Pullat postare si "ambasadorë"
17 Maj 2012
Pullat janë sot një mall i zakonshëm përdorimi, një mall konsumi për të gjithë. Megjithatë pullat janë më tepër se një mall konsumi. Kjo sepse pullat konsiderohen edhe si "ambasadorë" të secilit vend. Edhe pse të vogla, ato tregojnë shumë për kulturën e një vendi dhe për historinë e tij, sepse ato pasqyrojnë ngjarjet më të rëndësishme të jetës politike, shoqërore apo ekonomike te vendit. Por përveç asaj që kumtohet drejtpërdrejt prej motiveve, historia e pullave është edhe historia e teknikave të printimit, e grafikës dhe pasqyrë e historisë së epokave apo periudhave që u takojnë pullat përkatëse. Me interes të veçantë janë jo vetëm për filatelistët dhe koleksionistët, por edhe për studiuesit e historisë apo të artit, edicionet apo seritë speciale të pullave që emetohen për ngjarje të posaçme, përvjetore etj. Pulla të tilla kanë edhe vlera muzeale. P.sh. në "Muzeun e Komunikimit" "Museum für Kommunikation" Musée de la communication" në Bernë ruhet jo vetëm koleksioni më i madh në botë i pullave zvicerane, por muzeu është krenar dhe bën madje reklamë edhe në faqen e tij zyrtare të internetit edhe se aty ruhen edhe koleksione të rëndësishme pullash nga Britania e Madhe, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Belgjika dhe Shqipëria.
Madje ne faqen e internetit të këtij muzeu është ekspozuar krahas një pulle të postës kantonale të Gjenevës, që i takon vitit 1843 edhe një pullë nga Shqipëria, e shkurtit 1914, e cila i takon qeverisë provizore të Shqipërisë, apo si është shkruar në pullë të Epirit.
Një vështrim tjetër mbi historinë
Edhe kartolinat e dërguara në kohë të ndryshme nga Shqipëria janë dëshmitarë të kohës së tyre, dhe na japin një pasqyrë të jetës së përditshme shqiptare të asaj kohe. Madje kartolinat flasin si të thuash më shumë se pullat, sepse shpesh ato përmbajnë edhe tekste interesante, prej të cilave mund të mësosh gjithashtu diçka më shumë në lidhje me kushtet që mbizotëronin në kohën kur janë shkruar kartolinat. Fjala është për një vështrim tjetër mbi historinë duke analizuar këndvështrimin e njeriut të zakonshëm, dhe jo duke u nisur nga këndvështrimi i historisë zyrtare.
P.sh. një kartolinë e dërguar në maj të vitit 1938 nga Shkodra për në Meiningen të Gjermanisë, që gjendet në jug të Thuringisë ka si motiv Malet e Thethit. Me sa duket Thethi, edhe pse asokohe ishte shumë e vështirë për të shkruar atje, po të mbajmë parasysh se rruga s'kishte as dy vjet që ishte hapur, duhet të ketë qenë që atëhere i famshëm për peisazhin e tij të bukur. Fotografia është bërë nga Foto Pici në Shkodër. Teksti me të dhënat e pamjes së kartolinës "Thethi i Shalës, Maja e Radovinës, 2.500 metra" është në frëngjisht dhe gjendet në anën e përparme të saj. Në anën e pasme të kartolinës është një pullë me kokën e mbretit Ahmet Zogu dhe përmban këtë tekst: "Scutari (10 maj 1938 ) E dashur nënë, ndoshta posta prej këtu deri te ju në shtëpi zgjat pak gjatë, kështu që po të dërgoj që sot urimet e mia më të përzemërta për Ditën e Nënës. - Për të ardhur këtu kaluam fillimisht detin blu (Adriatikun) deri në gjirin e Kotorrit, pastaj kaluam nëpër rrugë të vështira dhe marramendëse përmes Maleve të Zeza (Malit të Zi) për të arritur te Liqeni i Shkodrës në Shqipëri. Këtu gjërat dhe ajo që ndodh përreth është më tepër se orientale. Në krahasim me këtu Dubrovnikut duket i butë dhe i matur. - Të dielën, do të na duhet për fat të keq, të kthehemi për në Venecia, në Raguzë është vërtet bukur. Ju përshëndes përzermërisht ty dhe hallat."
Pak histori
Gjatë periudhës osmane në Shqipëri ishin në qarkullim pullat e administratës turke, por përveç pullave të administratës turke, në Shqipëri kishte edhe filiale të postës italiane dhe asaj të monarkisë austro-hungareze.
Me shpalljen e pavarësisë më 28 Nëntor 1912, dhe krijimin e shtetit të parë shqiptar qeveria e përkohshme e Ismail Qemalit, duke vlerësuar rëndësine e shërbimit postar krijoi, një javë pas shpalljes së pavarësisë, si pjesë te Qeverisë së Përkoheshme edhe Ministrinë e Postë-Telegraf Telefonave, me minister Lef Nosin. Qeveria e asaj kohe mori në administrim të gjitha zyrat postare të trashëguara nga perandoria osmane. Më 5 maj 1913 u hodh në qarkullim pulla e parë postare shqiptare, e cila qe një vulë me ngjyrë të zezë, me të cilen u shtypën 2232 zarfa. Kjo pullë u vu në qarkullim në 11 qytete, ku funksiononin edhe zyrat postare si në Tirane, Shkodër, Durrës apo Elbasan.
Në qershor 1913 u emetuan edhe 6 emisione të tjera të pullës postare shqiptare, që mbajnë shënimin "Postat e Qeverriës së Përkohëshme". Këto i hapën rrugën edhe koleksionimit të pullave shqiptare. Gjithësesi këto pulla ishin sërish në formën e vulës që shtypej në zarfa ose shtypeshin mbi pulla të dikurshme të Perandorisë Osmane, pulla të Postës Italiane etj. Ndër përpjekjet e qeverisë së përkohshme të Ismail Qemalit për njohjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare bën pjesë edhe fakti që më 7 korrik të vitit 1913, kjo qeveri paraqiti kërkesën zyrtare për t'u antarësuar në Bashkimin Postar Universal. Por gjatë kaosit të luftës së Luftës së Parë Botërore në Shqipëri nuk kishte një sistem kombëtar postar dhe qytetet dhe rajonet e ndryshme përpiqeshin ta mbanin në funksion disi vetë shërbimin postar. Në këtë mënyrë emetimi i pullave "të vërteta" u bë i mundur në vitin 1922. Këto pulla mbanin shënimin Posta Shyptare. Në këtë vit Shqipëria u pranua edhe anëtare e Bashkimit Postar Universal.
Autor: Pandeli Pani
Redaktoi: Esat Ahmeti