1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putini dërgon në Ballkan këshilltarin e sigurisë

22 Shkurt 2022

Moska po përpiqet të ruajë ndikimin në Ballkan, kryesisht përmes aleatit të saj Serbisë.

Nikolai Patrushev
Fotografi: AP

Mediat proqeveritare serbe thanë të hënën se Nikolai Patrushev, sekretari i fuqishëm i Këshillit të Sigurisë së Kremlinit pritet të mbërrijë në Beograd në ditët në vijim, për bisedime me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç. Moska nuk ka bërë asnjë njoftim në lidhje me udhëtimin e Patrushevit.

Sipas informacioneve, bisedimet pritet të fokusohen në pretendimet e Moskës se "mercenarë” nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja dërgohen nga këto shtete ballkanike për të luftuar në anën ukrainase kundër kryengritëse prorusë, bën të ditur agjencia e lajmeve ap.

Zyrtarë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja i kanë hedhur poshtë këto pretendime, të cilat u bënë nga ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov javën e kaluar.

"Ka raportime se po rekrutohen mercenarë në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, për ta dezekuilibruar Rusinë dhe për t'i dërguar në vende si Donbassi", tha Lavrovi, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

Fotografi: Darko Vojinovic/AP Photo/picture alliance

Vuçiçi thirri  të hënën një takim të zyrtarëve të lartë të sigurisë së Serbisë, ku thuhet se u diskutuan raportet për "mercenarët" ballkanikë që udhëtonin në Ukrainë. Dhjetëra luftëtarë serbë kanë luftuar në Ukrainën lindore në të kaluarën, por në anën e rebelëve prorusë.

Serbia ka deklaruar zyrtarisht neutralitet në ngërçin ruso-ukrainas, i cili kërcënon të shkaktojë një luftë të madhe në Evropë. Megjithatë, mediat serbe të kontrolluara nga shteti po mbështesin Moskën në krizë duke përhapur propagandën ruse pa e diskutuar.

Edhe pse Serbia zyrtarisht aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, ajo ka refuzuar të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE dhe ka preferuar të forcojë lidhjet e saj politike, ekonomike dhe ushtarake me Rusinë dhe Kinën.

ap