1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qendra jemi ne - kongresi i kristiandemokratëve në Hanover

Filaj-Ballvora, Vilma4 Dhjetor 2007

Ndër temat më të komentuara të shtypit gjerman është sot kongresi i partisë kristiandemokrate, që po zhvillon punimet në Hanover dhe fjalimi i kancelares Angela Merkel.

Fotografi: DW

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton: "(...)Unioni kristiandemokrat/kristiansocial e ka zgjeruar bazën e vet në aspektin e politikës sociale. Kjo parti ka përvetësuar të gjithë terrenin e politikës sociale, të familjes dhe të sigurisë, fusha këto që socialdemokracia nuk ka mundur t´i zotërojë mjaftueshëm. Sa herë që socialdemokratët kanë pasuar partinë e majtë, kristiandemokratët janë spostuar majtas, në shumicën e rasteve madje pa i vrarë ndërgjegja. Me të drejtë kryetarja e tyre mundi të thotë, se qendra jemi ne.(...) Kristiandemokratët e ndjenë veten të konfirmuar në qeverisje pa socialdemokratët. Nuk ishte hera e parë në Hanover, që kancelarja u jep të kuptojnë gjermanëve, se kristiandemokratët janë po aq mbrojtës të shtetit social dhe të "drejtësisë sociale" sa edhe socialdemokratët."


Ndërsa "Süddeutsche Zeitung" komenton: "Merkeli bën reklamë për politikën e qendrës duke reaguar ndaj spostimit majtas të socialdemokratëve. Por për këtë spostim majtas kristiandemokratët më tepër flasin, se sa ai ndodh në të vërtetë. Për këtë nuk ndryshon asgjë nxjerrja në pah fantazmës së socializmit demokratik nga programi i socialdemokratëve. Spostimi gjoja majtas i partisë socialdemokrate në radhë të parë ka për qëllim të mbulojë me një petk të ri korrigjimet që i ka bërë partia kursit të vet."


Ndërsa për komentatorin e "Berliner Morgenpost": "Merkeli ia doli jashtëzakonisht mirë që të tërheqë pas vetes të gjitha krahët e partisë. E kësisoj nga e djathta në të majtë në radhë të parë duhet të arrihet vetëm një gjë: një parti e qendrës. Kjo është edhe motoja e kongresit. Kësaj duhet t´ia arrijnë kristiandemokratët nëse duan që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të krijojnë një koalicion me forcat e veta. Kjo pasi partneri i dëshiruar prej Merkelit, partia liberale është e dobët dhe për një fitore bindëse në zgjedhje unionit i duhet të sigurojë mbi 40% të votave. Kjo arrihet vetëm duke u distancuar gjithnjë e më shumë prej partnerit socialdemokrat të koalicionit.