1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Publikohen rezultatet e para nga komisioni shtetëror i zgjedhjeve në Maqedoni

Fatos Musliu6 Korrik 2006

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski mbrëme me simpatizuesit e partisë kanë festuar fitoren në sheshin qendror të Shkupit, ndërsa Buçkovski ia ka uruar fitoren Gruevskit

Lideri VMRO-DPMNE-së Nikola Gruevski mes simpatizantëve
Lideri VMRO-DPMNE-së Nikola Gruevski mes simpatizantëveFotografi: AP

Komisioni shtetëror i zgjedhjeve ka arritur gjatë ditës së sotme të perpunojë rezultatet e para preliminare nga zgjedhjet parlamentare të 5 korrikut. Sipas zëdhënësit të KSHZ-së, Zoran Tanevski në njësinë zgjedhore 1- koaliconi i partive shqiptare BDI-PPD ka fituar 17 mijë e 388 vota ndërsa PDSH-ja 12 mijë e 729 vota.

Në njësinë zgjedhore 2 koalicioni BDI-PPD ka fituar 20.mijë vota ndërsa PDSH-ja 12 mije e 426. Në njësinë zgjedhore 5 koalicioni BDI-PPD ka grumbulluar 14 mije e 200 vota ndersa PDSH- 8.300 vota.

Në njësinë zgjedhore 6 që përfshinë Tetovën, Gostivarin, Kërçovën dhe Dibrën, Koalicioni i partive shqiptare ka fituar 60 mijë vota ndërsa PDSH-ja 36 mijë. Nga kjo njësi zgjedhore do të dalë edhe numri më i madh i deputetëve shqiptarë.

Sipas formulës së Dontit dhe sistemit të pastër proporcional duhet të verifikohet çdo votë e partisë që më pas të dihet numri i saktë i deputetëve të çdo partie. Sipas të dhënave preliminare dihet se në përbërjen e re të Parlamentit të Maqedonisë ,vetëm tri parti shqiptare do të kenë deputet-BDI,PPD dhe PDSH.

Sistemi proporcinal nuk u ka mundësuar 6 partive tjera më të vogla shqiptare që të kenë përfaqësuesit e tyre në parlament. Gjithnjë sipas të dhënave të KSHZ-së, partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE bindshëm ka fituar në zgjedhjet parlamentare të 5 korrikut.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski mbrëme me simpatizuesit e partisë kanë festuar fitoren në sheshin qendror të Shkupit, ndërsa Partia Social-Demokrate ka pranuar humbjen pasi që lideri Vllado Buckovski ia ka uruar fitoren Gruevskit.

Përfaqësuesi i BE-së në Maqedoni ambasadori Ervan Fuere ka dhënë vleresimet e para pozitive për procesin zgjedhore gjatë ditës së votimit.Ai ka lëvdruar edhe punën e KSHZ-së e cila me kohe ka shpallur rezultatet preliminare.

Zëvendës kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi thotë se disa rezultate nga votimet në njësitë zgjedhore kjo parti nuk i pranon. "Në emër të partisë ju them se PDSH-ja nuk i pranon rezultatet e zgjedhjeve ne Zajaz, Osllome , Gostivar, Debresht, Korrit, Cegran, Recic e madhe dhe në 6 fshatra të malësisë së Tetovës, ku kanë qenë të instaluar 200 kriminelë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Parregullësi ka
patur edhe në Saraj, Qair dhe Likovë" - ka deklaruar Menduh Thaçi.

Nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi thotë se për momentin është herët të flitet se cilat parti do të formojnë koalicionin qeveritar: "Zgjedhja është gjithsesi e qytetarëve dhe e popullit- ne nuk kemi koment tjetër, me rëndësi për ne ka qenë që këto zgjedhje të jenë fer dhe demokratike. Jemi të interesuar që procesi zgjedhor të përfundoj,që rezultatet të dalin dhe të përpunohen saktësisht, për proceset tjera nuk është koha që të flitet tani" ka deklaruar Teuta Arifi.