1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Punësimi i rinisë – sfida e shekullit për Shqipërinë

22 Mars 2013

Bota ku dua të jetoj- Shqipëria përfshihet në fushatën e OKB-së për të hartuar axhendën e zhvillimit global Post 2015. Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Zineb Touimi-Benjelloun sqaron për DW synimet.

Tirana Jugendliche ("The world I want")
Fotografi: DW/A. Ruci

Viti 2015, kur të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara premtuan të arrijnë Qëllimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit ( Milllenium Development Goals – MDG-s) po afron. Është fjala për qëllime që fillojnë nga përgjysmimi i nivelit të varfërisë, ndalimi i përhapjes së HIV/AIDS deri tek sigurimi i të drejtës universale për arsimin e detyruar fillor. Për Kombet e Bashkuasa ka ardhur koha për të hartuar një axhendë të re zhvillimi global Post 2015. Me moton ”Bota që dua”, Kombet e Bashkuara kanë ndërmarë një fushatë konsultimesh të gjera në 60 vende të botës për të hartuar këte axhendë, e cila do të reflektojë dhe do t'u përgjigjet kërkesave dhe perceptimeve të qytetareve. Në këto konsultime është përfshirë edhe Shqipëria, si një nga vendet që është angazhuar për të arritur MDG deri në vitin 2015.

“Qëllimi ynë është të përfshijmë qytetarin, njeriun e thjeshtë në rrugë, akademikun apo shkencëtarin, që të shprehë mendimin e vet dhe kontribuar kështu në formulimin e axhendës globale të zhvillimit Post 2015. Përveç konsultimeve në takime të drejtpërdrejta është përdorur edhe media sociale, për të lehtësuar komunikimin me qytetarët e Shqipërisë,” thotë për DW koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Zineb Touimi-Benjelloun .

Punësimi i rinisë – sfida e shekullit për Shqipërinë.

Punësim i rinisë në Shqipëri është një nga temat qëndrore rreth të cilave po zhvillohen konsultimet dhe debatet publike. Dhe kjo është e kuptueshme nëse i referohemi shifrave zyrtare të papunësisë së rinisë: 26%, që do të thotë dyfishi i shifrës zyrtare të papunësisë në përgjithësi.

“Punësimi i rinisë është një çështje ekonomike dhe sociale. Prandaj ajo u përzgjodh nga ekipi i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri si një nga shtyllat tematike, për të cilën Shqiperia mund të diskutojë dhe të kontribuojë në axhendën globale të zhvillimit Post 2015, për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë, që krijon realisht mundësi për burrat dhe gratë. Punësimi i rinisë është edhe sfida e shekullit XXI për Shqipërinë,” thekson Zineb Touimi-Benjelloun .

Një sërë faktorësh dhe veçorish e bëjnë punësimin e rinisë në Shqipëri sfidën e ketij shekulli.

“Shqipëria, si edhe shumë vende të tjera, vazhdon të ndeshet me probleme që lidhen me varfërinë . Ka një situatë të tillë, ku punët nuk paguhen në mënyrë të mjaftueshme dhe të ardhurat prej pagës nuk mundësojnë daljen nga varfëria. Papunësia e rinisë në Shqipëri është sa dyfishi i shifrës zyrtare të papunësisë prej 13%. Rinia ka vështirësi të mëdha për të hyrë dhe qëndruar në tregun e punës. Ndërkohë që një numër i madh të rinjsh dhe të rejash punojnë në ekonominë informale, gjë që prek perspektivën e tyre për të siguruar punë dinjitoze. Prandaj punësimi i rinisë kërkon një vëmendje të veçantë. Presidenti i Komisionit Europian Barroso, kohët e fundit, e përshkroi punësimin e rinisë si një “ emergjencë sociale”, thotë Zineb Touimi-Benjelloun.

Bota ku dua të jetoj – çfarë kërkojnë të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri për punësimin e tyre?

