Putini- Njeriu i vitit
21 Dhjetor 2007Dhe prandaj ata e kurorëzuan presidentin e Rusisë si "Njeriun e vitit 2007". Kjo zgjedhje duhet ta kishte zbutur presidentin rus. Por në vend të kësaj, ai e mori këtë si shkas për të artikuluar kritika ndaj qeverisë së SHBA-ve.
Në një intervistë me revistën amerikane Time-Magazine, e cila e kishte zgjedhur Putinin personin më të rëndësishëm të vitit që po përfundon, Vladimir Putini i akuzoi SHBA se kërkojnë thjesht vasalë dhe se nuk janë të interesuara për një partneritet të vërtetë.
Putini vërtet pranoi se ka një partner të besueshëm te presidenti amerikan, Xhorxh Bush. Por njëkohësisht ai u tregua i zhgënjyer që përpjekjet e 15 viteve të fundit të Rusisë për të ndërtuar një miqësi të barabartë me SHBA, nuk kanë gjetur terren të përshtatshëm. "Në 15 vitet e fundit neve na kanë thënë se jemi të mirëpritur në bashkësinë e civilizuar perëndimore. Por së pari, pse besoni se civilizimi juaj perëndimor është më i miri? Ka civilizime shumë më të vjetra se ai amerikan. Së dyti, neve na pëshpërisin në vesh: "ne jemi të gatshëm t'ju pranojmë në bashkësinë tonë, por mos harroni, se ne jemi një familje patriarkale dhe këtu jemi ne më të vjetrit - pra duhet të merrni një vend të nënshtruar."
Së fundi, Moska u përball me kritika ndërkombëtare, sepse zgjedhjet parlamentare në fillim të muajit nuk u kryen në bazë të standarteve demokratike. Pati një sërë përpjekjesh për manipulim, barazia në zgjedhje e partive nuk qe e garantuar. Kremlini u tregua hatërmbetur përballë kritikës që erdhi nga perëndimi. Gati i nevrikosur iu përgjigj Putini pyetjes së Time-Magazine se cilin do të dëshironte ai si president të ardhshëm të SHBA: "E shoh, që nuk keni kuptuar asgjë. Parimi i punës sonë mbështetet në atë që ne e konsiderojmë të dëmshme përzierjen në punët e të tjerëve. Ne nuk lejojmë të përzihemi në punët e brendshme të një shteti tjetër, dhe kjo vlen edhe për shtete të tjera. Ju nuk keni kuptuar asgjë."
Zgjedhja e Putinit si njeriu i vitit gjeti megjithatë një jehohë pozitive në Kremlin. Zëdhënësi Dmitri Peskov shprehu shpresën se kjo mund të kontribuojë në një kuptim më të mirë të Rusisë moderne. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur vetëm se Putini është një personalitet magjepsës. Revista Time e vlerësoi Putinin që përfaqëson stabilitetin në Rusi dhe që e ktheu vendin sërish në tryezën e fuqive botërore, edhe nëse e bëri këtë në kurriz të parimeve të botës së lirë. Katër shefa të tjerë të Kremlinit janë zgjedhur më parë "njerëz të vitit": dy herë Jozef Stalin, pastaj Nikita Hrushovi, Juri Andropovi dhe Mihail Gorbacovi.