1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pyetësor për të drejtat e pakicave në Kosovë

Bekim Shehu27 Shkurt 2006

Në Prishtinë, grupi politik strategjik gjatë ditës së sotme do t'i përgjigjet pyetësorit të ndërmjetësuesit ndërkombëtar, Marti Ahtisari, që ka të bëjë me çështjet e pakicave dhe lirinë e lëvizjes

Kfori në Kosovë
Kfori në KosovëFotografi: AP

Grupi politik strategjik i Kosovës, është duke punuar në plotësimin e një pyetësori të kryenegociatorit ndërkombëtar, Marti Ahtisari, i cili ka kërkuar nga udhëheqësit në Kosovë që të përgjigjen dhe të japin argumente shtesë për shumë çështje të ndjeshme që do të diskutohen gjatë bisedave për statusin. Ndër çështjet që më së shumti i interesojnë ndërmjetësuesit ndërkombëtar, janë të drejtat e pakicave në Kosovë dhe liria e lëvizjes së tyre. Blerim Shala, është koordinator i grupeve punuese në bisedimet për statusin: Kemi të bëjmë me çështje të veçanta, sa i përket të drejtave të qarkullimit, të komuniteteve pakicë, lëvizjes së qarkullimit, interesit vital- Është një pyetësor mjaft i qartë, që me siguri do të përdoret prej delegacionit të Ahtisarit në përpilimin e materialeve të veçanta, kur vjen momenti për arritjen e marrëveshjes politike - u shpreh Blerim Shala.

Ndërmjetësuesi ndërkombëtar në bisedimet për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari sot do të qëndrojë në Beograd. Pasnesër ai do të qëndrojë edhe në Prishtinë për të marrë përgjigjjet e palës kosovare për çështjet që atij i interesojnë. Pala kosovare qysh pas takimit të Vjenës është duke punuar vazhdimisht për të plotësuar këtë pyetësor para ardhjes së ndërmjetësuesit ndërkombëtar në Kosovë.

Pritet që Grupi politik strategjik, gjatë ditës së sotme të finalizojë pytësorin me përgjigjje të argumentuara në fakte të kërkuara nga ndërmjetësuesi ndërkombëtar. Pyetësori me përgjigje të përfunduara duhet të miratohet edhe nga niveli më i lartë politik në Kosovë, Grupi Negociator. Ky mekanizëm i lartë politik gjatë kësaj jave do të ketë takime të ngjeshura.

Një takim tjetër pritet pasnesër në Prishtinë edhe me ndërmjetësuesin ndërkombëtar, Marti Ahtisari, ku do të shqyrtohen hapat e mëtejshëm në procesin e bisedimeve për statusin final të Kosovës.


Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW