1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukraina kërcënon të humbasë ndihmën e SHBA në vitin e ri

5 Dhjetor 2023

Burimet financiare të SHBA për Ukrainën praktikisht kanë shteruar. Kongresi duhet të autorizojë fonde të reja, por ka rezistencë. Kreu i Zyrës së Buxhetit Kombëtar ka bërë një apel urgjent.

Ushtar ukrainas në Kupjansk duke marrë shënjestër, përretha ka borë
Ushtar ukrainas në KupjanskFotografi: Ozge Elif Kizil/AA/picture alliance

Mbijetesa e Ukrainës varet kryesisht nga Shtetet e Bashkuara dhe mbështetja e saj. Tani, një letër nga Shtëpia e Bardhë paralajmëron urgjentisht për kolapsin e ndihmës për Kievin.

Sipas qeverisë në Uashington, fondet e autorizuara nga Kongresi i SHBA për Ukrainën do të mbarojnë plotësisht deri në fund të vitit. Kjo del nga një letër dërguar nga Drejtoresha e Zyrës Kombëtare të Buxhetit të SHBA, Shalanda Young, drejtuesve të të dy dhomave të Kongresit.

Po të mos veprojë parlamenti i SHBA, qeveria nuk do të ketë më fonde për të blerë më shumë armë dhe pajisje për Ukrainën ose për t'i ofruar pajisje Kievit nga rezervat e veta ushtarake, duke filluar nga Viti i Ri. Shtëpia e Bardhë e publikoi letrën të hënën.

Drejtoresha e Zyrës Kombëtare të Buxhetit të SHBA, Shalanda YoungFotografi: ANDREW CABALLERO-REYNOLDS/AFP/Getty Images

Young: Probabiliteti i fitoreve ruse rritet

Young i kërkoi Kongresit të veprojë: "Ne na kanë mbaruar paratë dhe pothuajse koha". Nuk ka "asnjë kusi magjike" nga e cila mund të nxirren fondet, paralajmëroi Young. Nëse do të ndërpritet fluksi i armëve dhe pajisjeve nga SHBA, kjo "do ta gjunjëzonte Ukrainën në fushën e betejës".

Ky fakt jo vetëm që do të rrezikonte sukseset e Ukrainës, por do të rriste gjasat e fitores së rusëve. "Nëse ndihma jonë anulohet, do të shkaktojë probleme të konsiderueshme për Ukrainën." Edhe nëse partnerët ndërkombëtarë do ta rrisin mbështetjen e tyre, ata nuk do të ishin në gjendje të kompensojnë ndihmën e SHBA.

Janë përdorur 97% e fondeve

Young renditi se çfarë ishte përdorur tashmë nga fondet e miratuara deri më sot. Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, për shembull, kishte përdorur tashmë 97% të fondeve të miratuara për Ukrainën. Paratë e destinuara për ndihmën ekonomike për Ukrainën tashmë janë përdorur në tërësi. "Nëse ekonomia e Ukrainës shembet, ata nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë të luftojnë, pikë." Kërkon që fondet e nevojshme të lirohen shpejt. "Ne jemi pa para dhe pothuajse pa kohë," tha Young.

Presidenti Biden dhe drejtoresha e Zyrës Kombëtare të Buxhetit të SHBA, Shalanda Young (e dyta majtas)Fotografi: Win McNamee/Getty Images

SHBA janë mbështetësja kryesore ushtarake e Ukrainës dhe tashmë kanë kontribuar me miliarda euro. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden kishte kërkuar fonde të reja në total rreth 106 miliardë dollarë për Ukrainën, Izraelin dhe shpenzime të tjera.

Megjithatë, në Kongres ka një rezistencë në rritje ndaj nivelit aktual të mbështetjes për Ukrainën. Disa republikanë kërkojnë në këmbim të mbështetjes së tyre një politikë më të ashpër kufitare në kufirin me Meksikën.

Ndërkohë, Kievi pret sulme të reja masive raketore ruse ndaj furnizimeve me energji të Ukrainës - pas një pauze të gjatë. "Nëse këto sulme nuk kanë filluar ende, ato mund të fillojnë çdo ditë”, tha zëdhënësi i forcave ajrore Yuri Ihnat në një intervistë të publikuar nga agjencia e lajmeve RBK-Ukrajina. Industria ruse e mbrojtjes ka rritur prodhimin e raketave dhe avionëve luftarakë pa pilot.

 

 

aud (afp, rtr)

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë