Që gratë të mos mbeten të humburat - Fillon në Gjermani fushata UNIFEM për arritjen e objektivave të mijëvjeçarit
26 Shtator 2008Në Gjermani do të nisë fushata UNIFEM nën moton "Gratë kujdesen". Synimi i saj është që gratë të mos jenë edhe më tej të humburat e globalizimit.
1,4 miliardë njerëz në glob jetojnë ende në varfëri ekstreme dhe 70 për qind e tyre janë gra. Këto shifra alarmuese në raportin aktual të Kombeve të Bashkuara mbi vënien në jetë të tetë objektivave të mijëvjeçarit për zhvillimin bëjnë të qartë se gratë janë veçanërisht të prekura nga pasojat shkatërrimtare të krizës globale të produkteve ushqimore dhe të ndryshimit të klimës. Në hapje të fushatës UNIFEM në Gjermani përfaqësuese të shoqërisë civile bëjnë një bilanc kritik:
"... Unë mendoj se është shumë alarmuese që veçanërisht gratë janë të prekura shumë konkretisht dhe që në këtë fushë janë bërë përparimet më të vogla që prej vitit 2000. Le të marrim konkretisht objektivin për shëndetin e nënave. Si dhe më parë çdo minutë vdes një grua në botë si pasojë e komplikacioneve gjatë shtatzanisë ose lindjes. Në një botë aq të pasur si kjo e jona ky është një skandal."
Kështu shprehet Renee Ernst, e ngarkuara në Gjermani për fushatën e mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara.
Në të ashtuquajturat objektiva të mijëvjeçarit vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara u zotuan ndër të tjera të reduktonin me tre të katërtat vdekshmërinë e nënave deri në vitin 2015.
Për të krijuar edhe në Gjermani më shumë ndërgjegjësim dhe vendosmëri për arritjen e tetë objektivave të mijëvjeçarit, UNIFEM synon të bëjë të qarta me tetë aktivitete dhe shumë aksione ndërvarësitë e tyre. Edhe qeveria gjermane është një nga adresatët e fushatës "Gratë kujdesen":
Më shumë barazi gjinore dhe forcim i rolit të gruas - i treti nga tetë objektivat e mijëvjeçarit është sipas UNIFEM parakusht për arritjen e objektivave të tjerë. Vetëm nëse shfrytëzohet potenciali i grave mund të kenë shanse zhvillimi rajonet e varfëra. Shanse të cilat deri tani nuk janë shfrytëzuar:
"Çmime në rritje të energjisë, krizë financiare, të gjitha këto janë shenja që tregojnë se shumë gjëra nuk shkonin në struktura. Dhe janë pikërisht reformat strukturore ato me të cilat duhet të merremi tani. Për mendimin tim këtu bën pjesë edhe vëmendja më e madhe ndaj debatit për drejtësi gjinore", shprehet Renne Ernst.
Më shumë arsimim, më shumë pjesëmarje dhe një politikë më e drejtë tregtie e cila do t'u ofronte shanse edhe prodhueseve në zonat rurale. Të gjitha këto mund të eliminonin diskrimimin e grave dhe njëkohësisht t'u mundësonin atyre një rol më të rëndësishëm në luftimin e varfërisë. Renne Ernst pyet:
"Në një kohë si kjo që po përjetojmë aktualisht ku papritur mobilizohen shuma miliardëshe për t'iu kundërvënë një krize financiare, në këtë botë pra nuk qenka e mundur të vihet në dispozicion një pjesëz e vogël e kësaj shume që njerëzit të mund të kenë një jetë me dinjitet?"