Që Shqipëria të dalë kjo “emergjencë sociale”, që ajo te përballojë sfidën e shekullit, të rinjtë dhe të rejat, pjesëmarrës në konsultimet publike të Kombeve të Bashkuara kërkuan disa ndryshime thelbësore.

“ Ata kërkojnë të jenë më mirë të informuar se çfarë perspektivash u hap arsimimi, sesi një diplomë universitare mund të shtojë mundësitë e punësimit dhe të hyrjes së tyre në tregun e punës. Ata kërkojnë që autoritetet publike të luajnë një rol proaktiv . Në perceptimin e rinisë ka ndërhyrje politike, mungesë të investimeve, që përbëjnë disa nga pengesat për punësimin e tyre, një perceptim ky qe i shtyn drejt apatisë,” thekson thotë Zineb Touimi-Benjelloun.

Ajo shton se arsimimi është i rëndësishëm, por ai duhet t'i përgatisë të rinjtë dhe të rejat për tregun e punësimit, t'u japë njohuri dhe përvoja. Programet e trajnimit, shkëmbimet, vetëpunësimi dhe sipërmarrja janë disa nga rrugët për të futur rininë në tregun e punës dhe ndihmuar që të fitojë njohuri dhe përvoja pune.

Ziuneb Touimi-Benjelloun, koordinatorja e Kombeve të Bashkuara në ShqipëriFotografi: DW/A. Ruci

Punësimi i rinisë- kriza ekonomike globale dhe rrugëtimi drejt BE

Ekonomia e Shqipërisë ende nuk ka kapur nivelin ekonomik të para mbërritjes së krizës globale ekonomike. Ngadalësimi i zhvillimit ekonomik ka rindezur natyrshëm në Shqipëri, diskutimin rreth burimeve të qëndrueshme të rritjes ekonomike. Të rinjtë dhe të rejat shohin si drejtime kyçe për të ardhmen e zhvilimit ekonomik të Shqipërisë investimet e huaja direkte, konkurrueshmërinë më të lartë dhe rritjen e eksporteve, zhvillimin e sektorit privat dhe potencialeve për inovacion.

“Këto drejtime të zhvillimit të qëndrueshëm flasin qartë për një ndryshim të mundshëm të forcës punëtore nga më pak prodhuese në më shumë prodhuese, nga praktika të paqëndrueshme tek përfitime afatgjata të qëndrueshme. Vala e madhe e universiteteve private, presupozon një forcë pune më të kualifikuar, pa përmendur këtu shqiptarët e arsimuar dhe kualifikuar jashtë vendit. Mundësitë e punësimit në dritën e burimeve të qëndrueshme të rritjes ekonomike kërkojnë mendim serioz, diskutime dhe debate publike, ndërkohë që Shqipëria vazhdon rrugetimin e saj drejt pranimit në BE” mendon Zineb Touimi-Benjelloun.

Parandalim dhe kurim – rekomandimet e Kombeve të Bashkuara për Shqipërinë

Sfida e punësimit të rinisë në Shqipëri kërkon përqasje “parandaluese” dhe “ kuruese”. Kjo do të thotë përfshirje në konsultime dhe debate publike te agjensive qeveritare, insitucioneve të tregut të punës, organizatave të punëdhënësve dhe të punëtorëve, të shoqërisë civile.

“Jemi në kohën e duhur. Shqipëria është tani në fazën e përditësimit të infrastrukturën së saj strategjike. Ka filluar hartimi i Strategjisë për Zhvillim dhe Integrim, 2013- 2020. Në të do të përfshihet edhe strategjia e punësimit. Debatet publike për punësimin e rinisë do të kontribojnë drejtëpërsëdrejti në sttrategjinë e re të zhvillimit . Njëherazi ato kanë aftësuar agjensitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri të shohin më nga afër çështjet që ndikojnë në punësimin e rinisë , në nivel qëndror dhe lokal. Gjetjet nga këto konsultime do të jenë të dobishme në formulimin e politikave, ndërhyrjeve dhe mbështetjes nga Kombet e Bashkuara” thotë për DW Zineb Touimi-Benjelloun.

Autor: Ani Ruci/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW