Qëndrimi i Athinës ndaj një Kosove të pavarur
11 Dhjetor 2007Çështja e Kosovës përbën një sprovë të vështirë për diplomacinë greke, sprovë që më sot është kaluar me sukses. Kjo falë realizmit të saj politik që e ka mbajtur gjithnjë të bashkërenduar me partnerët e saj evropianë duke mos e penguar njëkohësisht që të bejë evidente edhe rezervat e saj si vend ballkanik me relata historike me Beogradin.
Për Kosovën Greqia lë mënjanë Qipron
Kjo ndodhi edhe kësaj radhe, në takimin e djeshëm të ministrave të jashtëm të B.E. në Bruksel, ku Athina u njesua me qendrimin evropian duke e lenë bile shtetin simotër, Qipron, me lidhjet e saj të ngushta me Beogradin dhe Mosken, si të vetmen kundërshtare të pavarësisë së Kosovës nga frika e një precedenti dhe për pjesën veriore turkoqipriote të ishullit të saj.
Pikësynimi i vendimeve tona do të jetë sigurimi i stabilitetit dhe i paqes si edhe interesat më të gjera greke në rajon, tha shefja e diplomacisë greke Bakojani në konferencen e posaçme për shtyp me gazetarët grekë ku nënvizoi se kursi i Athinës do të jetë një politikë e përgjegjshme pa levizje dhe vendime të nxituara
Pjesëmarrja e Greqisë në misionin evropian në Kosovë, që do të zevendësojë KFOR-in as që diskutohet, siç u bë e qartë edhe nga ministria greke e cila theksoi nevojen e një qëndrimi unik evropian duke e cilësuar Kosoven një problem kryesisht evropian dhe ruajtjen e sigurisë në rajon problem themelor.
Si do të reagonte Greqia kur të shpallej pavarësia?
Ministrja e jashtme greke, Bakojani, shprehu vlerësimin se kjo nuk do të bëhet 15 ditët e ardhshme. Njohja e pavarësisë është çështje e çdo shteti në veçanti por edhe objekt diskutimi në nivel evropian por edhe midis shteteve të rajonit, vuri në dukje ajo. "Vendet e rajonit kanë përgjegjësi akoma më të madhe... dhe duhet të shohim se si do të kontribuojmë me vendimet tona" tha Bakojani e cila paralajmëroi një takim trepalesh për këtë çështje me homologët e saj të Bullgarisë dhe Rumanisë më 22 dhjetor në Athinë.