1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qendrat gjermano-afrikane për klimën

29 Mars 2012

Për shumë vende të Afrikës ndryshimi i klimës është problem. Por në vend që të veprojnë së bashku, shtetet shpesh grinden për ujë dhe tokë. Një projekt gjermano-afrikan kërkon ta ndryshojë këtë.

SASSCAL- Aufbau von Kompetenzenzentren für Klimawandel und Landnutzung im Südlichen Afrika
Fotografi: Norbert Jürgens

Nëse parashikimet janë të sakta, atëherë jugu i kontinentit do të preket më rëndë: me deri shtatë gradë mund të rritet temperatura mesatare në Afrikën e Jugut deri në fund të shekullit si pasojë e ndryshimit global të klimës. Nëse atje do të jetojnë ashtu si parashikohet, dy herë më shumë njerëz se tani, veç katastrofave të pritshme nga përmbytjet dhe thatësirat mund të shfaqen edhe probleme të tjera: shfrytëzimi i lëndëve të para do të rritet si dhe nevoja për tokë për bimë bioenergjitike dhe do të shtohet bllokimi i sipërfaqeve nga masat për banim. Këto janë probleme globale për të cilat tani kërkohen përgjigje rajonale.

Qendrat për mbrojtjen e klimës mbështesin vazhdimin e punës kërkimore

Një iniciativë e re kërkimore gjermano-afrikane synon të nxisë shkëmbimin e dijes në rajon përmes bashkëpunimit: SASSCAL (Southern African Science Service Center for Climate Change and Adaptive Land Management). Gjermania së bashku me vendet partnere afrikane Namibinë, Angolën, Botsvanën, Zambian dhe Afrikën e Jugut po ndërton një qendër kompetence për masa në mbrojtje të klimës në Windhuk të Namibisë. Një tjetër qendër kompetence do të ngrihet në Afrikën perëndimore. Vendet partnere atje janë Benini, Burkina Fazo, Bregu i Fildishtë, Gambia, Gana, Mali, Nigeri, Nigeria, Senegali dhe Togo.

Në të dyja qendrat studiuesit në të ardhmen do të mbledhin fakte për pasojat rajonale të ndryshimit të klimës si dhe do të zhvillojnë koncepte të përshtatshme për vendet përkatëse. Çdo vit në secilën prej qendrave të kompetencës do të marrin kualifikim akademik rreth 100 afrikanë, si studentë, doktorandë, bashkëpunëtorë shkencorë apo teknikë, thotë koordinatori i projektit SASSCAL, profesor Norbert Jürgens nga Universiteti i Hamburgut.

SASSCAL- ngre qendra kompetence kundër ndryshimeve të klimës në shfrytëzimin e tokaveFotografi: Norbert Jürgens

Schavan: struktura të qendrueshme në rajon

Synimi është që studiuesit "të mos kenë nevojë të largohen për të kryer punë kërkimore gjetkë, por t'i kenë këto mundësi në rajon", thotë Ministrja gjermane për Shkencën Annette Schavan. Për projektin pesëvjeçar SASSCAL ministria e saj ka vënë në dispozicion 100 milionë euro. Me këto mjete do të pajisen laboratorët e rinj dhe do të financohet kualifikimi teknik i personelit. "Ne po ngremë një strukturë rajonale afatgjatë, e cila mbështetet dhe drejtohet nga partnerët afrikanë dhe për ngritjen e kësaj strukture Gjermania do të japë një kontribut", thotë ministrja gjermane e Shkencës Schavan. Edhe për ambasadorin namibian në Gjermani Neville M. Gertze, bashkëpunimi është një rast fatlum: "SASSCAL është një projekt kërkimor me Afrikën dhe jo një projekt në apo për Afrikën."

Menaxhim i përbashkët i ujit përtej kufijve

Shembulli i Namibisë bën të qartë se veprimi i përbashkët nevojitet urgjentisht: tre herë radhazi presidenti Pohamba u detyrua të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme gjatë kohës së shirave. Vendi nuk u godit nga thatësira ekstreme por nga katastrofat e përmbytjeve. Një vit më parë si pasojë e tyre mbetën të pastrehë rreth 38.000 vetë.

Afrika e Jugut vuan ndryshimet e klimësFotografi: Norbert Jürgens

SASSCAL synon të mundësojë komunikimin mes vendeve në rajon para së gjithash në fushën e menaxhimit të ujit përtej kufijve dhe në shfrytëzimin e tokës. Koordinatori i projektit SASSCAL Norbert Jürgens vë në dukje përparësinë e stacioneve meteorologjike. "Vetëm atëherë mund të hartohen modele më të mira parashikimi moti", thotë koordinatori. Bashkë me mbikqyrjen nga satelitët mund të ndiqen kështu valët e rrymave të mëdha të përmbytjeve dhe të plotësohen nga një sistem parashikimi të hershëm. Atëherë edhe planet e emergjencës për popullsinë do të jenë më eficiente.

Autor: Richard Fuchs/Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW