Raporti:Qeveria e Kosovës reagon ashpër ndaj Bankës Botërore
4 Prill 2019Qeveria e Kosovës i ka konsideruar "të pavërteta dhe të pabazuara”, disa shifra të raportit të Bankës Botërore, ku në pjesën për Kosovën u tha se "në vitin 2018 tregu i punës në Kosovë është zvogëluar me 17 mijë vende pune”. Në një reagim të qeverisë së Kosovës, thuhet se "të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, (ASK) Banka Qendrore e Kosovës (BQK) por edhe Raporti Financiar për Shpenzimet e Buxhetit për vitin 2018, për zhvillimet makroekonomike në Kosovë, flasin krejt ndryshe, nga rezultatet e Bankës Botërore.
Qeveria e Kosovës kërkon informacione nga Banka Botërore
Sipas qeverisë, bazuar në të dhënat e publikuara së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) del se shkalla e papunësisë është zvogëluar 1% në krahasim me vitin 2017”. "Raporti në fjalë nuk e qartëson, se cilat janë kriteret dhe metodologjia e përdorur për hartimin e një raporti me konstatimin përfundimtar se janë humbur 17 mijë vende të punës dhe ne si Qeveri, menjëherë kemi kërkuar informacione të sakta, se cili është burimi dhe cilat janë metodat e punës në mbledhjen dhe paraqitjen e këtyre shifrave”, thuhet në reagimin e qeverisë.
Në raportin e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, pjesa për Kosovën, lidhur me humbjen e vendeve të punës u tha se "rimëkëmbja e numrit të të punësuarve gjatë gjysmës së dytë të vitit 2018 nuk arriti të kompensojë humbjet e vendeve të punës në gjysmën e parë. Pjesëmarrja e ulët në fuqinë punëtore është kronike, me 40.9 për qind si pjesë e popullsisë në moshë pune”, thuhej në raport.
Sqarimi i Bankës Botërore
Pas reagimit të qeverisë lidhur me shifrat e raportit, zyra e Bankës Botërore në Kosovë, doli me sqarim duke thënë se "bazuar në anketën tremujore të fuqisë punëtore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuar më 19 mars, 2019, ka një rënie të shkallës vjetore së papunësisë prej rreth 1 pikë%”.
"Ky është numri i të papunësuarve si përqindje e fuqisë punëtore aktive totale. Në të njëjtën kohë, ka pasur një rënie të numrit të njerëzve që kanë marrë pjesë në tregun e punës. Bazuar në të dhënat nga anketa e njëjtë e fuqisë punëtore, RER komenton se krijimi i vendeve të punës neto në periudhën korrik-dhjetor 2018 ende nuk kishte kompensuar plotësisht humbjet e vendeve të punës neto në dy çerekët e parë të vitit. Kjo ka çuar në një rënie të vlerësuar të shkallës së punësimit që është numri i të punësuarve si përqindje e popullsisë në moshë pune prej 1 pikë përqindje në çerekun e katërt të vitit 2018 në krahasim me çerekun e njëjtë në 2017, një diferencë prej 7900 vendeve të punës, sipas anketës së fuqisë punëtore”, thuhet në sqarimin e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë.
Por, si i komentojnë ekspertët e ekonomisë, të gjeturat nga raporti i Bankës Botërore për Evropës Juglindore, pjesa për Kosovën. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një analizë të tij, komenton pesë konkluzionet e Bankës Botërore ku thuhej se në vitin 2019 "Kosova, do të ketë 4.4 % rritje ekonomike e ndikuar nga investimet publike, remitencat, rritja e kredive për konsum dhe rritja e skemave sociale”. "Rritja ekonomike më e larta ne rajon, padyshim është lajm i mirë, por burimet e rritjes nuk janë të qëndrueshme. Sektori privat dhe investimet private duhet të jenë burimi kryesor i rritjes ekonomike”, thotë Berat Rukiqi.
Pse rënie e punësimit?
Raporti i Bankës Botërore, konstaton "rritje të ndikimit të sektorit të turizmit në rritjen ekonomike në vend, por, sipas zotit Rukiqi, "referenca e rritjes së ndikimit të sektorit të turizmit në rritjen ekonomike, është turizmi nga diaspora kosovare, nga vizitat e tyre në vendlindje”. Në Raportin e BB-së saktësohet një rënie e papunësisë për 1% në vitin 2018, por edhe rënie 3.4% në punësim. Sipas Berat Rukuqit, "këto dy shifra mund të duken në kontradikte njëra me tjetrën.
"Shpjegimi mund të gjendet në numrin e personave që kanë migruar dhe kanë gjetur vende pune, në vende të ndryshme (30,000 leje pune vetëm nga Gjermania). Rënie të punësimit ka në sektorin e ndërtimtarisë dhe të prodhimit, në kohën kur këta sektorë kanë deklaruar vazhdimisht performancë më të mirë në vitin 2018 dhe në të njëjtën kohë shqetësimin kryesor të deklaruar e kanë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar. Ndërsa, rritje të punësimit ka në sektorin e tregtisë dhe në sektorin publik”, thotë Rukiqi. Dhe së fundi në raportin e Bankës Botërore, thuhet se "shqetësimi kryesor për qytetarët e Kosovës është punësimi (70% e të pyeturve në anketa të ndryshme, të përfshirë në raport japin këtë përgjigje). Si barrierë kryesore për punësim, konsiderohet mungesa e vendeve adekuate të punës.
Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, "krijimi i vendeve të punës duhet bërë në sektorin privat e jo në atë publik. "Nuk ka dyshim, agjenda kryesore për vendin duhet të jetë krijimi i vendeve të reja të punës: jo në sektorin publik, por në sektorin privat. 55.3% është papunësia te të rinjtë dhe kjo shifër e përcakton edhe fokusin. Politikat publike duhet të fokusohen në rritjen e atraktivitetit për vende të reja të punës në sektorin privat. Ligji i pagave është shembull i keq për ndikimet në atraktivitetin për investime dhe vende të reja të punës”, shprehet Berat Rukiqi.
Parlamenti i Kosovës në fillim të muajit shkurt miratoi Ligjin për pagat ku pagat në sektorin publik kanë shënuar rritje të madhe. Ndërkohë, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia në Kosovë llogaritet të jetë 30 për qind.