Qendra rinore në Kosovë
24 Mars 2011
Arianit Cacaj dhe moshatarët e tij i janë gëzuar shumë hapjes së Qendrës Rinore në Deçan, në të cilën loja e ping-pongut është më e pakta që mund të gjejnë: "Kjo don të thotë shumë për ne, se më parë s´kishim ku të aktivizohemi dhe të kalojmë kohën e lirë, si të rinj që jemi. Përpara veç në shkollë, n´shpi apo të pimë ndonjë kafe me shokë. Ndërsa tash është shumë mirë, se meqënse mësimin e kryej paradite, pasdite shpesh vij në Qendrën Rinore dhe e kaloj kohën e lirë duke u marrë me aktivitetet që ofron qendra," thotë Arianiti.
Dhe deri me përurimin e kësaj Qendre Rinore, jeta e një të riu deçanas ishte tejet e varfër, ndërsa mungesa e hapësirave për aktiviteteve ndikoi në politizimin e tyre dhe me këtë rinia u parcializua. "Mirëpo, kjo me kohë po thehet dhe në të ardhmen mendojmë ta thejmë gjithnjë e më shumë. Sepse, tash bajmë aktivitete të ndryshme sportive si dhe kemi hapësirë të mjaftueshme për edukim joformalë. Kjo është mundësi e mirë që të rinjtë të tërhiqen edhe nga politika, sepse kanë hapësirë ku pas procesit mësimor mund të kalojnë kohën e lirë," thotë Ardian Binakaj, Koordinator i Qendrës Rinore dhe Kryetar i Këshillit për Veprim Rinor Local, në Deçan.
Të rinjtë kosovare meritojnë më tepër
Në shtator vitit 2009, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë. Kjo u pasua me miratimin e Strategjisë Kosovare dhe Planit të Veprimit për Rini 2010-2012 nga qeveria e Kosovës, e cila përfshin pjesëmarrjen rinore, edukimin joformal, punësimin, kujdesin shëndetësor për rini si dhe kulturën, sportin e rekreacionin. Në kuadër të kësaj strategjie vjen edhe themelimi i 16-të Qendrave Rinore në Prishtinë, Prizren, Fushë-Kosovë, Istog, Pejë, Klinë, Gjilan, Dragash, Qaber, Priluzhe, Lipjan, Skënderaj, Ugljare, Vushtri, Rahovec dhe Shterpcë.
Kjo s´do të ishte e mundur pa mbështetjen e donatorëve, thotë Driton Rukiqi, Drejtor i Departamentit të Rinisë, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës: "Siç dihet, ne si Departament i Rinisë kemi buxhet të vogël. Mirëpo, me numrin e madh të të rinjve, të organizatave të shumta rinore dhe me ndihmën e donatorëve siç e kemi GIZ-në, Bankën Botërore, Usaid-in, SIDA-n suedeze dhe donatorë të tjerë, kemi arritur të themelojmë këto Qendra Rinore që të rinjtë tanë të ndjehen mirë. Ndërsa sivjet ministria jonë ka një buxhet me të madh dhe besojmë në mbështetje edhe më të madhe rinisë sonë, sepse e meriton," thotë drejtori Rukiqi.
Në Kosovë, rinia përbën gjysmën e popullatës
"Në Kosovë, më se gjysma e popullatës është nën moshën 25 vjeçare; motiv ky i mjaftueshëm për shtytjen e projektit për Fuqizimin dhe Zhvillimin e Rinisë në Kosovë (EDYK) të cilin në emër të Ministrisë Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e implementon Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ). Në nëntor të vitit 2010, me qëllim të implementimit të Strategjisë Kosovare të Rinisë dhe Planit të Veprimit për Rini në nivel lokal, EDYK së bashku me zyrtarët komunalë për rini dhe Këshillat e Veprimit Rinor Lokale iniciuan përpilimin e Planeve të Veprimit Rinor Lokal në 26 komuna të Kosovës. Në kuadër të projektit hyn edhe hapja e Qendrave Rinore në 26-të qendra të Kosovës, pesë prej të cilave mbështeten nga GIZ”- shpjegon Gynter Grzybek, udhëheqës i Programit për Fuqizimin dhe Zhvillimin e Rinisë në Kosovë (EDYK), i cili premton mbështetjen e mëtutjeshme të GIZ-së për Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve.
Dhe kjo, sepse: “Akvititetet e GIZ-së e veçanërisht të projektit EDYK për vitin 2011-të, do të fokusohen në implementimin e Planit Strategjik për Rininë, në implementimin e Ligjit për Rini, në zhvillimin e Planeve të Veprimit për Rini si dhe në mbështetjen e Këshillave dhe të drejtorive për rini nëpër komuna. Në këtë kontekst është paraparë që organizatat rinore dhe të rinjtë, të organizohen në të ashtuquajturat “Këshilla të Veprimit Rinor lokal (KVRL)”. Dhe, kjo shkon nëpërmjet pushtetit lokal ku të rinjtë mund të artikulojnë të drejtat dhe mundësitë, në mënyrë që të mundësohet përfshirja e tyre në proceset politike dhe shoqërore”, thotë Grzybek, sipas të cilit krahasimi i pozitës së rinisë gjermane me atë kosovare është i pamundur për shkak të rrethanave të ndryshme në të cilat janë rritur dhe jetojnë.
Gjermania është donatori më i madh në Kosovë pas SHBA-së
Që nga viti 1999, qeveria gjermane nëpërmjet Organizatës për Bashkëpunim Teknik (GTZ) dhe Bankës Gjermane për Zhvillim(KFW) i ka vënë në dispozicion mbi 320 milionë euro për rimëkëmbjen e Kosovës Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombtar(GIZ), pasardhëse e GTZ-së, e cila kombinon përvojën shumëvjeçare të Shërbimit Gjerman për Zhvillim(Deutsches Entwicklungdienestes) është aktive në mbarë botën në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim të qëndrueshëm si dhe në sektorin e edukimit ndërkombtar. Ndërsa, me implementimin e projektit EDYK (Programi për Fuqizimin dhe Zhvillimin e Rinisë në Kosovë), Republika e Kosovës ka arritur një sërë rezultatesh në integrimin e të rinjve në proceset e zhvillimeve shoqërore, ekonomike dhe politike.
Autor: Ajete Beqiraj
Redaktoi: Aida Cama