuqi për të ushtruar një presion të tillë, thotë Junker. Ajo edhe më tej është ushtarakisht e fuqishme. SHBA-ja është shndërruar pas Luftës së Dytë Botërore në një fuqi ushtarake e cila sot i mban nën kontroll gati gjysmën e bazave ushtarake në botë - me mbi 1.000 baza, ku nga secila pikë e globit tokësor mund të sulmojë për 20 minuta".

Avionë ushtarakë amerikanë, Tip F-16Fotografi: picture-alliance/dpa

Kjo fuqi ushtarake e ka nisur misionin pas Luftës së Ftohtë që të evitojë hegjemonët rajonalë. Ushtrimi i forcës ushtarake, edhe pse jo në Evropë, edhe më tej konsiderohet "si pjesë e vetëkuptueshme e politikës së jashtme amerikane".

Por shtrohet pyetja edhe sa kohë SHBA-ja do të mund të luajë këtë rol, për shkak të problemeve të brendshme ekonomike dhe konkurrencës nga Azia? Junker mendon se ekzistojnë disa shkaqe, pse SHBA-ja edhe më tej do të mbetet superfuqi: roli udhëheqës në sektorin e teknologjisë kompjuterike, roli i saj në nxjerrjen dhe shpërndarjen e resurseve me naftë dhe forca e dollarit amerikan. "Këta janë indikatorë të cilët edhe më tej i ruajnë pozicionet e fuqishme të Amerikës", pohon Junker.