1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pula, një kalë e një kokë - Artistët Shqiptarë në "Berlin Biennale 2010"

14 Qershor 2010

Katër shqiptarë marrin pjesë në Biennalen e artit bashkëkohor në Berlin. Ekspozita prestigjioze zgjat deri më 8 gusht dhe prezanton punime nga 45 artistë të kohës së sotme.

Pleurad Xhafa dhe Sokol Peçi paraqiten me Deja-vu & Paranoia, në bienalen e Berlinit
Pleurad Xhafa dhe Sokol Peçi paraqiten me Deja-vu & Paranoia, në bienalen e BerlinitFotografi: Anila Shuka

"Ajo që na pret jashtë" - këtë titull i ka vënë kuratorja Kathrin Rhomberg Biennales së gjashtë të artit bashkëkohor. 45 artistë nga e gjithë bota kërkojnë përgjigje rreth marrëdhënieve të tyre me të tashmen në një kohë kur e ardhmja nuk vjen në pyetje: "Thua se mungojnë termat dhe përfytyrimet e reja që do të mund të lejonin një riorientim në këtë botë të pasigurt dhe të deziluzionuar", thotë Rhomberg. Në gjashtë ambiente të ndryshme janë shpërndarë punimet e Biennales 2010 që mund të shikohen në kryeqytetin e Berlinit deri më 8 gusht.

Pulat borgjeze

Një hapësirë të madhe - gati gjysmën Kunst-Werke (ndërtesa qendrore e Biennales) - zënë punimet e Petrit Halilajt. 24-vjeçari nga Kosova është artisti më i ri nga mosha dhe konsiderohet si një zbulim i vërtetë. "Shumë shpresëdhënës", thotë e entuziazmuar Hortensia Voelkers, drejtoresha e Fondacionit Gjerman për Kulturën, financuesit kryesor të ekspozitës prestigjioze.

Petrit Halilaj, pjesëmarrës në bienale

Prezantimi i Halilajt është programatik dhe tregon historinë e zhvillimit të tij artistik që kur ishte në kampin e refugjatëve në Itali e ku një pedagog i dha një letër për të vizatuar e deri më sot. Pjesën kryesore të pavionit të tij e zë një skulpturë e përmasave të jashtëzakonshme: skeleti i drunjtë i shtëpisë që po ndërton familja e vet në periferi të Prishtinës. Holli është i lidhur me një oborr të brendshëm e ku Halilaj ka ndërtuar një kotec pulash - pjesë e një serie vizatimesh e instalimesh me titullin: "Ato gëzohen që janë pula borgjeze".

Petrit Halilaj, prezantimi në bienaleFotografi: Biennale Berlin

Një vijë i përshkon punimet e artistit të ri që ka lindur në Skënderaj, është shkolluar në Itali dhe jeton tani mes Berlinit dhe Prishtinës: Zhvendosja e vlerës së objekteve vetjake në periudhën e transformimit shoqëror të Kosovës së pasluftës. Halilaj as nuk denoncon e as nuk e ngre gishtin moralizues. Ai thjesht i mbledh këto objekte - si dërrasat e vjetra të shtëpisë së tij të shkatërruar nga lufta, vizatimet e fëmijës refugjat e deri tek punimet e gjyshit - një kozmos i madh në një bote të vogël, dhe i muzealizon ato. Herë me humor, herë me ironi, pa denoncim.

Pesë sekonda t(m)err

Ndryshe është Armando Lulaj. 30-vjeçari nga Tirana është i njohur për mesazhin kritik të punimeve të tij. Në Biennalen e Berlinit ai vjen me një videoklip 25 sekondash të vitit 2005 (Problems with relationsship): Një kalë dhe tre burra që japin e marrin me një litar tek këmbët e kalit, derisa ky rrëzohet. Pastaj vijnë pesë sekonda terr dhe pamja e fundit tregon kokën e kalit. Të ngordhur? Kjo nuk dihet. "Ajo që na përket ne është pesësekondëshi i zi që duhet të imagjinojmë se çfarë situate kërkon të dalë nga ky film", thotë Lulaj që punimet e tij i quan "art investigues" dhe shton: "Është e njëjta teknikë që përdorin fuqitë e mëdha me botën e tretë."

Një kokë nobelisti në udhëtim

Kritikë ndaj botës së kapitalit përmban edhe punimi i përbashkët i dy artistëve nga Shqipëria, Sokol Peçi dhe Pleurad Xhafa, me titullin Déjà-vu & Paranoia (2009). Ai përbëhet nga një film dhe një skulpturë: Një kokë balte mbi një valixhe me rrota. Koka e burrit të moshuar me syze dhe një nënqeshje të lehtë tek buzët është e nobelistit Milton Friedman - babai i neoliberalizmit.

Në filmin që tregohet në gjashtë klipe paralele në monitorë të ndryshëm prezantohet procesi i krijimit të skulpturës - gjatë një udhëtimi nga Bologna në Bari - e më pas transportimi i saj për në Shqipëri. Punimi i skulpturës në tren bëhet në sfondin e pamjeve të qyteteve dhe fshatrave të Italisë së sotme që shfaqen mbas xhamave të dritareve të trenit. "Neoliberalizmi është një model ekonomik që përsëritet në shumë shtete të botës. Atë çka ne e shohim sot në Shqipëri, e ka përjetuar Italia në vitet 50-të. Pasojat i shohim sot në Itali", sqaron Sokol Peçi.

Artistët e tjerë

Me katër nga gjithsej 45 artistë hapësira shqipfolëse përfaqësohet mirë në Biennalen 2010, aq më tepër kur paramendon që në krahasim me Biennalen e mëparshme 2008 numri i artistëve pjesëmarrës është gati përgjysmuar. Në ekspozitë prezantohen edhe punime të personazheve të njohura të skenës së artit bashkëkohor, si Mark Boulos (Shba), Phil Collins (Britani e Madhe), Marcus Geiger (Zvicër), Nilbar Güres (Turqi) und Michael Schmidt (Gjermani). Pjesëmarrja e lartë e shqiptarëve ka të bëjë edhe me faktin, që kuratorja Kathrin Rhomberg, e cila ishte mysafire edhe në Biennalen e Tiranës 2009, e njeh mirë Ballkanin, që nga vitet 90-të, por edhe si bashkëkuratore e Biennales së Ljubljanës 2000.

Ndërsa Petrit Halilaj është artisti më i ri i Biennales, ai më i vjetri është Adolf Menzel (1815-1905), që konsiderohet si një nga protagonistët më të rëndësishëm të fillimit të modernes në Gjermani. Me këtë homazh kuratori i ekspozitës së posaçme, Michael Fried, donte t'i jepte atij nderimin e merituar në skenën artistike.