1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Macht Sex

31 Maj 2011

Teksa gjatë ditëve të fundit dëgjon të bëhet bërë fjalë për pushtet, para dhe seks, mendja të shkon tek një sërë personash aktivë: tek ish-shefi i FMN-së Strauss-Kahn, kryeministri italian Berlusconi etj.

Rubrikenbild Kommentar albanisch

Gjermania gjithashtu bëhet objekt kryeartikujsh: tema nuk është e panjohur në këtë vend. Edhe këtu ka abuzim me paratë, me pushtetin dhe seksin. P.sh. një koncern i madh gjerman sigurimesh tërhoqi vëmendjen në kryeartikuj me udhëtimet shpërblyese për nëpunësit, të cilëve si mirënjohje për angazhimin në punë iu vunë prostituta në dispozicion në Budapest. Gratë janë shitur si mall: atyre u ishin vënë fjongo me ngjyra të ndryshme për të dalluar rangun e menaxherit, për të cilin ishin rezervuar. Kostoja e udhëtimit mbi 80.000 euro u rimbursua prej taksave. E pra s'ka asnjë arsye, që kur bëhet fjalë për këtë temë të shohësh vetëm nga fqinjët. Edhe në Gjermani ekziston kultura e maçove dhe një solidarizim i heshtur midis burrave, të cilët besojnë, se për arsye të pushtetit atyre u lejohet t'i tejkalojnë kufijtë.

Ku konsiston fakti, që burra të caktuar e konsiderojnë veten si joshës të papërballueshëm? Me sa duket me forcimin gjithnjë e më shumë të pushtetit krijohet një dehje e vetëdijes: ai që vazhdimisht është i rrethuar prej vartësve të zellshëm, të cilët shmangin çdo kritikë, ndoshta beson një ditë për vetveten, se është veçanërisht tërheqës dhe mund t'i lejojë vetes më shumë se të tjerët. E kësisoj mund t'i kapërcejë edhe kufijtë. Ai që ambjentohet me të qenit si prijës i grupit, të cilit vazhdimisht i duhet t'u bëjë ballë kundërshtimeve, as që e mendon, se duhet të pyesë, kur merr diçka, e cila atij i duket, sikur i takon.

Verica Spasovska, shefe e seksionit të Evropës Qendrore dhe Juglindore në Deutsche Welle.

Si për t'u çliruar preferohet të thuhet: epo ka mjaft gra, të cilat janë të gatshme të shkojnë me këto burra. Natyrisht ka gra, që joshen prej pushtetit. Natyrisht pushteti mund të jetë tërheqës. Por ka edhe shumë gra, që i lejojnë sulmet pa u vetëmbrojtur - qofshin këto edhe sulme verbale. Kjo sepse ato kanë frikë, që një konflikt mund t' i dëmtojë më shumë ato vetë, se sa burrat, të cilët e kanë shkaktuar atë. E këtu ato kanë të drejtë. Sepse ato ndodhen në një botë të dominuar prej burrave, të cilët preferojnë të solidarizohen me njëri-tjetrin. E pikërisht këtu qëndron problemi kryesor. Ka shumë pak gra në pozicione drejtuese në politikë dhe në ekonomi.

Kjo vlen edhe për Gjermaninë. Një udhëtim seksi si shpërblim për rendimentin në punë as që do t' i shkonte në mendje një kryesie të përbërë nga gra.

Deri më sot asnjë politikan gjerman nuk ka humbur postin për shkak të aventurave seksuale. Kjo ka të bëjë nga njëra anë me atë që mediet gjermane i përmbahen deri më tani një ligji të pashkruar: që sfera private e politikanëve nuk duhet bërë publike me çdo kusht pa vullnetin e tyre. Madje kjo s'duhet të ndodhë fare, nëse bëhet fjalë për thashetheme, duke mos pasur dëshmi për aferën jashtëmartesore. Vetëm pasi kryeministri i Bavarisë Horst Sehofer e bëri vetë publik faktin që kishte një fëmijë jashtë martese, u raportua për këtë në media. Por kjo nuk e dëmtoi karrierën politike të tij.

Intensifikimi i rasteve aktuale, kur personalitete meshkuj humbasin karrierën prej jetës së tyre seksuale të shfrenuar, ka ndezur një debat publik, që tani nuk është e lehtë të ndalet. Në Francë sapo ka dhënë dorëheqjen një sekretar shteti për shkak të akuzave për ngacmim seksual të grave. Para arrestimit të Strauß-Kahn kjo as që mund të mendohej, sepse në Francë, ku ish-kryeministra të ndryshëm kanë pasur afera jashtë martesore, seksizmi deri më tani nuk është denoncuar. Proceset në Milano dhe në Nju Jork japin shkas, që heshtja dhe indiferenca ndaj seksizmit të diskutohen publikisht.

Dhe: Ne kemi nevojë për më shumë gra në pozicionet drejtuese, për të dhënë shembuj të tjerë. Kjo nuk do të thotë, që gratë në vetvete janë njerëzit më të mirë. Por pozicionet drejtuese, të mbuluara nga gra e burra, sipas parimit të barazisë, lenë më pak hapësirë për vërejtje thumbuese dhe forma të tjera të seksizmit. Pikërisht edhe për këtë arësye do të ishte një hap në drejtimin e duhur, që me Christine Lagarde të vijë një grua në krye të FMN-së. Ajo me siguri do të tërheqë vëmendjen si objekt i shumë kryeartikujve. Por ndër to nuk do të ketë skandale të mëtejshme seksi.

Autore: Verica Spasovska

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW