Qendra e të Rinjve për Bashkëpunim Rajonal dhe synimet
4 Korrik 2016 DW: Për çfarë projekti bëhet fjalë?
Krenare Gashi: Unë jam përfaqësuese e shoqërisë civile në procesin për krijimin e një Qendre për Bashkëpunimin Rajonal të të Rinjve (RYCO), e cila ka për qëllim mbështetjen e shkëmbimit mes të rinjve në Ballkanin Perëndimor. RYCO synon bashkëpunimin në fusha dhe rajone të ndryshme, me qëllim që të rinjtë e ngarkuar me të kaluarën të kenë një perspektivë më të mirë në të ardhmen.
Çfarë do të ndodhë pas nënshkrimit?
Aktualisht RYCO është një ide e lindur në Procesin e Berlinit dhe e iniciuar në konferencën e Vjenës, vitin e kaluar. Prej verës së kaluar, anëtarët e grupit punues kanë hartuar një dokument dhe i kanë bërë gati të gjitha me qëllim që nënshkrimi i Qendrës të bëhet në Paris. Kjo do të ndodhë zyrtarisht gjatë samitit të Parisit, me nënshkrimin e gjashtë kryeministrave, ndërsa operacionalizimi i plotë presim të ndodhë në janar të vitit 2017.
Çfarë mund të pritet nga kjo Qendër?
Nga janari i vitit 2017, kjo do të jetë pjesa më e bukur e gjithë idesë për RYCO, sepse ajo do të jetë e gatshme për veprim të plotë. Qendra do të mbështesë ide dhe projekte që shtrihen në të gjitha fushat e RYCO - projekte dhe aktivitete për pjesëmarrjen e të rinëve në kulturë, edukim, shkencë, kërkime...Të gjithë të rinjtë nga vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë ide dhe projekte që shkojnë në këtë drejtim janë të mirëseardhur. Selia e Qendrës do të jetë në Tiranë, por Qendra do të ketë edhe përfaqësitë e veta në të gjashtë vendet e rajonit.
Cili do të jenë përfitimet nga kjo Qendër?
Kjo është e domosdoshme për të shkuar përpara. Unë besoj se vendosja e bashkëpunimit rajonal e të rinjve është shumë me rëndësi. Kur shikojmë gjeografinë - territori i Ballkanit Perëndimor është shumë i vogël nëse e ndajmë në vende të ndryshme. Por nëse jemi së bashku dhe bashkëpunojmë, atëherë mund të japim kontributin tonë për zhvillimin e rajonit dhe për pajtimin, i cili është një qëllim që duhe të ndjekin të gjitha vendet e Ballkanit. Një gjë tjetër e rëndësishme: i gjithë Ballkani Perëndimor është i interesuar për integrime evropiane, por integrimi evropian nuk është i mundur pa vendosjen e bashkëpunimit rajonal.
Si komunikoni ju mes jush?
Ekzistojnë kanalet e komunikimit në kuadër të RYCO dhe faqes zyrtare të RYCO westernbalkans( ryco.com ) ku të rinjtë dhe palët e interesuara mund të marrin më shumë informacione për zhvilimet dhe gjërat që do të bëhen. Një kanal tjetër i rëndësishëm është Zyra Franko-Germane e të rinjve, e cila e ndihmon gjithë projektin. Pra përmes tyre mund të merren të gjitha informacionet për RYCO. Unë jam shumë e bindur se RYCO është, siç themi ne "një bebe e vogël", e cila do të hapë dritaret për ne të rinjtë nga Ballkani Perëndimor.
Sa është investuar deri tani dhe nga kush?
Dy milionë euro, një pjesë e tyre nga gjashtë vendet anëtare. Dhe i gjithë procesi është mbështetur nga institucionet evropiane, Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian.
Krenare Gashi është vetëm 23 vjeçe dhe është drejtore e Kosovo Youth Center´s Netweg në Prishtinë. Ajo është përfaqësuese e shoqërisë civile kosovare në bashkëpunimin rajonal në Qendrën RYCO.