Punësimi i rinisë sfidë për Kosovën
11 Shtator 2013Kosova ka popullsinë më të re në Evropë me një moshë mesatare 27 vjeç. Por pikërisht rinia në shtetin më ri të të Evropës është e prekur në masë prej papunësisë. Gati gjysma e popullsisë është e papunë. Për t'i bërë ballë papunësisë qysh pas mbarimit të luftës Kosova iu nënshtrua një sërë transformimesh krahas atyre politike e ekonomike edhe në fushën e arsimit e shkencës. Programet studimore në Kosovë janë përshtatur me programet e sistemit të Bolonjës. Kjo reformë është shtrirë edhe në planprogramet e arsimit profesional. Në këtë drejtim nuk kanë munguar as ndihmat nga jashtë Kosovës. Gjermania është një ndër vendet perëndimore që kontribuon shumë në këtë drejtim. Që në vitet e para pas luftës, shteti gjerman filloi ta mbështesë Kosovën edhe në fushën e arsimit të lartë profesional. Nga vitit 1999 në Kosovë është aktive organizata gjermane e ndihmës për zhvillimin dhe bashkëpunimin, GIZ. Në shkurt të këtij viti u nënshkrua edhe marrëveshja për Mbështetjen e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë nga ministri për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Ramë Buja dhe senatori gjerman i shtetit për Shkolla, Arsim dhe Aftësim profesional, Ties Rabe në Hamburg. Kjo marrëveshje e shumëfishon rolin e Gjermanisë në këtë fushë, ku deri më sot volumi i financiar i mbështetjes arrin shumën prej rreth tetë milionë eurosh.
Në një intervistë ekskluzive për Deutsche Welle-n, zëvendës ministri i Shkencës, Arsimit e Teknologjisë në Kosovë, Nehat Mustafa thotë se projektet e para të GIZ (që në atë kohë quhej GTZ) kanë nisur prej vitit 2006. Projekti i parë kishte të bënte me reformat e arsimit dhe aftësimit profesional. Por, sipas z. Mustafa, GIZ nuk është e vetmja organizatë, që ndihmon Kosovën në këtë drejtim. Tashmë është aktive edhe organizata joqeveritare "DIAKONIA –Kosova" e po ashtu është nënshkruar edhe memorandumi me akademinë gjermane "Heimerer", që merret kryesisht me përgatitjen e infermierëve.
Vështirësi në tregun e punës
Por pavarësisht reformave të ndërmarra në sektorin e arsimit profesional në Kosovë mbetet ende shumë për t'u bërë. Arkitekti Arsim Gërxhaliu, i cili jep vet mësim në shkolla profesionale, ngre problemin e mungesës së lidhjes së teorisë me praktikën, çka është e domodoshme veçanërisht në arsimin profesional: "Duhet të rishikohen mirë planprogramet e shkollave profesionale në mënyrë që ato të shoqërohen me më shumë punë praktike, gjithashtu në shkollat profesionale duhet të ofrohen më shumë mjete konkretizimi në procesin e mësimdhënies." Të njëjtin shqetësim ngrenë edhe vetë studentët lidhur me punën praktike. Alban Gashi, student në degën e ekonomikut shprehet: "Zgjidhja më e mirë do të ishte, që nxënësve dhe studentëve t'u ofrohen praktika, në mënyrë që ata të mund të fitojnë përvojë pune."
Sidoqoftë vëstirësia kryesore mbetet qasja në tregun e punës për të gjithë ata që mbarojnë shkollat e mesme e të larta profesionale, sepse mundësitë e punësimit në Kosovë janë të kufizuara. Lekë Marleku, i cili ka përfunduar shkollën e mesme profesionale për ekonomi thotë: "Nëse dëshiron të kesh një punë më të mirë, atëherë patjetër duhet të kesh në xhep edhe një diplomë universitare." Por edhe ata që kanë mbaruar universitetin në Kosovë nuk e kanë të lehtë, sepse aktualisht papunësia ka arritur nivelin më të lartë me rreth 40%, prej nga është kryesisht e prekur rinia. Duke e gjetur veten të papunë të diplomuarit vazhdojnë studimet pas-universitare, duke mbrojtur doktoraturën gjithnjë me shpresën, se përmes kualifikimeve të tilla, një ditë do të mund të qasen në tregun e punës. Krahas vështirësive financiare dhe mungesës së ofertave konkrete në tregun e punës, studentët ngrenë edhe një tjetër shqetësim: Rexhep Limani, gjithashtu student i ekonomikut thotë se në Kosovë është problem gjetja e një vendi pune, sepse politika që ndiqet aktualisht po çon në disekujlibër mes mundësive që ka tregu vendas i punës dhe numrit jashtëzakonisht të lartë të studentëve , të cilëve u jepet e drejta e studimit. "Eshtë problematik numri i lartë studentëve në fakultetin tonë që në afat rekord përfundojnë fakultetin, por nuk gjejnë punë dhe të dëshpëruar mësyjnë vendet e Europës duke u detyruar të kthehen atje në punëtorë krahu. Janë të paktë ata, të cilëve u prin fati në Evropë, ose sepse gjejnë një punë të mirë, ose përmes ndonjë lidhjeje martese atje." Këtë e konfirmon edhe zëvëndësministri z. Mustafa, por sipas tij: "Në Kosovë janë rreth 30.000 të rinj, të cilët i qasen tregut të punës dhe prej këtyre janë afro18.000 deri në 20.000, që përfundojnë arsimin profesional. Potenciali i zhvillimit ekonomik të Kosovës nuk ka mundësi t'i absorbojë gjithë këta të rinj." Kushtet e vështira në tregun kosovar të punës nxisin dukurinë e ashtuquajtur "brain drain" në Kosovë.