1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Punëtorët e VW propozojnë uljen e pagave

20 Nëntor 2024

Gjigandi gjerman i automobilave Volkswagen ka njoftuar planet për të shkurtuar buxhetin me disa miliardë euro në mes të krizës financiare të kompanisë. Punëtorët janë angazhuar të bëjnë rezistencë masive ndaj planit.

Një Volkswagen ID.7
Punëtorët e VW kërcënojnë me grevë për shkak të krizësFotografi: Moritz Frankenberg/dpa/picture alliance

Punëtorët e sindikatës gjermane IG Metall të mërkurën ndërmorën hapin e jashtëzakonshëm, duke ofruar të pranojnë uljen e pagave për të shmangur pushimet masive nga puna dhe mbylljen e fabrikave të planifikuara nga prodhuesi gjerman i automjeteve Volkswagen.

Përpara raundit tjetër të negociatave kolektive, sindikata dhe këshilli i punonjësve i VW kanë propozuar uljen e kostove të pagave me 1.5 miliardë euro (1.6 miliardë dollarë). Në këmbim, punonjësit kërkojnë garanci për sigurinë e punës dhe të ardhmen e nëntë fabrikave të grupit VW në Gjermani.

Nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, sindikata ka bërë të ditur se një grevë e madhe mund të jetë e pashmangshme.

“Për shkak se nevojiten zgjidhje të qëndrueshme, ne po kalojmë në ofensivë dhe po paraqesim një koncept zgjidhjeje”, tha Daniela Cavallo, kryetare e këshillit të punonjësve. “Ky është një kundërmodel ndaj planit të bordit të shkurtimit të vendeve të punës, i cili parandalon të ardhmen në vend që ta krijojë atë".

Automjete VWFotografi: Moritz Frankenberg/dpa/picture alliance

Cavallo sugjeroi gjithashtu që drejtuesit e lartë të heqin dorë nga bonuset e tyre për të lehtësuar problemet financiare të kompanisë.

Problemet e prodhuesit gjerman të automjeteve shihen një simbol i problemeve më të gjera ekonomike të Gjermanisë. Prodhuesi gjerman i automjeteve Volkswagen përballet me krizë të paprecedentë.

Pse është në vështirësi Volkswagen-i? 

Në shtator, gjigandi gjerman i automobilave njoftoi se do të mbyllte tre fabrika si pjesë e masave për uljen e kostove dhe do t'i jepte fund një plani të gjatë bujar pensionesh.

Grupet e punonjësve janë zotuar për rezistencë masive ndaj pushimeve masive nga puna. 

Që nga viti 2019, prodhuesit gjermanë të automjeteve kanë shkurtuar rreth 46.000 vende pune si pjesë e një ndryshimi drejt prodhimit të automjeteve elektrike. Konkurrenca nga automjetet më të lira elektrike kineze dhe një situatë e përgjithshme ekonomike jo e mirë në Gjermani e kanë dëmtuar më tej industrinë e automobilëve.

Në tetor, Volkswagen njoftoi një rënie prej 64% të fitimeve dhe vendimin për të mbyllur tre fabrika, duke shkaktuar një protestë midis punëtorëve.

Kompania njoftoi synimin e saj për të reduktuar buxhetin me rreth 18 miliardë euro.

aud (es/dpa, Reuters)
 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë