1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e Kosoves nuk pranon propozimin serb që doganat e Kosoves të quhen EULEX-Kosovo-Carina

31 Gusht 2010

Mallrat e Kosovës me mbishkrimin Republika e Kosovës nuk mund të hyjnë në territorin e Serbisë. EULEX-i nuk dëshiron të përfshihet në këtë çështje. Ai thotë se për shkëmbime tregtare duhet të të ketë marrëveshje politike

PrishtinaFotografi: DW

Qeveria e Kosovës nuk pranon që në mallrat kosovare të vendoset mbishkrimi, EULEX-Kosovo-Carina, por është e vendosur që mallrat kosovare, që janë për eksport, të mbajnë mbishkrimin Republika e Kosovës. Ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka thënë se Serbia është e gatshme të pranojë dokumentet e mallrave, që vijnë nga Kosova, nëse ato mbajnë mbishkrimin EULEX-Kosovo-Carina.

Bogdanoviq: “Mallrat kosovare, që mbajnë mbishkrimin EULEX-Kosovo-Carina, mund të hyjnë në Serbi.”

Sipas tij kjo do të ishte zgjidhja më e mirë dhe atëherë Serbia do të lejonte mallrat kosovare, që të hyjnë në tregun serb dhe të kalojnë tranzit nëpër territorin e Serbisë. Që nga shpallja e pavarësië Serbia nuk lejon që mallrat kosovare të hyjnë në tregun serb.

Zyrtarë të EULEX-it, mision ky që është përgjegjës për doganat e Kosovës, i thanë DW se "ky mision është një mision teknik dhe nuk përfshihet në çështje politike". Sipas tyre çështja rreth mbishkrimeve në mallrat kosovare në raport me Serbinë është një çështje politike, që të dyja vendet duhet të dakordohen njëra më tjetrën.

Safet Gerxhaliu, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës.Fotografi: DW

Mallrat e Serbisë lejohen të hyjnë në Kosovë. Kryetari i Odës ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë për programin tonë se Kosovës po i shkaktohen humbje të mëdha nga bllokada e Serbisë.

Bllokada e Serbisë për mallrat kosovare i shkakton humbje të mëdha ekonomike Kosovës

“Nga Serbia në Kosovë mund të depërtojnë produkte të shumta dhe sipas statistikave në formë legale nga Serbia në Kosovë brenda vitit hyjnë mbi 200 milionë euro mallra dhe kur kësaj i shtohen edhe mallrat, që hyjnë nga informaliteti, apo ekonomia e kriminalizar, që ndoshta e arrin shifrën po ashtu 200 milionë, atëherë paramendojeni një shtet i vogël dhe i varfër siç është Kosova, ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin ekonomik dhe social në Serbi”, thotë Safet Gërxhaliu.

Kosova në fund të vitit 2007 nënshkroi marrëveshjen e CEFTA-as, marrëveshje kjo, që lejon shkëmbim të lirë tregtar me vendet e rajonit. Në emër të Kosovës nënshkrues i marrëveshjes ishte UNMIK. Mirëpo që nga shpallja e pavarësisë, Kosova pati telashe në respektimin e kësaj marrëveshje nga Serbia.

Kosova vitin e ardhshëm merr kryesimin e radhës së CEFTA-as

Lutfi Zharku, ministri i Tregtisë dhe Industrisë në qeverinë e Kosovës.Fotografi: DW

Sipas radhës Kosova vitin e ardhshëm merr kryesimin e radhës së marrëveshjes së CEFTA-as. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku thotë për DW-së se ai beson se kjo cështje do të zgjidhet deri vitin e ardhshëm.

“Sipas radhës ne duhet që vitin e ardhshëm ta marrin kryesimin e CEFTA-as. Ne kemi problem me vendet, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Probleme kemi pasur edhe me Malin e Zi, i cili e ka njohur Kosovën mirëpo, meqenëse marrëveshja është nënshkruar në emër të UNMIK-ut, ky shtet e ka kontestuar pjesëmarrjen e Kosovës në takim. Mirëpo ne po bëjmë të gjitha përpjekjet, që kjo çështje të zgjidhet gjatë këtij viti, në mënyrë që vitin e ardhshëm të mos kemi problem me përfaqësimin e Kosovës“, thotë ministri Zharku.

Çështja e doganave dhe shkembimet tregtare Kosovë-Serbi thuhet se duhet të jetë pjesë e bisedave teknike, Prishtinë-Beograd. Mirëpo kryetari i Odës ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, thotë se kjo çështje duhet diskutuar në Bruksel.

“Sepse sponzorizues i të gjitha marrëveshjeve, qoftë bilaterale, qoftë multilaterale ka qenë Komisioni Evropian dhe është sekretariati i CEFTA-as ai, që e monitoron një gjë të tillë. Pra është koha, kur duhet të bëhet shumë më tepër presion në sekretaritin e CEFTA-as, sesa të humbin kohë në bisedime teknike“, thotë Safet Gërxhaliu.

Sipas statistikave të ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë Kosova afro 80 përqind importon mallra, ndërsa eksporton vetëm 20 përqind. Sipas ekspertëve të ekonomisë për shkak të problemeve, që ka Kosova me Serbisë dhe jo më pak probleme edhe me Bosnjen dhe Hercegovinën në shkembimet tregtare, Kosova llogaritet vendi, që eksporton më së shumti para në rajon, ndërsa është vendi, që importon më së shumti mallra.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica