Qeveria gjermane miraton tërheqjen e Tornadove nga Incirliku
7 Qershor 2017Pa diskutim tjetër, ministrat e qeverisë gjermane të koalicionit të madh qeveritar miratuan tërheqjen e Bundeswehrit, forcave të armatosura gjermane nga baza turke e Incirlikut, u bë e ditur në Berlin. Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen tha se menjëherë pas vendimit do të shpërndajë direktivat përkatëse. 260 ushtarët gjermanë të stacionuar në Incirlik, së bashku me avionët e tyre të zbulimit "Tornado" dhe një avion cisternë do të zhvendosen në Jordani.
Kjo trupë do të marrë pjesë në luftë kundër "Shtetit Islamik" duke u nisur nga baza jordaneze Al-Asrak- në afërsi të kufirit jugor të Sirisë. Për shkak të shpërnguljes, misioni i "Tornadove" duhet të ndërpritet për të paktën dy muaj.
Turqia bëri të dështonte vizita e ministrit të Jashtëm gjerman
Shkas për tërheqjen e ushtarëve është ndalimi për deputetët e Parlamentit Gjerman që t'i vizitojnë ushtarët në Incirlik. Me këtë qeveria turke reagoi ndaj dhënies së azilit politik ushtarakëve turq në Gjermani. Ankaraja i bën oficerët përgjegjës për përpjekjen për puç vitin e kaluar. Një përpjekje e fundit në Ankara për të rënë dakord e ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel dështoi të hënën.
Rast i pashembullt
Shpërngulja e ushtarëve gjermanë është një proces që nuk ka ndodhur ndonjëherë: Bundeswehri zhvendos trupa në një lokacion jashtë territorit të NATO-s, sepse partnerët e aleancës, Gjermani dhe Turqi, janë në grindje kaq të madhe, sa megjithë përpjekjet disamujore nuk qe i mundur një dakordim. Pozicioni gjeografik dhe situata e furnizimit në Al-Asrak do të thotë për ushtarët një keqësim i kushteve të misionit.
NATO-ja shprehu keqardhjen për zhvendosjen e ushtarëve gjermanë. Ky debat është parë në radhë të parë si "çështje bilaterale midis Gjermanisë dhe Turqisë", tha një zëdhënës i NATO-s. AUD