Punëtorët e sektorit publik gjerman dalin në rrugë
5 Mars 2012
Punëtorët e sektorit publik në Gjermani kanë nisur protestat në një sërë landesh. Ata kërkojnë nga punëdhënësit e tyre që rrogat të rriten me 6.5 përqind. Ndërkohë protestat pritet të shtohen.
Në disa lande të Gjermanisë transporti lokal pothuajse është paralizuar, në një kohë që punëtorët e sektorit publik kanë dalë në protestë duke kërkuar rroga më të larta. „Transporti publik do të ketë probleme gjatë gjithë ditës,“ tha Thomas Wissgott, përfaqësues nga sindikata e punëtorëve publikë ver.di. „Në landet e prekura nuk do të funksionojnë as metrotë dhe as tramvajet,“ tha Wissgott për agjensinë e lajmeve, dpa.
Protestave i janë bashkuar edhe punonjësit e administratës lokale, kopshteve, infermiereve shtëpiake dhe disa institucione shëndetësore. Të gjitha këto protesta kanë si qëllim për të bërë presion mbi autoritetet për rroga më të larta. Punonjësit e sektorit publik shpresojnë për një rritje me të paktën 6.5 përqind.
Protestat do të shtohen
Por punëdhënësit deri tani e kanë cilësuar kërkesën si joreale dhe deri tani nuk kanë gjetur një marrëveshje që të kënaqë të dyja palët. “Ne presim që punëdhënësit të na japin një ofertë dhe më pas të diskutojmë,” tha zëdhënësi i ver.di-t, Christoph Schmitz. “Mungesa e një oferte në raundin e parë të bisedimeve në Potsdam ishte një provokim,” shtoi Schmitz.
Takimi tjetër mes dy palëve është planifikuar të zhvillohet më 12 Mars. Deri atëherë ver.di ka planifikuar të rrisë presionin mbi punëdhënësit me anë të protestave edhe në shtetet e tjera. Për ditën e Martë pritet që protestat të shtrihen edhe në Baden-Württemberg e Mecklenburg-Western Pomerania.
Autor: dpa/Topi
Redaktoi: Lindita Arapi