Qeveria e Kosovës: kompromiset e reja për rajonet me serbë do ta bënin vendin jofunksional
11 Gusht 2008Qeveria e Kosovës, thotë se në veri të Kosovës, duhet të vendoset rendi dhe ligji dhe të zbatohet Kushtetuta e Kosovës, e cila garanton tërësinë e saj teritoriale pa ndarje dhe statuse speciale. Në këtë kuadër, qeveria hedh poshtë idenë e ish të dërguarit të posaçëm të BE-së për Kosovën, Volfgang Petriç, i cili ka thënë se veriu i Kosovës, duhet të ketë një status të posaçëm në kuadër të Kosovës si një zgjidhje kalimtare. Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, thotë se Kosova tashmë ka bërë kompromisin më të madh,kur ka pranuar dhe po zbaton planin e Marti Ahtisarit.
"Logjika e ndarjeve etnike dhe ndarjeve administrative nuk ka funksionuar dhe është dëshmuar se ka qenë shembull i keq. Logjika e ndarjeve etnike, është logjikë e viteve 90 dhe që e ka instaluar regjimi i Millosheviçit. Tash është koha e integrimeve edhe etnike edhe rajonale", thotë Kuqi.
Në veri të Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, nuk funksionon rendi e ligji dhe serbët në këtë rajon, të mbështetur nga Serbia dhe Rusia, kundërshtojnë vendosjen e Misionit të BE-së EULEX. Ata thonë se misioni evropian është i paligjshëm në Kosovë. Qeveria po bënë përpjekje që të integrojë serbët në shoqërinë kosovare, por sukseset në këtë drejtim kanë qenë shumë të pakta. Për veriun e Mitrovicës, qeveria ka pranuar që serbët e asaj pjese të kenë komunën e tyre. Por ajo duhet të funksionojë së bashku me komunën shqiptare të jugut, nën ombrellën e një qyteti të pandarë. Kjo formulë, nuk është e pranueshme për serbët. Ata tashmë kanë krijuar strukturat e tyre paralele dhe që i përgjigjen vetëm qeverisë së Beogradit. Këto struktura paralele serbe janë të paligjshme për qeverinë e Kosovës dhe praninë ndërkombëtare dhe të dy mekanizmat janë deklaruar se nuk do të ketë bashkëpunim me strukturat paralele serbe.