Punëtorët polakë sezonalë në Gjermani
21 Prill 2006
Rruga e ngushtë e asfaltuar gjarpëron kilometra më radhë përmes peisazhit gati të virgjër të Vojevodshaft Svitokyrzhtki, 200 km në jug të kryeqytetit polak. Më në fund shfaqet shtëpia e Violetës dhe Jan Grosit, dy punëtorë sezonalë polakë, të cilët prej vitesh vinë në Gjermani në kohën e shpargujve. Violeta tregon: Ky rajon ku jetojmë ne është një zonë e varfër. Këtu nuk ka as firma dhe as fabrika të mëdha. Të rinjtë punojnë, kur kanë punë nëpër supermarkete. Ata që dinë të flasin ndonjë gjuhë të huaj, bëjnë valixhet gati dhe ja mbathin. Praktikisht këtu nuk ka asgjë për të bërë."
Violeta dhe Jan Gros, të dy rreth të 40-ve janë prej vitesh të papunë. Ndihmë nga shteti polak nuk ka, secili duhet të shohë vetë se si t'ja dalë mbanë.
Jan Gros: Unë jam kasap nga profesioni, punova për një kohë të gjatë në një firmë, e cila falimentoi dhe tanimë nuk ekziston. Pas shtëpie ne kemi tre hektarë tokë, por kjo nuk mjafton për të jetuar. Kur punoja, gruaja ime kujdesej për punët në bujqësi, por që kur humba punën, situata është bërë e vështirë."
Kaq keq shkuan punët për Jan Gros, saqë ai u detyrua të provonte fatin jashtë shtetit: "Kushëriri im ka një shok në Mynih dhe ai më ndihmoi të gjeja punë këtu në fermën e shpargujve. Tre vitet e para kam udhëtuar vetëm. Pastaj mora edhe gruan me vete - ja kështu filloi."
5 Euro në orë fitojnë Violeta dhe bashkëshorti i saj në fermën bavareze - kështu është shënuar në kontratë thonë ata, dhe me paratë nuk ka pasur kurrë probleme. Por paraja është njëra anë e medaljes, kur janë edhe tre fëmijë që i presin prindërit në shtëpi, tregon Violeta: "Fillimi ishte mjaft i vështirë. Trishtimi që duhet të ikësh diku, në një vend të huaj, njerëz të panjohur. Njohuritë e gjuhës-zero. Kjo ishte e tmerrshme. Por unë jam e shkathët dhe mësoj shpejt. E dija se fëmijëve nuk do t'i ndodhte gjë, sepse ata ishin tek prindërit e mi."
Nën çatinë e familjes Gros jetojnë tre gjenerata. Por në kohën e shpargujve, Violeta dhe Jan kanë nevojë edhe për ndihmën e fqinjëve:
"Mamaja ime na ka ndihmuar shumë, por ajo nuk është në gjendje të mirë. Kur ajo nuk ja del me punët në arë, vijnë fqinjët dhe e ndihmojnë. Kur kthehemi ne shkojmë tek ai dhe e ndihmojmë. Kështu funksionon bashkëpunimi ynë."
Por këtë pranverë Violeta dhe Jani nuk janë të sigurtë nëse ja vlen të shkojnë të punojnë në kushtet e reja. Jani mbledh supet: "Deri këtë vit nuk ka patur probleme. Dihej se çfarë letrash duheshin plotësuar, ato vuloseshin dhe dërgoheshin. Tani askush nuk është i informuar. Në agjensinë e punës na kanë dhënë një letër informuese, por atë mund ta lexosh njëzetë herë dhe nuk e kupton."
Gati 30 kolegë shkonin së bashku me Violetën dhe Janin vitet e fundit në Gjermani. Këtë vit ata mendojnë se ndoshta nuk ja vlen fare të nisen drejt Gjermanisë.
Të papunët në Gjermani nuk do t'ua marrin punën punëtorëve sezonalë polakë në të ardhmen, për këtë bujqit polakë janë të sigurtë: "Ata e kanë provuar. Të rinjtë e dërguar nga Agjensia e punës. Për disa orë ata duruan, por pastaj mblodhën plaçkat dhe ikën. Po qe se nuk do të vinë polakët, atëherë do të vinë sllovakët t'a bëjnë këtë punë."